Pavarësisht investimeve dhe dominimit në Itali, Juventusi edhe këtë vit ka dështuar në Champions League. Tashmë duket se ka ardhur koha që bardhezinjtë të bëjnë një revolucion të vërtetë. Sipas mediave italiane Juventus është gati të nxjerrë në merkato 5 lojtarë të formacionit bazë.
Bëhet fjalë për Pjanic, Douglas Costa, Mandzukic, Alex Sandro dhe Cuadrado. Nga shitja e këtyre futbollistëve që kanë qenë mjaft të rëndësishëm në sezon e fundit te bardhezinjtë do të përfitohej një shumë e rëndësishme, për të konsoliduar financat. Në pikëpyetje ndërkohë është emri i Paulo Dybalas.
Kampionët e Italisë po përgatitin ndryshime në radhët e skuadrës që kanë të bëjnë jo vetëm me largime por edhe me përforcime. Çdo gjë lidhet edhe me bilancin ekonomik të klubit torinez. E ardhmja e Pjanicit mbetet e paqartë. Për momentin duket se mesfushori boshnjak do të largohet dhe për ta zëvendësuar atë njëri prej kandidatëve është Eriksen i Tottenahmit, që synohet nga drejtuesit e Juventusit.
Dybala është pikëpyetja e madhe. Mbetet për t’u parë nëse argjentinasi do të qëndrojë. Ardhja e Ronaldos, por edhe performanca disi në rënie e sulmuesit, e kanë lënë atë në hije. Nëse largohet, sigurisht që Juventusi do të përfitonte një shumë të konsiderueshme. Gjithsesi, vera do ta gjejë Juventusin me një sërë ndryshimesh.