7 Maj 1945 – Gjermanët nënshkruajnë kapitullimin përballë aleatëve
Dokumenti i parë i dorëzimit të pakushtëzuar të Gjermanisë naziste, nënshkruhet në qytetin e Reimsit në Francë më 7 maj 1945, ndërsa teksti përfundimtar u nënshkrua në Karlshorst, në rrehinat e Berlinit mbrëmjen e 8 majit 1945 nga përfaqësuesit e Vehrmahtit gjerman, forcave aleate perëndimore, dhe komandës së lartë të Ushtrisë së Kuqe.
Përfaqësuesit e tre Fuqive Aleate; Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Mbretërisë u angazhuan që në vitin 1944, për të përgatitur një tekst dorëzimi të dakordësuar. Në janarin e
vitit 1944, grupi i punës propozoi që kapitullimi i Gjermanisë të regjistrohej në një dokument
të vetëm të dorëzimit të pakushtëzuar.
Konferenca e Jaltës në shkurt të vitit 1945, çoi në një zhvillim të mëtejshëm të kushteve të dorëzimit, ku u ra dakord që administrimi i Gjermanisë së pasluftës, të kryhet në katër zona të pushtimit të Britanisë, Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.
Përveç kësaj, u ra dakord mbi një klauzolë, sipas së cilës përfaqësuesit aleatë “do të ndërmarrin hapa të tillë, duke përfshirë çarmatimin e plotë, demilitarizimin dhe copëtimin e Gjermanisë, siç e konsiderojnë të nevojshme për paqen dhe sigurinë e ardhshme”.
Me vdekjen e Hitlerit më 30 prill, ushtritë gjermane mbetën në zona të veçanta në La Rochelle, St Nazaire, Lorient, Dunkirk në Francë; ishujt grekë të Kretës, Rodosit dhe Dodekanezit; Norvegjisë jugore; Danimarkës; Holandës Perëndimore; Kroacisë veriore; Italisë veriore; Austrisë; Bohemisë dhe Moravisë; gadishullit Kurland në Letoni; gadishullit Hela në Poloni dhe në Hamburg.
Komandantët ushtarakë gjermanë në Itali, kishin nisur negociatat sekrete për një dorëzim të pjesshëm; akt që u nënshkrua më Kazerta më 29 prill, dhe hyri në fuqi më 2 maj 1945. Ndërkohë, forcat gjermane në Gjermaninë Veriperëndimore, Holandë, Danimarkë dhe Shlezvig-Holshtajn, nënshkruan një akt dorëzimi në Lyneburg, që hyri në fuqi më 5 maj.
Po më 5 maj 1945, të gjitha forcat gjermane në Bavari dhe Jugperëndim të Gjermanisë nënshkruan një akt dorëzimi ndaj amerikanëve në Har në rrethinat jashtë Mynihut; e cila
hyri në fuqi më 6 Maj.
7 Maj 1915- Nëndetëset gjermane fundosin anijen Luzitania, duke ndikuar në hyrjen e SHBA-së në Luftë
Nëndetësja gjermane U-20 mbyt transoqeanikun “RMS Lusitania”, duke vrarë 1,198 njerëz, duke përfshirë 128 amerikanë. Reagimi publik ndaj fundosjes i ktheu shumë pro-gjermanë në Shtetet e Bashkuara kundër Perandorisë Gjermane. Luzitania, në pronësi të kompanisë “Cunard Line”, u ndërtua për të konkurruar në biznesin tejet fitimprurëse të transportit transatlantik të pasagjerëve. Në kohën e ndërtimit më 1906-ën, ajo ishte anija më e madhe në botë, me një gjastësi prej 240 metrash dhe me një peshë prej 31.550 tonësh.
Anija kreu udhëtimin e sajk të parë më 7 shtator 1907, duke lundruar nga Liverpuli i Anglisë në Nju Jork të SHBA-së. Në 7 Majin e vitit 1915, Luzitania po kthehej nga Nju Jorku në Liverpul me 1.959 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit në bord. Një torpedo e goditi në mes anijen, duke shkaktuar një shpërthim edhe më të fortë, të shkaktuar ma gjasë nga dëmtimi i motorëve me avull.
Brenda 20 minutash Luzitania u fundos nën det, dhe 1.198 njerëz u mbytën. Humbja e jetës së 128 qytetarë amerikanë, ngjalli një valë zemërimi në Shtetet e Bashkuara, dhe shumëkush priti pas kësaj ngjarje një deklaratë lufte, por qeveria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdonte dhe për 2 vite politikën e saj të neutralitetit.
Gjithësesi më 13 maj, qeveria amerikane i dërgoi një notë proteste Berlinit. Ndërkohë më 1917, Shtetet e Bashkuara e përdorën atë sulm si një nga justifikimet për hyrjen në Luftën e Parë Botërore, duke përcaktuar kësisoj fatin e saj.
7 Maj 351 – Pas mbërritjes në Antioki të perandorit bizantin Konstadin, hebrenjtë nisin një rebelim në Palestinë.
7 Maj 1487 – Rrethimi i qytetit të Malagës, shënon fillimin e Rekonquistas në Spanjë.
7 Maj 1664 – Mbreti francez Luigi XIV, fillon ndërtimin e Pallatit të famshëm të Versajës.
7 Maj 1794 – Revolucioni Francez:Robespier prezanton Kultin e Qenies Supreme në Konventën Kombëtare, si fe të re shtetërore në Republikën e Parë Franceze.
7 Maj 1832 – Pavarësia e Greqisë njihet nga Traktati i Londrës.
7 Maj 1895 – Në Shën Petersburg, shkencëtari rus Aleksander Stefanoviç Popov i demonstron Shoqatës Fizike dhe Kimike Ruse shpikjen e tij, detektorin e rrufesë Popov – një marrës radio primitiv. Në disa pjesë të ish-Bashkimit Sovjetik, përvjetori i kësaj dite festohet si Dita e Radios.
7 Maj 1940 – Lufta e Dytë Botërore:Në parlamentin britanik, nis Debati mbi pushtimin gjerman të Norvegjisë, gjë që çoi 3 ditë më vonë në zëvendësimin e kryeministrit Neville Chamberlain me Ëinston Churchill.
7 Maj 1948 – Këshilli i Evropës themelohet gjatë Kongresit të Hagës.
7 Maj 1954 – Lufta e Indokinës:Beteja e Dien Bien Phu e nisur më 13 mars, mbaron me disfatën e rëndë të francezëve dhe fitoren e vietnamezëve.
7 Maj 1994 – Piktura e famshme e piktorit të njohur norvegjez Edvard Munch “Scream” (Britma), gjendet e padëmtuar, pasi ishte vjedhur në shkurt të atij viti në Galerinë Kombëtare të Norvegjisë.
7 Maj 1999 – Lufta e Kosovës:Tre shtetas kinezë u vranë dhe 20 u plagosën kur një avion NATO-s, bombardoi gabimisht ambasadën kineze në kryeqytetin serb Beograd.
7 Maj 2007 – Arkeologët izraelitë, zbulojnë varrin e mbretit Herod në jug të Jeruzalemit.