Qëkurse terrorizmi evoluoi në shekullin XIX, si një mekanizëm për nxitjen e ndryshimeve socio-politike, grupimet e vetëshpallura politike dhe fetare, kanë shënjestruar vende të ndryshme të botës nga Nepali në Nju Jork, nga Parisi në Peru dhe së fundmi në Mançester, Melburn, Teheran, Londër dhe Barcelonë. Por a kanë arritur ndonjëherë taktika të tilla të realizojmë synimet e tyre?
Katër historianë vlerësojnë qëllimet, dhe pasojat e fushatave terroriste përgjatë historisë.
Rosemary O’Kane
Rosemary O’Kane, profesoreshë e teorisë politike krahasuese në Universitetin Keele në Irlandë, dhe autore e librit “Terrorizmi”:”Grupet terroriste – sidomos ato që merren me ‘xhihadin global’ – shpesh nuk kanë qëllime të qarta politike”
Terrorizmi është një strategji e përzgjedhur, në të cilën shënjeshtrimi i qëllimshëm i të pafajshmëve si viktima, qëndron në thelbin e tij.
Në kohët moderne, zgjedhja e terrorizmit si një strategji u bë së pari nga delegatët e Federatës Italiane të Anarkizmit Ndërkombëtar në vitin 1876.
“Propaganda nëpërmjet veprave”, u mbrojt si mjet për të destabilizuar qeverinë, dhe për të krijuar mbështetje për përmbysjen e sistemit borgjez.
Pas kësaj, vitet 1890 u bënë të njohura si “dekada e bombardimeve”; me ngjarjen më famëkeqe të vitit 1894 kur anarkisti francez, Emile Henry, bombardoi një kafene të tejmbushur me njerëz në Paris.
Dy prej synimeve të një akti të tillë tronditës – propaganda dhe mbështetja popullore– arritën kulmin e vet më 11 shtator 2001, kur anëtarët e Al-Kaedës rrëmbyen avionë për të sulmuar objektiva të rëndësishëm në SHBA, duke përfshirë Qendrën Tregtare Botërore në Nju Jork.
Dramaciteti i madh i këtij akti, dhe numri i viktimave të pafajshme – gati 3.000 të vdekur – prodhuan një publicitet në mbarë botën, dhe stimuluan rekrutimin e mijëra mbështetësve.
Por a ka arritur në ndonjë rast terrorizmi synimet e përdoruesve të tij? Dikur, do të kisha përgjigjur “jo”.
Grupimet terroriste, kanë dështuar historikisht të mbërrijnë synimet e tyre politike, qoftë për shkak të humbjes (si në Sri Lanka), marrëveshjes (në Irlandën e Veriut) apo dështimit në fazën e rekrutimit.
Sot nuk jam dhe aq e sigurt. Në shekullin XXI, grupimeve terroriste – sidomos ato që merren me ‘xhihadin global’ – shpesh u mungojnë qëllimet e qarta politike, disa madje nuk pretendojnë as përgjegjësi për veprimet e tyre. Tani, mjetet – sakrifica e jetës nga ana e atentatorëve – duket të jenë qëllimi në vetvete: martirizimi dhe kalimi në Parajsë, dhe shpërblimet që ajo pretendohet të sjellë.
Adrian Guelke
Adrian Guelke, profesor në Shkollën e Historisë, Antropologjisë, Filozofisë dhe Politikës në Universitetin e Mbretëreshës në Belfast të Irlandës së Veriut, dhe autor i librit “Terrorizmi dhe kaosi global”: “Qëndrimet ndaj dhunës politike vdekjeprurëse, ndikohen nga arritja e objektivave të saj“
Ekzistojnë shembuj të qartë të akteve terroriste, që kanë arritur suksese taktike. Një nga më të njohurit, është sulmi i njëkohshëm me autobomba në kazermat ushtarake në Bejrut më 23 tetor 1983, ku gjetën vdekjen 241 ushtarë amerikanë dhe 58 francezë. Ai sulm, nxiti tërheqjen e shpejtë të forcave paqeruajtëse amerikane dhe franceze nga Libani.
