I dashur Artan, kjo është një letër e pazakontë, kur nga bota e të gjallëve i shkruhet dikujt në botës e përtejme; pa adresë, pa emër qyteti, lagjeje, rruge… Një i gjallë po i shkruan një të vdekuri… Unë vendosa të të shkruaj ty, kur ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja jote. Ti ke zënë vend në panteonin e përjetshëm dhe siç thonë librat e shenjtë, heronjtë zënë vend të merituar pas shenjtorëve në atë botë. Sakrifikove shumë për ligjin, Artan, dhurove gjithçka për rendin në këtë vend me plot halle e derte; njerëz si ti ishin të rrallë, por njerëz si ti ngjallnin besimin për një të ardhme më të sigurt, më të mirë.
Sa shpresa kishim, Artan, sa ëndrra, të cilat janë tretur e janë harruar tashmë. Unë, si ish-shoku dhe kolegu yt, dua të të njoftoj me anën e kësaj letre se çfarë çudirash ndodhin në vendin tënd, në vendin tim, para dhe pas një Vetingu, para dhe pas një reforme, para dhe pas një ëndrre, para dhe pas një shprese…
Ti e mban mend, i dashuri ynë, kur në vitin 2015, njëri nga vëllezërit Habilaj, i revoltuar hakmerrej në televizor se ti e kishe akuzuar kur punoje si drejtor Policie në Vlorë. E kishe akuzuar për pengmarrje “me të pa drejtë”, sepse ti nuk u bëre palë me të, nuk u bëre mik me të, nuk bashkëjetove me krimin, nuk mund të bëje marrëveshje me të, aq më tepër kompromise. Vendi kishte dhe ka nevojë jo për Habilajt, as për Balilajt, as për trafikantët dhe grupet e organizuara që bashkëqeverisin me pushtetin, vendi kishte dhe ka nevojë për njerëz si ti Artan, të përkushtuar, të vendosur, vetëm në anën e ligjit dhe të njerëzve të thjeshtë e hallexhinj të vendit tim, të vendit tënd.
Pikërisht këta, Habilajt, Balilajt e bashkëpunëtorët e tyre në të gjitha qytetet e vendit, bëjnë ligjin dhe vendosin tashmë për çdo gjë. Duhet ta dish se këta Habilajt tashmë janë dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe se ti “nuk u paske rënë në qafë kot”. Janë dënuar në Itali, sepse këtu nuk mund të arrestohen e dënohen. Atëherë, kushëriri i Habilajve, Samir Tahiri, ishte Ministër i Brendshëm me plot fuqi, sikurse atëherë kur të largoi nga Policia me motivacione e argumente qesharake, siç ndodhi me shumë drejtues e specialistë të tjerë të përkushtuar, që kishin dhënë gjithçka nga vetja e tyre për sigurinë e qytetarëve në këtë vend.
Kjo bota jonë e të gjallëve kështu e paska, i dashuri im. Është për të ardhur keq, por realiteti që le pas, vazhdon, disi më i kamufluar, por më i rrezikshëm, më i egër. Rreth dy javë pasi ministri Tahiri u detyrua të largohej nga detyra, ty të vranë mu pranë shtëpisë tënde. E çfarë nuk u tha, çfarë nuk u zhbë, në media, në rrugë, në kafene, në sallone zyrash, në shkresa burokratësh për ty, miku im!
Çështjen e vrasjes tënde të pabesë, ta regjistruan në Prokurori për gjakmarrje a hakmarrje, kush e mori vesh, e dinë vetëm paskuintat e salloneve të zyrave të shtetit tim, të shtetit tënd, sikur ti nuk kishe punuar e sakrifikuar asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë, sikur ti e njerëz si ti do të përfundonin në prita cubash e kriminelësh të panginjur, si tribu, pa shtet, pa rend, pa ligj.
Për atentatin ndaj teje punuan disa oficerë shumë të përkushtuar, që meritojnë falënderime e mirënjohje, jo vetëm nga miqtë, kolegët e familjarët e tu, por nga gjithë shoqëria. Ata i zbuluan dy armët e krimit makabër kundër teje, dy armë që u zbrazën atë natë të zezë; u zbuluan gëzhojat, një bluzë e atentatorit që e kishte hedhur në një kosh plehrash… U analizuan kampionet e ADN-së së gjetur në bluzën e autorit në një laborator kriminalistik në Zvicër dhe kjo provë shkencore vërtetoi katërçipërisht emrin atentatorit tënd.
U angazhuan kolegë gjermanë e italianë, kërkuan në Gjermani, në Itali e kudo, ku kishte bredhur ky vrasës ordiner. Ata e vlerësojnë dhe e dinë se ç’është të vrasësh një drejtor Policie! Së fundmi, ai u kap dhe e arrestuan. E arrestuan me prova të pakundërshtueshme, me akte ekspertimi shkencor, biologjik e balistik, me pamje të kamerave që tregonin lëvizjet e atentatorit mbrëmjen e ngjarjes, u ndërtua më së miri nga ish-kolegët e tu të pakët, që kanë ideal misionin e tyre fisnik, mbrojtjen e ligjit dhe rendit kushtetues, ndërtuan pra mekanizmin e asaj ngjarjeje makabre. U mbajt atentatori në hetim rreth një vit e dy muaj nga Prokuroria.
