Ish-zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme Chris Patten jep alarmin se familja evropiane është në prag të shpërbërjes. Vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë të anëtarësohen në këtë organizëm politik dhe ekonomik, por ai tashmë po gjendet në një krizë të madhe identiteti.
Për këtë arsye, liderët e Unionit sipas Paten nuk duhet të mbyllin njërin sy ndaj sulmeve të qeverive të zgjedhura, mbi institucionet që mbrojnë lirinë.
Në një analizë për “Project Syndicate”, Paten shkruan se Bashkimi Evropian nuk është vetëm një bashkim doganor; por edhe një bashkim vlerash të përbashkëta.
Nëse preken këto vlera atëherë sipas ish-komisionerit të BE-së për çështjet e jashtme, Bashkimi Evropian nuk e ka të gjatë ekzistencën e tij. Nëse nuk vepron në përputhje me rrethanat, ajo do të shkërmoqet.Analiza e plotë:
Nga Chris Patten “Project Syndicate”/Në gjysmën e parë të shekullit XX-të, qytetërimi perëndimor nuk ishte shumë i civilizuar. Të drejtat e njeriut shkeleshin rëndom. Lufta klasore, shkatërroi sisteme të tëra politike. Pati konflikte të dhunshme në shkallë të gjerë, dhe shumë spastrime etnike.
Duke pasur parasysh këtë histori, perëndimorët nuk janë në gjendje të japin leksione mbi liritë civile ose vlerat humaniste.
Vlen gjithashtu të theksohet se marshimi global drejt demokracisë, që dukej pothuajse i pandalshëm pas rënies së Murit të Berlinit, tani duket se po ndryshon.
Sipas Larry Diamond, i Universitetit të Stenfordit në SHBA, disa vende që ishin demokraci në fillim të këtij shekulli, janë zhvendosur drejt sistemeve të ndryshme.
Natyrisht, vetëm zgjedhjet në vetvete nuk prodhojnë një demokraci. Kini parasysh rastet kur zgjedhjet fuqizojnë një shumicë etnike apo grupim fetar, i cili pastaj shtyp me forcë pakicat – një rezultat që është parë për shembull shumë shpesh në Ballkan.
Pastaj ka raste kur zgjedhja e një udhëheqësi, trajtohet sikur në njëfarë mënyre legjitimon shfaqjen e mëvonshme të diktaturës.
Ky është rasti i Rusisë, ku që prej fitores së parë elektorale të presidentit Vladimir Putin në vitin 2000, është bërë një demokraci butaforike. Këtë vit, një tjetër palë zgjedhje fasadë, as të lira dhe as të paanshme, do t’i japin Putinit një mandat tjetër në detyrë.
Në një demokraci të vërtetë, zgjedhjet e lira dhe të drejta plotësohen më gjerësisht nga sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, një shoqëri civile aktive dhe liria e shtypit, besimit, tubimit dhe organizimit.
Në fakt, është teorikisht e mundur – edhe pse jo me shumë gjasa – që sistemet politike t’i kenë të gjitha këto elemente edhe pa pasur fare zgjedhje.
Demokracitë varen nga softueri institucional, jo vetëm nga hardueri. Njerëzit që i bëjnë ato punë pranojnë një sërë normash, që shpesh nuk duhet të kodifikohen.
Problemi lind kur njerëzit – apo më keq, udhëheqësit e tyre – refuzojnë t’i përmbahen normave demokratike.
Kjo është ajo që po ndodh sot në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump po sfidon disa nga rregullat, normat dhe parimet themelore të demokracisë amerikane.
Trump kërcënoi (siç bënte dikur presidenti Richard Nixon), të përdorte pushtetin e tij për të shtrembëruar sundimin e ligjit dhe shënjestruar kundërshtarët e tij – më së shumti Hillary Clinton, të cilin ai e dëshironte “të burgosur”.
Ai sulmon lirinë e shtypit, duke inkurajuar përkrahësit të sulmojnë gazetarët, ndërsa përpiqet të shkatërrojë sistemin e kontrollit dhe balancës në Amerikë. Dhe ai duket se ka si përparësi më të madhe, avancimin e interesave vetjake dhe të familjes së tij, sesa ato të popullit amerikan.