Një trashëgimi e atij episodi është se metoda e përdorur – misionet e bashkërenduara të akteve vetëvrasëse, të projektuara për të shkaktuar një numër maksimal viktimash – vazhdojnë të kopjohet edhe sot. Njëherazi, mund të thuhet se terroristët i arrijnë rrallë qëllimet e tyre strategjike përfundimtare.
Por arsyeja për këtë, është më pak siguruese nga sa duket. Terrorizmi është paksa si tradhtia. Një pasojë e suksesit (të rrallë) të tradhtisë, është që aktorët e saj nuk shihen më si tradhtarë.
Qëndrimi ynë ndaj dhunës politike vdekjeprurëse, ndikohet thellësisht nga arritja e objektivave të saj. Në përgjithësi, dhuna është instrumentale – një mjet për një qëllim. Kjo është e vërtetë për dhunën politike, pothuajse sipas përkufizimit.
Mund të hedhim poshtë dhunën edhe nëse pajtohemi me qëllimin, dhe besojmë se dhuna në fjalë është një mjet efektiv për atë qëllim.
Sidoqoftë, ne mund të ndalojmë së etiketuari individët e përfshirë në akte të tilla dhune. Ka të ngjarë që në rrethana të tilla, të kemi më shumë gjasa të përqendrohemi në qëllimet e dhunës dhe në kontekstin në të cilin ajo ndodhi, sesa në pasojat që ajo pati për viktimat e saj.
Richard English
Richard English, profesor i politikës në Universitetin e Mbretëreshës në Belfast:”Shumica e grupeve terroriste, i japin fund dhunës pa arritur qëllimet e tyre strategjike qendrore”
Natyrisht, terroristët kanë arritur shumë gjëra. Publiciteti ndaj një kauze, sigurohet në mënyrë të përsëritur me anë të akteve të përgjakshme të dhunës, nga rrëmbimet e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, deri te shpërthimet e IRA-s në Irlandën e Veriut dhe Angli, dhe deri tek mizoria ende tronditëse e sulmeve të 11 shtatorit nga Al-Kaida.
Në secilin prej këtyre rasteve, dhe në shumë më tepër përgjatë gjithë historisë, është e vështirë
të imagjinohet që pretendimet përkatëse që qëndrojnë pas akteve të dhunës do të njiheshin globalisht, në rast se nuk do të ndiqej praktika e akteve terroriste. Në një nivel të ngjashëm taktik, terroristët kanë arritur shpesh suksese operacionale.
Vrasjet e guximshme të politikanëve të shquar, janë kryer nga grupime të tilla si organizata separatiste baske ETA, dhe majtistët italianë të Brigadave të Kuqe.
Kohët e fundit, terrorizmi vetëvrasës ka përfaqësuar një mjet inteligjent për të synuar kundërshtarët me një efektivitet operativ vdekjeprurës. Por a kanë arritur këto organizata synimet e tyre?
Në pjesën më të madhe jo dhe aq. Shumica dërrmuese e grupeve terroriste, i japin fund dhunës pa siguruar përmbushjen e qëllimeve të tyre qëndrore, parësore dhe strategjike. Ka pasur disa përjashtime (terrorizmi hebre, që ndihmoi në krijimin e shtetit të Izraelit në vitet 1940), por këto janë shumë të pakta.
Më e zakonshme, është ajo që mund të quhet fitore e pjesshme strategjike, në të cilën një formë e reduktuar e qëllimeve kryesore të një grupi, mund të thuhet se është avancuar nga terrorizmi, ose kur janë garantuar qëllimet dytësore (hakmarrja kundër armikut, furnizimi i rezistencës në gjeneratat e ardhshme).
