Banesa e ish punonjësit të policisë, i cili u ekzekutua sot në zonën e Selitës ruhej nga kamera të shumta sigurie, pasi i druhej një atentati të mundshëm.
Pas vrasjes së dy vëllezërve të tij, ish polici Arben Bilali ishte ngujuar në banesën e tij në zonën e Selitës dhe nuk dilte shpesh.
Vëllai i parë i ish policit, Bujar Bilali është vrarë në vitin 1998, ndërsa vëllai i dytë, Leonard Balili është vrarë në vitin 2010. Për vrasjen e dy vëllezërve Bilali deri më tani s’ka asnjë të dënuar.
Dy vëllezërit e vrarë kanë edhe një vëlla të katërt, i cili gjithashtu qëndron i ngujuar nga frika e vrasjes.
E gjithë kjo çështje dyshohet se është një histori hakmarrje e nisur prej 20 vitesh, por po hetohet nga SHÇBA edhe pista e vrasjes për shkak të detyrës.
Ish punonjësi i policisë udhëtonte me mjetin tip ‘Honday’ me targa AA867HX kur është qëlluar për vdekje me disa plumba nga persona ende të paidentifikuar. Ai ishte ulur në sediljen e pasme të mjetit dhe ka marrë plagë në kokë dhe në trup.