Koha kalon dhe u bënë 75 vite nga vdekja e Faik Konicës, një prej shqiptarëve më të shquar dhe më me kulturë. Pikërisht dje u mbushën 75 vite pa Konicën. Ai la pas një punë të shumë të mirë dhe shkrime që tregonin Shqipërinë e atyre viteve. Në vitin 1903 Konica shkuan një shkrim me titull “Shqipëria edhe turbullimet e Ballkanit”. Në këtë shkrim flitet për luftën që rrezikohet të zhvillohet në Ballkan ndërmjet Bullgarisë dhe Turqisë.
Konica parashikon; sido që të jetë rezultati i kësaj lufte, shqiptarët do të jenë një nga kombet që do të pësojnë më shumë humbje. Ai shkruan se janë të njohura kërkesat e vendeve si; Serbia, Mali i Zi dhe Greqia për tu zgjeruar sa më shumë drejt territorit shqiptar. Konica shkruan se sido qoftë, prapë shqiptarët do të humbasin, se jemi një komb i ftohtë ku secili mendon për veten e tija. Ata shqiptarë për të cilët bota thotë se janë të egër, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundra janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin. Po të tillë njerëz janë të pakët e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zemër të shtrydhur se si humbet një komb.
Shkrimi i plotë i Faik Konicës
Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë t’a lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarta të vëndit t’onë.
Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albaniës” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojnë fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç që do të ketë ca Bullgarë më pakë, lirië më tepër për Bullgarët e mbetur e robërië e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqië, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do t’humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rëfejmë këtu në pakë fialë.
Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet (fr. les excès) e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u-hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e drejtë.
Drejtësia është t’u lësh Bullgarëve lirië të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (ç’do Shqipëtar e di se pse)”.
E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i shfaqin luftë Turqisë edhe Serbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete as mëndia njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushtëtarët e saj të pa-kënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qevertarëve e të kryeushtëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë, – sa do që Bullgarët e Principatit janë të pakë, shumë më të pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie (fr. munitions). Edreneja e dhënë Bullgarisë s’na prish aqë punë: po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë, – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rëfeu në luftë të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqië të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë Frëngu.
Përandaj, si do që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhet ay bashkim e ajo e marë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilido e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rezikut.
Ata Shqipëtarë për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kish njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njerës janë të pakë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet një komb.
Është një e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtëtarë në Turqië t’Europës. Kio ushtërië e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësië të vërtetë t’atyreve vëndeve.
Ahere, ndofta, do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të drejta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja se pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne./Tema/