Hakmarrja ndoshta ka qenë një nga arenat kryesore për efektivitetin e terrorizmit, megjithëse vështirë se është më tërheqësja – sidomos pasi shumica e atyre që kanë qenë në shënjestër, kanë rezultuar të pambrojtur.
Përveç qëllimeve strategjike ose taktike, mund të ketë shpërblime të qenësishme nga terrorizmi (aventurë, miqësi, famë, përfitim financiar, pushtet lokal).
Megjithëse këto janë të rëndësishme në përfshirjen e mbështetjes, prova përfundimtare e efikasitetit sigurisht qëndron në aspektin strategjike – dhe këtu është shtrirja e vuajtjeve njerëzore dhe jo frekuenca e fitoreve terroriste, ajo që bie më shumë në sy.
Bruce Hoffman
Bruce Hoffman, profesor dhe drejtor në Qendrën për Studime të Sigurisë në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington, dhe autorit i librit “Inside Terrorism”: ISIS-i ka arritur objektivat e tij afatshkurtër, për të tërhequr vëmendjen dhe shkaktuar frikë.
Shembulli kryesor i fuqisë së terrorizmit për të nxjerrë një kauzë nga errësira drejt njohjes ndërkombëtare, ishte vrasja e 11 atletëve izraelitë të marrë peng nga terroristët palestinezë gjatë Lojërave Olimpike të Mynihut të vitit 1972. Pavarësisht dënimit publik të operacionit terrorist, pak më shumë se dy vjet më vonë, lideri i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Jaser Arafat u ftua të drejtojë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe pak kohë më pas OÇP-së iu dha statusi i veçantë i vëzhguesit në atë organ ndërkombëtar.
Në fakt deri në vitin 1979, OÇP-ja kishte marrëdhënie formale diplomatike me më shumë vende (86), sesa shteti i themeluar kombëtar i Izraelit (72). Është e dyshimtë, nëse organizata palestineze mund ta arrinte ndonjëherë këtë sukses, po të mos shfrytëzonte aktet terroriste. Ajo kishte arritur atë që diplomatët dhe politikanët, lobistët dhe punonjësit humanitarë kishin tentuar dhe kishin dështuar vazhdimisht të arrinin: përqendrimin e vëmendjes së botës tek populli palestinez dhe gjendja e tij.
OÇP shërbeu si një shembull i fuqishëm për popujt që në mënyrë të ngjashme ndiheshin në shtypur në vende të tjera. Brenda një dekade, numri i grupimeve terroriste që vepronin në nivel ndërkombëtar, apo që kryenin sulme ndaj objektivave të huaja në vendin e tyre, më shumë se u katërfishua.
Sot, vëmendja kryesore është mbi të ashtuquajturin Shteti Islamik dhe qëllimet e tij, përmes tragjedive të tilla si sulmet e këtij viti në Mançester, Londër dhe së fundmi në Barcelonë. Edhe pse me siguri ai ka arritur objektivat e tij afatshkurtra për të tërhequr vëmendje dhe shkaktuar frikë, nuk ka gjasa që ISIS-I të përmbushë ndonjë nga synimet e tij afatgjata.
Sidoqoftë, këta terroristë – ashtu si të tjerët përgjatë historisë – fiksohen tek një horizont i largët, që paradoksalisht gjithmonë duket brenda mundësive:një pikë e padukshme në kohën kur ata do të triumfojnë mbi armiqtë e tyre, dhe do të arrijnë realizimin përfundimtar të ëndrrave dhe fatit të tyre.
Për ta, kjo e ardhme është e dekretuar në mënyrë hyjnore, dhe ata janë të mirosur në mënyrë specifike për ta arritur atë. Ky dimension transcendental, nuk mbështet vetëm luftën e tyre, por i siguron atyre suksesin – vetëm nëse i shërbejnë besnikërisht dhe pa dashje hyjnisë së tyre. Për ta ky argument vlen gjithçka.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce