Lëvizja Socialiste për Integrim tregon shenja përçarje tani në opozitë. Krisjet kanë nisur mes Kryemadhit dhe disa deputetëve, të cilët nuk janë të kënaqur me partinë.
Deputetët e pa kënaqur janë pikërisht dhe ata që kanë qenë ish-ministra në qeverinë Rama 1, në kohën kur LSI dhe PS ishin në bashkëqeverisje.
Në kërkesën që LSI i dërgoi Kuvendit për përjashtimin nga seancat të kryeministrit Edi Rama vihet re dhe mungesa e firmave të tre ish-ministrave.
LSI kërkon dënimi i Ramës, pasi kryeministri citohet të ketë thënë:
“Nuk mund dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë dhe për më tepër pastaj jo po… shiko këtu se do të ngrihen këta, do të ngrihen ata, kjo e ngritjes është “Thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokëulur, s’të përgjigjet dot”.
Por, kërkesa e LSI-së për dënimin e kryeministrit Edi Rama nuk është firmosur nga të gjithë deputetët e kësaj partie.
Bie në sy se tre prej tyre, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti dhe Nasip Naço nuk kanë firmosur për dënimin e Ramës.
Edhe një ditë më parë, në LSI pati kundërshti ndaj urdhërave të Monika Kryemadhit.
Deputeti i Fierit, Robert Bitri, tha se nuk do i bindet vendimit për mosbindje civile, ndërkohë që Edmond Haxhinasto, ndryshe nga deputetët e tjerë të opozitës, ka marrë pjesë në Komisionin e Ekonomisë.