6 Janar1838- Samuel Morse prezanton në publik telegrafin
Sistemi i telegrafit i Samuel Morse, paraqitet për herë të parë në Nju Xhersi të SHBA-së. Telegrafi, një pajisje që përdorte impulset elektrike për të transmetuar mesazhe të koduara mbi një tel, do të revolucionarizonte komunikimin në distanca të gjata, duke arritur kulmin e popullaritetit të tij në vitet 1920-1930.
Samuel Morse lindi më 27 prill 1791 në Çarlestaun, Masaçusets. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetit e Jeilit, ku ishte i interesuar për artin, por edhe për energjinë elektrike, e cila atëhere ishte ende në fillimet e saj. Pas universitetit, Morse u angazhua si piktor.
Në vitin 1832, teksa po rrikthehej me anije në SHBA nga një udhëtim në Evropë, dëgjoi rastësisht për elektromagnetin e sapozbuluar, dhe aty i lindi një ideja për krijimin e një telegrafi elektrik. Ai nuk e kishte idenë, se edhe shpikës të tjerë i ishin përvëshur punës për të ndërtuar të njëjtën pajisje.
Morse i kaloi vitet e ardhshme duke zhvilluar një prototip dhe punësoi dy ndihmës, Leonard Gale dhe Alfred Vail. Më 6 janar 1838, ai e demonstroi për herë të parë në publik shpikjen e tij duke përdorur kodin Morse, në të cilën pikat dhe vijat përfaqësonin gërma dhe numra.
U deshën plot 6 vjet që të bindte Kongresin Amerikan që ishte tejet skeptik, për të financuar ndërtimin e linjës së parë telegrafike në Shtetet e Bashkuara, nga Uashingtoni në Baltimorë. Në majin e vitit 1844, Morse dërgoi telegramin e parë zyrtar në këtë linjë.
Ndërkohë, gjatë viteve që pasuan, disa kompani private, duke përdorur patentën e Morse, krijuan linja telegrafike përreth verilindjes së vendit. Në vitin 1851, në Nju Jork u ngrit kompania Ëestern Union, e cila në vitin 1861, ndërtoi linjën telegrafike transkontinentale, që mbulonte të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Pesë vjet më vonë, u ndërtua vija e parë e suksesshme e përhershme në të gjithë Oqeanin Atlantik, dhe deri në fundin e shekullit XIX, sistemet telegrafike u ndërtuan në Afrikë, Azi dhe Australi. Për shkak se kompanitë telegrafike i vinin çmimin shërbimit të tyre në varësi të numrit të fjalëve, telegramet u bënë të njohura për shkurtësinë e tyre, pavarësisht nëse përmbanin lajme të gëzuara apo të trishtuara.
Fjala “stop”, që ishte falas, u përdor në vend të pauzës, për të cilën kishte një pagesë. Gjatë shekullit XX-të, mesazhet telegrafike u zëvendësuan në masë të madhe nga shërbimi telefonik i lirë në distanca të gjata, fakset dhe emailet. Western Union, e shpërndau telegramin e tij të fundit në janar 2006. Samuel Morse vdiq i pasur dhe i famshëm në Nju Jork më 2 prill 1872, në moshën 80 vjeçare.
6 Janar 1958 – Bashkimi Sovjetik njofton reduktimin e trupave ushtarake
Bashkimi Sovjetik bën publik planet e tij për të shkurtuar me 300 mijë trupa numrin e ushtrisë, duke filluar nga viti i ardhshëm. Reduktimi ishte pjesë e një politike të vitit 1956 të shpallur nga Hrushov, në pritje të “bashkëjetesës paqësore”, me Perëndimin dhe një tregues se marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, po kalonin drejt një “shkrirje” të lehtë nga mesi në fundin e viteve 1950 .