Kanë shkruar gazetat, mbushën faqe të tëra me interpretime e analiza e unë s’para i lexoja versionet pa fund e pa krye që shfaqeshin në faqet e tyre dita-ditës. Isha i neveritur. Por dua të dish që disa nga gazetarët më të mirë të kronikës, më të spikaturit, realistët, kurajozët, nuk kanë hedhur baltë mbi ty, ishin në anën tënde dhe besonin në atë çka rezultoi në fund të hetimeve. Të kishin njohur mirë, Artan. Këto ditë mësova nga bota jonë e të gjallëve se atentatori paska bërë një marrëveshje! Qenka dënuar me 10 vjet burg! (Ligji penal e kërkon nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm).
U trondita shumë, po ashtu dhe familjarët e tu dhe gjithkush që të ka njohur. Familja e atentatorit që të mori jetën, është marrë në mbrojtje dhe gjithçka ia siguron shteti. Kështu e thënka ligji, Artan! Ti e din, ligji është ligj e duhet zbatuar! Këtë marrëveshje e parashikoka Kodi i Ri i Procedurës Penale; paketë e re e Reformës në Drejtësi! Thonë me të madhe çdo ditë se këtë reformë e kanë udhëhequr amerikanët! Nuk kam dëgjuar kurrë që të vritet një drejtor Policie në Amerikë e autori të mos dënohet me vdekje! Askush nuk foli për rastin tënd, e ka parashikuar ky ligji i ri dhe pikë.
Më thanë, gjithashtu, se nuk ka seancë tjetër gjyqësore, as ankimim, as rishqyrtim. Është një vendim i formës së prerë, i marrë në një seancë të vetme gjyqësore, me marrëveshje! Gjithçka që themi tani është e kotë. Familjarët e atentatorit mund të jenë në plazh. E ka detyrim shteti t’u sigurojë jetën normale, me roje që paguhen po nga shteti dhe me të gjitha kushtet e një jete normale, të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, sepse familjari i tyre ka vrarë një drejtor Policie dhe për 10 vjet i bie të dalë nga burgu! Mund të dalë dhe për 5 ose 6 vjet për sjellje të mira! E parashikon ligji, Artan!
Është dënuar me marrëveshje pas kuintave! Familja jote nuk është e siguruar as me roje, as me të ardhura nga shteti dhe pensioni qesharak që iu takon fëmijëve, shpresoj të dalë, por akoma nuk është realizuar se ashtu janë procedurat, ç’të bësh! Kështu thotë ligji! Në labirintet e shtetit tim nuk mund të dalë në krye të së drejtës i ndershmi; del krimi, krimineli, dreqi dhe i biri! Artan, të gjithë ish-kolegët e tu janë në ankth me këtë precedent, pasi gjithkush që mund të ketë fatin tënd (qoftë larg!) po prej cubash në prita e pusi, e pikërisht për shkak të detyrës (mos ndodhtë kurrë më!), do ketë fatin tënd dhe të familjes tënde!
Kur u vrave ti, i dashuri dhe i paharruari ynë, Kryeministri i vendit nuk e tha asnjë fjalë, as në ceremoninë mortore, as kur u dha versioni zyrtar që ishe vrarë për shkak të detyrës si drejtor i Policisë Vlorë, e jo për “gjakmarrje” apo “hakmarrje” e as tani që atentatori u dënua me 10 vjet burg dhe as para ca ditësh që ishte në Lurë, aty pranë shtëpisë tënde në një dëgjesë publike për punët e “mëdha” të vendit që vetëm i reklamon, por kurrë nuk i bën. E prapë heshtje varri nga Kryeministri i vendit tim, i vendit tënd! Asnjë fjalë, Artan! Qëmoti, kur nuk kishte shtet dhe ligj, nëse vritej një shërbëtor i një agai, hakun nuk ia merrnin familjarët, por agai, për të cilin punonte shërbyesi.
Dhe ti ishte një shërbëtor i shtetit e hakun ta mori shteti(!), ta mori me marrëveshje, Artan! Në marrëveshje me vrasësin! Një marrëveshje e turpshme, kapitulluese, shokuese për mbarë opinionin publik, për botën e të gjallëve dhe të vdekurve bashkë. Atentatori, kam mësuar se ka bërë më parë një marrëveshje për të të vrarë ty, marrëveshje kundrejt shpërblimit me para. Tashmë ka bërë një tjetër marrëveshje me prokurorin, për të shpëtuar me 10 vjet burg për veprën penale makabre që kreu, duke të të vrarë. Ti Artan nuk bëje marrëveshje, ndaj e pësove.
