Humbja ndaj Spanjës nuk është kapërdirë mirë nga lojtarët që zbritën në fushë. Disa prej tyre nuk e kanë kuptuar pse duhet ta nisnin ndeshjen nga stoli edhe pse ishin në formë shumë të mirë. Por kanë respektuar vendimin e trajnerit dhe se të gjithë çunat e grumbulluar janë për një qëllim. Ndërsa një pjesë tjetër nuk janë dakord me modulin me tre mbrojtës, dhe se me katër do të ishin mbrojtur më mirë.
Sadiku: Isha i pafat
Pse nuk luajtën
“Kjo është zgjedhja e trajnerit, unë isha i gatshëm dhe në 100%, por trajneri vendosi ta nisja nga stoli. Unë jam profesionist dhe i pranoj vendimet. Kisha dëshirë të luaja. Mu dha mundësia në pjesën e dytë por kisha pak se çfarë të bëja.”
Për shtyllën
“U mundova ta godas sa më mirë, por topi shkoi në shtyllë. Isha i pafat”
Agolli: Nga stoli? Respektoj vendimin e trajnerit
“Më ka ndodhur rrallë ta shoh ndeshjen nga stoli, por s’ka shqetësim sepse jemi të gjithë për një qëllim. U munduam të reagonim sepse pësuam shpejt, por kishim përballë një ekip që meriton respekt. Jemi pak pishman për golin që na mungoi se patëm raste, por besoj se dhamë më të mirën.
Nuk ka arsye për uljen time në stol, jemi 27 lojtarë dhe trajneri mendoi që këtë ndeshje duhet ta luante ekipi që ishte në pjesën e parë. S’ka vend për arsyetim, ishte zgjedhje e trajnerit.S’diskutohet që pata frikë për një rezultat të thellë. Kur luan me Spanjën duhet t’i marrësh parasysh të gjitha, edhe pse para ndeshjes mendon për të bërë mirë. Ato 20 minutat e para ishin pak të frikshme, por më pas e morën veten dhe deri diku dhamë diçka sot.
Memolla është lojtar me të ardhme të madhe. Nuk duhet ta gjykojmë nga kjo ndeshje pasi kundër Spanjës çdo lojtar shqiptar e ka të vështirë. Duke punuar më shumë e pret një e ardhme akoma më e madhe”, tha Agolli pas ndeshjes.
Hysaj: U ndëshkuam shpejt
Elseid Hysaj në intervistën e pas ndeshjes së humbur kundër Spanjës shprehet se përballë kishin një nga kundërshtarët më të fortë të grupit që janë pretendent për trofeun. Mbrojtësi tregon se këto ishin mundësitë dhe në ndeshjen e fundit kundër Italisë garanton se do të jetë një sfidë shumë emocionuese.
“E dimë që Spanja është një nga pretendentët për trofeun. Goli i parë ishte shumë i bukur, në dy të tjerët mund të bënim diçka më shumë. Nuk duhet të pësojmë gola kaq shpejt, por ndodh në futboll. Ne kishim 2-3 raste por nuk shënuam.
Unë luaj aty ku do trajneri sepse vendos ai, por dihet roli im i vërtetë është mbrojtës i djathtë. Trajneri më vendosi në qendër dhe u mundova të bëja sa më mirë detyrën.
Në Shkodër do kem një kundërshtar shok skuadre te Napoli. Do jetë një ndeshje shumë e bukur, të tregojmë se dimë të luajmë futboll si në pjesën e dytë këtu.
Besoj që një skuadër si Italia nuk gabon në lidhje me motivimin. Nëse sot luajtën keq, do jenë akoma më të egër për t’i treguar tifozëve se çfarë cilësisht kanë”, tha Hysaj pas ndeshjes.
Veseli: Jo më me këtë rreshtim në mbrojtje
Pas humbjes së Kombëtares 3-0 kundër Spanjës, mbrojtësi Frederik Veseli u shpreh se moduli me katër mbrojtës do të ishte më mirë dhe se ishte shumë e vështirë t’i bëje ballë një ekipi të madh si Spanja.
“Ndoshta mënyra e të luajturit me katër mbrojtës mund të ishte më mirë. Edhe pse unë i pëlqej të dyja modulet e lojës, pra edhe ashtu siç e nisëm takimin kundër Spanjës, por ashtu siç u pa nga ky takim, ndoshta mund të ishte mënyra e të luajturit me katër mbrojtës. Gjithsesi, kur gabon ndaj Spanjës, sigurisht që do ndëshkohesh. Ishte shumë e vështirë t’iu bëje ballë”, tha Veseli
Llullaku: gabuam shumë
Për humbjen
“Më vjen keq për humbjen dhe më vjen keq për kartronin e verdhë pasi humba ndeshjen me Italinë. Nuk e meritoja kartonin dhe këtë ma tha dhe arbitri në dhomat e zhveshjes.”
U habitët me formacionin
“Jo nuk u habita, pasi me këtë formacion jemi strërivitur gjatë javës. Natyrisht që Spanja ka kualitete dhe kaq mund të bëhet.”
Pjesa e parë ku u pësuan 3 gola
“Patëm disa faje dhe ne, u munduam të jepnin më të mirën, por Spanja është Spanja dhe të ndëshkon në çdo moment”, u shpreh ai.
Grezda: Arbitri favorizoi ata
I prisnit 45 minutat e dobëta në pjesën e parë
Spanja është skuadër e madhe, pësuam 3 gola nga pakujdesia jonë, i shfytëzuan të gjitha rastet. Mund të kishim bërë më shumë por Spanja kaq të lejon.
U surprizuat nga formacioni
Kemi punuar gjatë gjithë javës me këtë formacion. Panucci ka punuar me këtë 11-she, kishim shanset tona, por me Italinë shpresojmë të luajmë më mirë.
Kartonat e pakursyer nga arbitri
Mendoj se arbitri është treguar i pakursyer. Si në rastim tim ashtu edhe me shokët e tjërë të skuadrës. Nuk e kuptova si e nxirrte aq shpejt kartonin për ne, ndërsa ndryshe ishte për Spanjën. Mendoj se arbitri i favorizoj në këtë aspekt.