Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshminë e panjohur të kolonelit Elami Hado, i cili pasi u diplomua me medalje ari në Akademinë Ushtarake “Frunze” të Bashkimit Sovjetik, shërbeu më pas si atashe ushtarak në Kinë dhe konsiderohej si një nga teoricienët më të famshëm të ushtrisë shqiptare. E vërteta rreth të ashtuquajturave “Tezat e zeza”, intrigat dhe injoranca e Enverit për të, shkak të së cilave e futën në konflikt Mehmet Shehu me Beqir Ballukun që në vitin 1966 dhe urdhëri i Enverit që Elami Hado të arrestohej në mënyrë demonstrative në sallën e mbledhjeve të Shtëpisë Qëndrore të Ushtarakëve bashkë me kolonel Dilaver Radëshin…
Atë natë që u bë mbledhja, mua më mori në telefon Hito Çako e më tha që t’i çoja urgjent materialin, pasi e donte shoku Enver. Unë ia çova atë Hitos dhe ai më tha se të nesërmen do bëhej një mbledhje me oficerët e Garnizonit të Tiranës, e më porositi që unë duhej të merrja me vete edhe Dilaver Radëshin, pasi e kisha vartës. Ne shkuam në atë mbledhje që do ta drejtonte Hitoja dhe pak para se të fillonte ajo, aty erdhi edhe Beqir Balluku, i cili, pasi bisedoi për rreth 10 minuta me Hiton, u largua. Ndërsa zhvillohej mbledhja, ku u kritikua shumë Dilaveri, Prokurorit të Ushtrisë, i cili priste me padurim që ta arrestonte Dilaverin, Hitoja i tha: “Prit të mbarojë mbledhja”. Në ato çaste edhe unë prisja se kur po më arrestonin, pasi isha shefi i Dilaverit. Se si munda të shpëtoja nga prangat, e mësova disa ditë më vonë në zyrën e Beqir Ballukut, ku Hito Çako më tregoi, se Enveri kishte urdhëruar për arrestimin tim dhe të Dilaverit, për të na bërë shembull në ushtri. Por Beqiri ia kishte mbushur mëndjen Enverit për të më falur mua, kurse për Dilaverin nuk kishte mundur”. Kështu e kujtonte atë ngjarje të largët të vitit 1966 koloneli në pension Elami Hado, një nga teoricienët ushtarakë më të përgatitur të ushtrisë shqiptare,i diplomuar me medalje ari në akademinë “Frunze” të Bashkimit Sovjetik, i cili kishte shërbyer për katër vjet edhe si atashe ushtarak i Shqipërisë në Kinë. Në intervistën që Memorie.al po publikon më poshtë në këtë shkrim, përveç historisë së asaj ngjarjeje të largët që i ndryshoi atij rrjedhën e jetës, kolonel Elami Hado tregonte edhe zanafillën e konfliktit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu me ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku, që erdhi si rezultat i intrigave të Enver Hoxhës.
Zoti Elami, si është e vërteta e “Tezave të mbrojtjes”, apo siç janë njohur ndryshe, “tezat e zeza”, me etiketimin që i bëri Enver Hoxha në 1974-ën?
Historia e atyre tezave që u goditën në vitin 1974 nga Enver Hoxha duke u quajtur “teza të zeza”, e ka zanafillën që në vitin 1966. Në shkurtin e ’66-ës, kur unë punoja si pedagog pranë akademisë ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku na thërriti në zyrë mua së bashku me dy gjeneralët e njohur, Vaskë Gjino e Spiro Shalësi, dhe na komunikoi një porosi të Enver Hoxhës, e cila kishte të bënte me rregulloret, tekstet, botimet e gjithë literaturën tjetër që ne kishim të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Ministri Balluku na bëri të ditur se e gjitha ajo literaturë që ne kishim trashëguar nga sovjetikët, nuk vlente më dhe ne duhej të përgatiteshim për të bërë të rejat me forcat tona. Ai na tha: “Ju jeni grupi i punës, lërini të gjitha punët e tjera që keni dhe do të merreni me hartimin e përpilimin e bazave teorike dhe tezave të Artit Ushtarak të Luftës Popullore. Sipas porosisë që kam nga Enver Hoxha, në të gjitha ato ju do të keni parasysh që baza të jetë eksperienca e luftës partizane”.
Ajo ide, pra që ushtria shqiptare të kishte literaturën e vet, pa ndikime si dikur nga jugosllavët apo sovjetikët, hidhej për herë të parë?
Për hir të së vërtetës, desha të them se atë që na komunikoi Beqir Balluku me porosinë e Enverit, unë e kisha hedhur si ide që në vitin 1960, kur isha caktuar për ngritjen e Akademisë Ushtarake në Tiranë. Por në atë kohë mua nuk më mbështeti njeri. “Ne i kemi, pse të bëjmë të tjera”, më thanë atëherë.
