Ish-drejtori i Institutit të Sizmologjisë, Shyqyri Aliaj, ka folur në lidhje me situatën e krijuar në vend pas tërmetit të 26 nëntorit.
I ftuar në emisionin “Arena” në Ora News, Aliaj tha se në Shqipëri ka disa breza tërmetor, por më kryesori është tërmeti bregdetar që shkon nga Vlora, në Shkodër dhe vazhdon bregdeti Dalmat.
“Në Shqipëri ka disa breza tërmetor. Por brezi më kryesor i tërmeteve është ky bregdetar që shkon nga Vlora, në Shkodër dhe vazhdon bregdeti Dalmat. Ky është rajoni më i prekur nga tërmet dhe rrezik më të madh. Është i tillë për arsye se në detin Adriatik kanë kontakt dy pllaka. Pllaka afrikane që zhytet nën pllakën Euroaziatike, toka jonë malet, kodrat. Duke e shtypur atë krijohen sforcime në këtë zonë dhe këtu akumulohen tërmetet. Ato akumulohen për një periudhë të gjatë, e tillë që e shkatërron shkëmbin edhe pse në det”, tha ai.