Atentatori nuk u paraqit vetë në Polici ose Prokurori, për të treguar se ai ishte autori i vrasjes, të paraqiste pendesë dhe të kërkonte mëshirë. Jo, ai mezi u identifikua nga provat shkencore, mezi u vërtetua mekanizmi i vrasjes, mezi u arrestua e pas një viti kërkoi këtë marrëveshje turpi me shtetin, me Prokurorin që ka prokurën e shtetit për të mbrojtur interesat e tua dhe të fëmijëve tu. Kjo marrëveshje ishte e diktuar nga krimineli, e imponuar prej tij dhe ia arriti.
Familjarët e tij tashmë janë të sigurt nën mbrojtjen e shtetit, ndërsa familjarët e tu nuk kanë asnjë mbrojtje e asnjë ndihmë nga shteti, as fëmijët nuk gëzojnë të paktën pensionin tënd, siç e parashikon ligji. Ky është precedent që demoralizon, demotivon punën e strukturave të Policisë dhe nxit dhe jep siguri krimit dhe kriminelëve. Mos u çudit, Artan, dhe autori që vrau 4 oficerë Policie në vitin 2009, akoma është në proces gjykimi…
Po bëhen 10 vjet (një dekadë, Artan!) dhe akoma s’ka folur përfundimisht drejtësia. Mblidhen e derdhen togat e zeza, shtyjnë e pështyjnë njerëzit e ligjit, dridhen e përdridhen korifenjtë e drejtësisë së vendit tim, të vendit tënd! Kjo nuk ndodh askund në botë, por këtu te ne ka procedura e ato duhen zbatuar! Është bërë shtet, Artan. Kanë dalë e janë liruar nga burgu shumë persona të dënuar me burg të përjetshëm e dënime të rënda, e janë rehabilituar.
Tashmë merren me biznes, me kanabis, me kokainë, me zgjedhje dhe fushata zgjedhore, me punësime në administratë, emërojnë drejtorë hipotekash, drejtorë doganash, tatimesh, edhe zëvendësministra e ministra! Janë punëmbaruar ata, Artan, se bëjnë marrëveshje. Po të kishe bërë marrëveshje, ti do të ishe në detyrë sot dhe fëmijët s’do ishin jetim në mëshirën e fatit. Ka filluar Vetingu për të gjithë punonjësit e Policisë dhe janë në një ankth të madh.
Kjo ka marrë një rëndësi të madhe pasi iniciatori, drejtuesi dhe frymëzuesi i këtij procesi, është vetë ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, udhëheqësi i Reformës historike në Drejtësi! Sikur është stopuar pak ky proces, se ka dalë një “problem i vogël”, krejt i parëndësishëm! Saimiri, ish-ministri, është nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa Fatmirit i ka rezultuar vëllai i dënuar nga Gjykata e Lartë Italiane me 7.2 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Nuk di, Artan, se si do shkojë kjo punë! Nëse një punonjësi Policie i gjejnë një foto ose takim të papërshtatshëm me një trafikant, si p.sh. me vëllain e Fatmirit, automatikisht duhet të largohet nga detyra. Kështu thotë një nga pikat e formularit 40 faqesh të Vetingut. Kanë vendosur procedura strikte, ndaj janë në ankth të gjithë punonjësit e Policisë, s’kanë faj, ligji është ligj e procedurat procedura! Kështu bëhet shtet! Vetingu në drejtësi vazhdon. Për një vit e kanë përfunduar Vetingun, ndoshta 10 gjyqtarë e prokurorë. E po vazhdoi me këto ritme, duhen 8 dekada që të shikojmë drejtësinë tonë “të vetinguar” plotësisht!
E Kryeministri e ka refren përfundimin e plotë të Vetingut! Prokurori që bëri marrëveshjen me atentatorin tënd, do shkojë para komisionit të Vetingut dhe do krenohet me rastin tënd, sepse, së pari, ka zbuluar vrasjen e një drejtori Policie dhe, së dyti, është implemntuesi i dispozitave të Reformës së re në Drejtësi! Sigurisht, do ketë përparësi, pa dyshim që do vlerësohet nga komisioni i Vetingut! Kemi mësuar në histori se burrat e shtetit e të nderit, me sjellje dhe emër të mirë, kanë bërë marrëveshje të ndritura në interes të kombeve e shoqërive që ju përkasin dhe mbahen mend në shekuj. Kjo marrëveshje turpi e prokurorit të shtetit tonë është e paimagjinueshme, e pakonceptueshme dhe krejt e pandershme për ata që i bëjnë dhe për shoqërinë që pranon këto turpe në emër të shtetit dhe të ligjit.
Vdekatarë jemi të gjithë në këtë botë, por kur ikën në atë botë me nder, prosperitet e dinjitet, të gjallët kanë ç’të thonë, kanë ç’të shkruajnë, kanë ç’të kujtojnë. Ti e mbylle me nder dhe ne shpresojmë të mos turpërohemi, Artan, deri sa të kemi frymën e deri sa të vijmë atje, në botën e paqtë. Thonë se burri ka kohë të turpërohet edhe pak sekonda para vdekjes. Këto soj burra shtetarësh që na drejtojnë sot, nuk e kanë këtë merak Artan.
Letër e shkruar nga Ahmet Prençi për të ndjerin Artan Cuku