Ja nga i siguron të ardhurat familja mbretërore britanike

Duka dhe Dukesha e Sussex në Britaninë e Madhe, Herri dhe Megan, vendosën që të heqin dorë nga të ardhurat e tyre mbretërore. Por pyetja është se çfarë lanë saktësisht pas? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, le të hedhim një vështrim mbi mënyrën se si bëjnë para mbretërit.

E vërteta është që mbretërve britanikë nuk u lejohen të punojnë për të fituar para. Po atëherë si i fitojnë gjithë ato para, nëse nuk lejohen që të punojnë?Sipas historianit Dejvid Meklur, të gjitha paratë vijnë nga pasuritë e paluajtshme.

Kurora Britanike zotëron prona në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, të cilat janë trashëgimi brez pas brezi dhe e kanë origjinën nga prejardhja e tyre. Kjo listë pasurish të patundshme është ajo që përbën edhe burimin kryesor të të ardhurave të tyre.

Një shembull tipik është Kështjella Balmoral që zotëron Mbretëresha Elisabet II si trashëgimi e saj personale. Mbretëresha Viktoria dhe Princi Albert e blenë këtë pronë për herë të parë në shkurtin e vitit 1848. Të ardhurat nga pasuritë private të trashëguara, nuk shkojnë në Thesarin Mbretëror, por më shumë në llogaritë bankare personale të pronarit që i ka trashëguar ato.

Ndërkohë, një burim tjetër i të ardhurave për honoraret janë dukatet. Këto janë toka dhe prona të paluajtshme që i zotërojnë Dukët dhe Dukeshat në të gjithë Britaninë e Madhe. Në to përfshihen prona tregtare stërgjyshore, territore të ndryshme, monumente dhe shtëpi të mëdha që trashëgohen nëpër breza.

Dy dukate i përkasin Kurorës Britanike – dukati i Lankaster dhe ai i Kornuollit. Dukati i Lankasterit përfshin vende historike stërgjyshore si Kështjella Ogmor, Kështjella Pontefrakt, Kështjella Bolingbrok. Dukati i Lankasterit është themeluar që në vitin e largët 1265, kur mbreti Henri III ia dha atë Edmund Krauçbek, Kontit të Lankasterit.

Pasuritë më fitimprurëse të dukatit të Lankasterit janë disa blloqe pasurish të patundshme komerciale në Londër. Një nga shembujt kryesorë është Kapela e Savojës. Të ardhurat nga ky dukat lidhen me Kurorën Mbretërore. Kështu që të ardhurat e saj shkojnë në llogari të kujtdo që është Mbreti ose Mbretëresha aktuale.

Po në lidhje me dukatin e Kornuollit? Ai që e trashëgon këtë dukat është djali i madh i monarkut britanik. Prandaj, aktualisht ky dukat është në pronësi të Princit të Uellsit, Dukës Çarls. Dhe kur ai të ngjitet në fron, pasuria do të shkojë te trashëgimtari më i madh mashkull.

Në rast se çifti mbretëror nuk ka trashëgimtarë meshkuj, pronësia e pasurisë i kthehet Kurorës Mbretërore. Burimi i fundit i të ardhurave për mbretërinë britanike është përmes pasurive të Kurorës. Pasuritë e kurorës përfshijnë monumente historike të famshme si Kulla e Londrës, Pallati Bakingam, Kalaja Uindsor etj.

Këto prona ishin në fillim prona të Kurorës Mbretërore, por më pas u dhanë me qira në këmbim të të ardhurave. Ato njihen tani si Granti Sovran. Granti Sovran, është një përqindje e të ardhurave totale vjetore të pasurive të Kurorës, që qeveria britanike u paguan mbretërve në mënyrë që ata të përballojnë shpenzimet e tyre.

Këto para nuk ndikojnë drejtpërdrejt në pasurinë e tyre neto, por mbulojnë kostot që lidhen me detyrat e tyre mbretërore. Dhe këto të fundit përfshijnë udhëtimet zyrtare, pagat e punonjësve që janë në shërbim të tyre, si dhe mirëmbajtjen e rezidencave mbretërore.

Me pak fjalë, familja mbretërore britanike fiton para nga pasuritë e saj private dhe taksat mbi Pasuritë e Kurorës. Portofoli i këtyre pasurive private, përfshin prona që ata kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre dhe dy dukatët.

Të ardhurat nga Dukati i Lankasterit shkojnë në dispozicion të cilitdo që është në krye të Kurorës, ndërsa të ardhurat nga Dukati i Kornuollit shkojnë për trashëgimtarët meshkuj të çiftit mbretëror.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja është Granti Sovran (taksa e pasurisë së Kurorës). Këto janë para që u paguhen mbretërve nga qeveria britanike për kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Ato zbriten nga të ardhurat vjetore të Pasurisë së Kurorës. Për shkak të këtij Granti Sovran, mbretërit nuk lejohen që t’i përdorin titujt e tyre për të fituar ndonjë të ardhur personale.

Burimi i lajmit: https://historyofyesterday.com/unlock-the-secret-behind-the-unending-wealth-of-british-royals-2cde4d7008c

Përshtatur nga TIRANA TODAY