Ndërsa disa pjesë të sistemit politik demokratik të Amerikës – për shembull, kontrolli gjyqësor mbi autoritetin ekzekutiv – kanë dëshmuar rezistencë, të tjerët po degradojnë.
Por Trump është pasojë e këtij shkatërrimi, dhe jo shkaku i tij. Problemi i vërtetë, është se Partia Republikane është bërë ndër vite një instrument i lobistëve dhe ekstremistëve, dhe si demokratët ashtu edhe republikanët, duket se e kanë braktisur angazhimin e tyre për të qeverisur me konsensus.
Për rrjedhojë, frenat kushtetuese që themeluesit e Amerikës krijuan për të parandaluar zgjedhjen e një personi problematik si Trump, kanë dështuar.
I nxitur nga pakënaqësia popullore, me pabarazinë në rritje, dhe me elitat që dukshëm merren vetëm me punët e tyre, sistemi politik po del nga kontrolli.
Sfidat ekonomike, së bashku me frikën nga emigracioni, kanë krijuar presione të ngjashme në Evropë, të pasqyruara tek mbështetja e konsiderueshme për partitë populiste të krahut të djathtë në zgjedhjet në Gjermani dhe Francë vitin e fundit, si dhe ngritja e “demokracisë jo liberale” në Hungari dhe Poloni.
Kundërshtimi i sulmeve të tilla mbi demokracinë, do të kërkojë që udhëheqësit politikë të tregojnë guxim dhe vizion – si presidenti francez Emmanuel Macron deri tani – në mbrojtjen e vlerave që mbështesin qeverisjen demokratike.
Në Bashkimin Evropian, kjo do të thotë se udhëheqësit nuk duhet të mbyllin njërin sy ndaj sulmeve të qeverive të zgjedhura, mbi institucionet që mbrojnë lirinë.
Zaten, BE-ja është jo vetëm një bashkim doganor; por një bashkim vlerash të përbashkëta. Nëse nuk vepron në përputhje me rrethanat, ajo do të shkërmoqet.
Pak vite të këqija që kanë përjetuar demokracitë, nuk janë arsye për të përqafuar “virtytet” e diktaturës dhe autoritarizmit. Historia dëshmon se kur bëhet fjalë për zhvillimin dhe mirëqenien njerëzore, shoqëritë që mbrojnë lirinë ekonomike dhe politike dalin në krye.
Në vitet 1930, disa admiruan autostradat e Adolf Hitlerit, dhe trenat e përpiktë të Benito Mussolinit. Por nuk ishte e qartë, se nuk ia vlenin për shkak të kostos së lartë. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën sot.
Vendi është shndërruar në një gjenerator ekonomik dekadat e fundit. Por nëse një sistem nuk mund t’i mbijetojë kontradiktës themelore – nga sfidat ligjore tek paroditë televizive – a mund të jetë vërtet aq i fortë sa pretendojnë udhëheqësit e saj?
Dhe nëse një goditje ndaj korrupsionit kryhet nga një diktaturë e korruptuar, a mund të konsiderohet vërtetë legjitime?
Krahasojeni këtë me Indinë, e cila mund ta ketë humbur garën ekonomike vitet e fundit, por ka mbetur e bashkuar që nga pavarësia, pavarësisht dallimeve të mëdha etnike, fetare dhe gjuhësore – pa pasur nevojë të krijojë një gulag-bambuje.
Kjo s’do të thotë se nuk ka mosmarrëveshje. Por, pa marrë parasysh se sa indianë kundërshtojnë sot qeverinë, autoritetet nuk po burgosin apo “zhdukin” disidentët, falë valvulave të sigurisë të ofruar nga demokracia e tyre.
Pa mekanizma të tillë, asnjë shoqëri nuk mund të vazhdojë të menaxhohet pafundësisht. Mendoj se edhe Karl Marx, nuk do të kishte kundërshtime për këtë.
Shënim: Chris Patten, ka qenë guvernatori i fundit britanik i Hong Kongut, dhe një ish-komisioner i BE-së për çështjet e jashtme, është kancelar i Universitetit të Oksfordit.
PËRSHTATI TIRANA TODAY