Reduktimi i numrit të trupave sovjetike, ishte i fundit në një sërë reduktimesh të filluara që në vitin 1955. Ulja e re me 300 mijë trupa, çoi në reduktimin total të trupave në gati 2 milionë. Një zyrtar sovjetik e quajti veprimin më të fundit, një “kontribut të ri serioz në kauzën e lehtësimit të tensioneve, dhe krijimin e një atmosfere besimi në marrëdhëniet midis shteteve”.
Rreth 60 mijë nga 300 mijë trupat që u reduktuan, ishin pjesë e forcave sovjetike në Hungari dhe Gjermaninë Lindore. Ndërkohë, pas këtij vendimi qëndronte edhe një motivim ekonomik, pasi fondet që përdoreshin për të mbajtur 300.000 burra në uniformë, mund të ridrejtoheshin në infrastrukturën industriale sovjetike.
Përveç kësaj, Bashkimi Sovjetik po përballej asokohe me një mungesë të krahut të punës, dhe 300 mijë punëtorë shtesë, do të ndihmonin në zbutjen e këtij problemi. Por lëvizja e sovjetikëve, pati pak efekt në politikën e SHBA-së.
Pavarësisht nga fjalimi i Hrushovit mbi bashkëjetesën paqësore, dy vitet e mëhershme të Luftës së Ftohtë, i dhanë zyrtarëve të SHBA-të pak besim në sinqeritetin e tij. Shtypja brutale sovjetike e revoltës hungareze në vitin 1956, kriza e Suezit në të njëjtin vit, dhe lëshimi i satelitit “Sputnik” në hapësirë në vitin 1957, i bindi shumë shtetarë amerikane se një qëndrim i ashpër dhe konkurrues ndaj rusëve, do të ishte politika më e mirë.
6 Janar 2001- Kongresi konfirmon fitoren e Bush në zgjedhjet e vitit 2000
Pas zgjedhjeje presidenciale tejet të kontensuata, zv.presidenti Al Gore kryesoi një sesion të përbashkët të Kongresit, që e çertifikonte George W. Bush si fituesin e zgjedhjeve të nëntorit 2000. Në një nga zgjedhjet presidenciale më rezultatin me të ngushtë në historinë e SHBA-së, Xhorxh W. Bush u shpall më në fund fitues më shumë se 5 javë pas zgjedhjeve, për shkak të fletëvotimeve të kontestuara në shtetin e Floridës.
Gore u bë kandidati i tretë presidencial që fitoi votën popullore, por i humbi zgjedhjet pasi Gjykata e Lartë vendosi 5-4 të ndalojë rinumërimin me dorë të votave në Florida. Vendimi i dha 25 votat zgjedhore të Floridas republikanit Bush, që në total mori 271 përkundrejt 266 të Gore, ku 270 vota janë të nevojshme për të fituar zgjedhjet.
6 Janar 1907 – Maria Montessori, hap qendrën e saj të parë të shkollës dhe kujdesit ditor për fëmijët e klasës punëtore në Romë të Italisë.
6 Janar 1929 – Nënë Tereza arrin në Kalkuta të Indisë, për të filluar punën e saj midis njerëzve më të varfër dhe të sëmurë të Indisë.
6 Janar 1978 – Kurora e Shën Stefanit (e njohur edhe si Kurora e Shenjtë e Hungarisë), rrikthehet në vend nga Shtetet e Bashkuara, ku qëndroi pas Luftës së Dytë Botërore.
6 Janar 1989 – Satwant Singh dhe Kehar Singh, dënohen me vdekje për komplot në vrasjen e kryeministres Indira Gandhi. Të dy burrat ekzekutohen në të njëjtën ditë.
6 Janar 1992 – Presidenti i Gjeorgjisë, Zviad Gamsakhurdia, largohet nga vendi si rezultat i një grushti shteti të organizuar nga disa ushtarakë.
6 Janar 2017 – 5 persona gjetën vdekjen dhe 6 të tjerë u plagosën në një shpërthim ë fuqishëm në aeroportin ndërkombëtar “Fort Lauderdale-Hollywood” në Florida.
Pështati për Tirana Today Alket Goce