Shqipëria priti këtë të mërkurë, 10 qershor, Konferencën Ndërkombëtare për Kartën Rinore Europiane, një ngjarje historike që bën bashkë mbi 100 pjesëmarrës nga më shumë se 30 vende të Europës.
Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vuri në dukje se vendi ndodhet tashmë vetëm një hap larg hyrjes zyrtare në Bashkimin Europian, falë një procesi të merituar integrimi.
Ministri e vlerësoi organizimin e kësaj konference si një dëshmi të besimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve shqiptare dhe rolit të tyre në rritje në politikat rinore.
“Nga “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sot vetëm një hap larg hyrjes zyrtare në Bashkimin Europian – kryelartë, jo me standardet e disa dekadave para, përmes një procesi jashtëzkaonisht kompleks integrimi të merituar dhe të djersitur në qelizë”, tha Gonxhja.
Duke u ndalur tek një protestat qytetare, që koinciduan me eventin, Gonxhja e cilësoi atë si një “medalje demokracie” dhe tregues legjitim të lirisë së shprehjes, duke kujtuar me emocione vuajtjet e të shkuarës. Në mbyllje, ai theksoi se kjo situatë dhe ky organizim shërbejnë si një mundësi e re për të ritreguar vlerat dhe besnikërinë ndaj Shqipërisë.
“Edhe zëri i protestës që ka koinciduar me këtë event, është treguesi më legjitim dhe unanim i lirisë së panjohur ndonjëherë më parë këtyre anëve si sot, për të shprehur e demonstruar, për të menduar ndryshe, për të kërkuar e pretenduar më shumë, për pritshmëri që natyrshëm ekzistojnë nga e drejta e individit të lirë të flasë e bërtasë. Më dridhet mishi kur rikthej në mendje torturat dhe vuajtjet tona deri vonë, jo larg.
Situata aktuale është medalje demokracie për qeverisjen e sotme, sikundër është një mundësi e re për të ritreguar vlerat tona dhe besnikërinë tonë për Shqipërinë.
Që Shqipëria pret për herë të parë Konferencën e Kartës Rinore Europiane përbën një moment të rëndësishëm për vendin tonë dhe një vlerësim të rolit në rritje që Shqipëria po luan në nismat europiane të dedikuara për të rinjtë.
Prania e mbi 100 pjesëmarrësve nga më shumë se 30 vende europiane e shndërron këtë konferencë në një platformë të rëndësishme dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mbi politikat dhe mundësitë për të rinjtë në Europë. Organizimi i kësaj konference në Shqipëri është një dëshmi e besimit që partnerët europianë kanë ndaj institucioneve dhe organizatave shqiptare, si dhe një mundësi për të forcuar më tej lidhjet me rrjetet rinore europiane”, shtoi ai.