A mund të realizohej në atë kohë ajo që kërkonte Enver Hoxha, pra bërja e literaturës ushtarake nga ana juaj?
Në atë kohë ne nuk dinim t’i bënim ato gjëra që na kërkoheshin, pasi nuk kishim asnjë bazë teorike. Nisur nga fakti se unë personalisht e kisha detyrë funksionale atë gjë, pra hartimin e literaturës ushtarake, i thashë Beqir Ballukut: “Nuk mund të mbështetemi dot te lufta partizane që bëmë dikur, pasi ajo ishte një kryengritje. Tani neve na takon të mbrojmë Shqipërinë; është diçka ndryshe, dikur luftuam, tani do mbrojmë”.
Si e priti Beqiri kundërshtimin tuaj?
Beqiri ma aprovoi atë që i propozova unë, e na tha: “Kështu është”. Duke parë reagimin pozitiv të Beqirit, unë i thashë që t’i sugjerohej Enverit ajo gjë, se ndryshe do të na dilte punë shumë e madhe e me probleme. Pas kësaj Beqiri shtoi: “Bëjeni si duhet bërë dhe pastaj shohim e bëjmë. Futeni eksperiencën e Luftës Nacionalçlirimtare që të mos dalë se e kemi injoruar atë gjë”. Unë e mendova se Beqiri kishte frikë t’ia thoshte Enverit ato propozime, por nuk ishte ashtu. Nga sa mora vesh më vonë, Beqiri jo se kishte frikë, por ai nuk ia thoshte ato Enverit, pasi Enveri nuk merrte vesh fare nga ato gjëra.
Gjatë punës suaj, a e futët në literaturë atë që më vonë u quajt si “Teoria e rrëshqitjes”, për të cilën u akuzuan dhe u goditën Beqir Balluku me ushtarakët e tjerë madhorë?
Gjatë punës sonë doli edhe “Teoria e rrëshqitjes”, e cila faktikisht ishte e njohur për ne edhe më parë, por jo në përdorim të përditshëm. Unë e aplikova atë teori me koshiencë të plotë në literaturën që po hartonim, pasi dihej shumë mirë se kur armiku ishte më superior, ne duhej të tërhiqeshim, pasi ndryshe do vriteshim të gjithë. Por në atë kohë tërheqja nuk pranohej, pasi në rregulloret, tekstet e gjithë literaturën tjetër ushtarake që ishte në përdorim, thuhej se: “Ushtria shqiptare është në gjendje t’i bëjë ballë çfarëdolloj armiku apo koalicioni armiqsh, si nga Traktati i Varshavës apo nga NATO, dhe të dalë fitimtar mbi ta”. Ky ishte një budallallëk i madh, por kush mund ta thoshte dot në atë kohë, se të ikte koka. Por e mira ishte që ne të luftonim sa të kishim mundësi dhe më pas të tërhiqeshim për t’u futur në prapavijat e armikut. Kjo gjë ishte në thelb të atyre që kisha parasysh unë kur hartova “Teorinë e rrëshqitjes”, gjë të cilën Vaskë Gjino e kuptonte mjaft mirë. Për atë gjë iu mbush mendja edhe Beqirit. Pasi kishim mbaruar përgatitjen e literaturës ushtarake, i gjithë materiali u shtyp dhe iu shpërnda të gjithë kuadrove kryesorë të ushtrisë, me qëllim që ata ta shikonin dhe të bënin vërejtjet e nevojshme. Por, para se të shpërndahej ai material, Beqiri na tha: “T’i japim edhe një kopje shokut Enver e t’i marrim mendim edhe atij”.
Po kryeministrit Mehmet Shehu, nuk i dhatë asnjë kopje, kur dihej fakti se ai konsiderohej si një ushtarak i zoti?
Këtë gjë desha të shpjegoj. Kur Enveri ngarkoi Beqir Ballukun për hartimin e tezave të mbrojtjes, menjëherë ra në sy mënjanimi që ai i bëri Mehmet Shehut dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dumes. Realisht, ajo gjë i takonte Petrit Dumes.
Pasi i dhatë një kopje të materialit të përgatitur Enver Hoxhës, cili ishte vlerësimi i tij, a ju tha gjë ai?
Pas 6 ditësh mua më thirri në zyrë Beqiri dhe më tha: “Na këtë material, zbardhe, sepse do t’ua dërgojmë kuadrove”. Kur shkova në zyrën time, e pashë se ai material ishte prishur e ndryshuar i tëri, duke i vënë kryqe me laps të kuq.
Kush e kishte bërë atë gjë?
Si duket ose Enveri ose Mehmeti, njëri prej atyre të dyve, nuk kishte tjetër kush ta bënte. Kur e pashë atë, shkova përsëri te Beqiri dhe i thashë se ai material nuk ishte yni. Beqiri më tha: “Shpërndaje, se nuk të pyet njeri ty”. Unë e kuptova se atë e kishin urdhëruar.
