Ai nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë me babanë e tij të famshëm, por që kur Donald Trump Sr. u bë president i SHBA-së, Donald Trump Junior u rikthye në familje. Në nëntorin e vitit 2019 ai deklaroi në një intervistë për “The Wall Street Journal”: “M’u deshën ndoshta 41 vite për t`a kuptuar se unë isha shumë i ngjashëm me babain im, më shumë sesa secili nga ne të dy e kishte menduar ndonjëherë”.
Dikur ai cilësohej si fëmija i fiksuar pas detajeve dhe i fokusuar tek biznesi, i kënaqur që t’ia linte babait dhe motrës së tij më të vogël Ivankës qendrën e vëmendjes. Por gjatë presidencës Trump ai u mor rregullisht me mbledhjen e fondeve, dhe udhëtonte shpesh nëpër SHBA për të folur në emër të babait të tij.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2018, ai bëri më shumë se 70 paraqitje në fushatë, dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ai dhe e dashura e tij, ish-moderatorja e Fox News, Kimberli Gilfojl ishin kudo.
Ai u caktua në krye të “Organizatës Trump”, bashkë me vëllain e tij Erik. Ai u përfshi në hetimin mbi dyshimet e lidhjeve të Trump me Rusinë, dhe përjetoi një divorc të vështirë. Libri i tij “Si e majta lulëzon nga urrejtja dhe dëshiron të na mbyllë gojën”,kryesoi listën e“The NewYork Times” si një ndër librat më të shitur.
Donald Trump Jr. lindi në Manhattan më 31 dhjetor 1977, nga gruaja e parë e Donald Trump, Ivana. Si fëmija i parë, ai u emërua pas babait të tij. Por, sipas “Los Angeles Times”, ai nuk ishte gjithmonë djali i adhuruar. Kur ishte fëmijë, kaloi 6-8 javë të verës në Çekosllovaki me gjyshërit e tij.
Jeta e tij atje ishte në kontrast të plotë me jetën që bënte në Amerikë, ku ai shoqërohej nga truprojat. Pas divorcit të prindërve të tij kur ishte 12-vjeç, ai u largua nga familja në një shkollë private me konvikt së bashku me vëllain e tij Erik.
I ati e bëri divorcin një çështje publike, gjë që nuk ishte e lehtë për Trump Jr., i cili ishte më i vetëdijshëm për atë që po ndodhte sesa vëllezërit e motrat e tij më të vegjël. Sipas revistës “Vanity Fair”, ai i bërtiti në një rast të atit“Ti nuk na do! Ti nuk do as veten tënde. Ti do vetëm paratë e tua!”. Pas kësaj ngjarje ai refuzoi t`i fliste për rreth 1 vit babait të tij, duke ia mbyllur telefonin sa herë që ai e telefononte.
Pas shkollës së mesme, Trump Jr. studoi për financë në Universitetin e Pensilvanisë, ku dikur kishte studiuar i ati dhe më pas e motra e tij. Në universitet, ai nuk u përpoq të respektonte reputacionin e babait të tij. Skot Melker, një shok shkolle, shkroi në Facebook një postim që u bë viral.
Ai tha se të gjitha kujtimet që kishte mbi Trump Jr. ishin ato të një të riu të dehur që pengohej apo rrëzohej rreth kampusit. Ai gjithashtu tha se ai “e përçmonte babanë e tij dhe e urrente vëmendjen që i jepte mbiemri i tij”.
Pas diplomimit, Donald Jr. mori 1 vit pushim nga studimet dhe puna. Ai jetonte në pjesën e pasme të një kamionçine në Aspen të Kolorados, ku gjuante, peshkonte dhe herë pas here punonte si banakier. Ai ka deklaruar se ishte i diplomuari i parë në Universitetin e Pensilvanisë,që kishte një stil të tillë jete.
Sipas “The Washington Post”, pikërisht gjatë asaj kohe zhvilloi durimin dhe nevojën e tij për të heshtur. Në vitin 2001, ai u arrestua për dehje publike në Nju Orlins gjatë një feste lokale, dhe kaloi gjysmë dite në burg. Dashuria e tij për natyrën, ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në heqjen dorë nga pirja e alkoolit në vitin 2003.
Në shtatorin e vitit 2001, u rikthye në familje dhe nisi të punonte për babanë e tij. Nëna e tij tha në një rast:“Kur ata mbushnin 21 vjeç, unë i dorëzoja fëmijët bashkëshortit dhe i thoja:ja ku është produkti i final!”.Në vitin 2003, i ati e njohu me modelen Vanesa Hejdon. Çifti u martuan në nëntor 2005, në resortin privat të familjes Trump në Mar-a-Lago në Florida.
Në atë kohë, Trump Jr. u zgjodh nënpresident i Organizatës Trump, dhe u caktua në krye të projekteve të ndryshme të ndërtimit, hoteleve dhe kurseve të golfit.
Një nga fokuset e tij ishte puna me bizneset ruse. Në vitin 2008, ai vizitoi disa herë Moskën, duke u shprehur se ishte një “vend vërtetë i frikshëm” në lidhje me korrupsionin. Kur në qershor 2015, Donald Trump njoftoi se do të garonte për president, Trump Jr. punoi shumë për babanë e tij, duke u ngritur në 4.30 të mëngjesit dhe duke punuar deri në mbrëmje vonë.
Postimet e tij në Twitter kanë shkaktuar jo rrallë polemika. Në vitin 2019, sulmoi shpesh Hanter Biden, djalin e kandidatit demokrat për president Xho Bajden. Ashtu si e motra,ka ambicie të forta politike. Mbetet një mbrojtës i flaktë i babait të tij, por nuk jeton më në hijen e tij.
Burimi i lajmit: https://www.businessinsider.com/who-is-donald-trump-jr-bio-controversies-2017-7
Përshtatur nga: TIRANA TODAY