Çfarë ndodhi pasi e shpërndatë atë material?
U bë mbledhja në Durrës dhe me të drejtë aty u bënë vërejtje. Si pasojë, ai u rrëzua tërësisht. Pas kësaj u dha urdhër që ai material të mblidhej i gjithi dhe të digjej.
Si mundej të kritikohej ai material që kishte dalë nga zyra e Enver Hoxhës?
Materiali u kritikua se të gjithë ushtarakët e lartë e dinin se e kisha bërë unë, se po ta dinin që ai kishte dalë nga zyra e Enverit, ata nuk flisnin fare. Asnjë nga ushtarakët nuk e dinte se me atë material ishte marrë edhe Beqiri. Unë i thashë Beqirit që të mblidheshim në ministri dhe të bënim konkluzionet e mbledhjes së Durrësit, e të nxirrnim atë se pse kishte dështuar ai material. I thashë këtë gjë, pasi në Durrës u kritikua materiali dhe jo unë me emër. Beqiri më tha: “Mbylle këtë punë”. Por, ndërsa unë ngula këmbë duke i thënë se ajo gjë më mbetej mua, ai m’u përgjigj: “Lëre atë gjë, mos e zgjat më shumë, e dimë”. Ndërsa unë vazhdoja në timen, ai më tha: “Ore, ti kërkon të gjesh të vërtetën”. Me ato fjalë Beqiri sa nuk ma tha hapur se ai material ishte i Enverit. Me një fjalë, unë duhej të mbyllja gojën, se nuk e luftoja dot Enverin. Por edhe pas atyre fjalëve me nëntekst fare të qartë, unë i thashë Beqirit se atë gjë do ta ngrija në organizatën e Partisë, pasi nuk e mbaja dot.
Çfarë ju tha Beqiri?
Beqiri me keqardhje më tha: “Do t’i bësh dëm kokës tënde. Në rast se e ngre në organizatë, mos dil jashtë ministrisë me kritika, por na kritiko ne”. Me një fjalë, Beqiri thoshte që të mos merrej vesh se atë material e kishte parë dhe miratuar Enveri. Unë iu përmbajta asaj çka më tha Beqiri, duke kritikuar në organizatë atë dhe Petrit Dumen, i cili nuk kishte faj fare. Aty në atë mbledhje u bë sherr i madh dhe unë bëra duel vetëm me Petritin, pasi të tjerët nuk flisnin fare. I vetmi që më mbrojti në mbledhje, ishte kolonel Dilaver Radëshi, i cili i tha Petritit: “Ju Petrit, keni frikë nga populli dhe prandaj merrni me vete një batalion me ushtarë kur dilni nga zyrat”. Pas kësaj u bë skandal i madh dhe mbledhja u mbyll. Pas mbledhjes unë u zura edhe me Vaskë Gjinon, duke e pyetur se përse nuk foli, dhe ai më tha: “Ore, pse ne do t’i rregullojmë këto punë, peshku është qelbur nga koka”. Nga ana e udhëheqjes ajo mbledhje u konsiderua si kryengritje në Shtabin e Përgjithshëm dhe shkaktari u cilësova unë, pasi e kisha vartës direkt Dilaverin.
Çfarë ndodhi më pas me ju të dy?
U bë mbledhja e komunistëve të ministrisë, ku u vendos që Dilaveri të çmobilizohej nga ushtria dhe të shkonte punëtor në minierën e Memaliajt, kurse mua nuk më zunë fare në gojë, duke më lënë vetëm me një vërejtje në Parti.
Si mundët të shpëtonit ju me një vërejtje, kur ishit autori kryesor i asaj që po ndodhte?
Se si shpëtova unë e mora vesh më vonë, por po jua shpjegoj sipas kronologjisë së ngjarjeve që ndodhën në atë kohë. Atë natë që u bë mbledhja, mua më mori në telefon Hito Çako e më tha që t’i çoja urgjent materialin, se e donte shoku Enver. Unë ia çova atë Hitos dhe ai më tha se të nesërmen do bëhej një mbledhje me oficerët e Garnizonit të Tiranës, e më porositi që unë duhej të merrja me vete edhe Dilaverin, pasi e kisha vartës. Ne shkuam në atë mbledhje që do ta drejtonte Hitoja dhe pak para se të fillonte ajo, aty erdhi edhe Beqir Balluku, i cili, pasi bisedoi për rreth 10 minuta me Hiton, u largua. Ndërsa zhvillohej mbledhja, ku u kritikua shumë Dilaveri, Prokurorit të Ushtrisë, i cili priste që ta arrestonte, Hitoja i tha: “Prit të mbarojë mbledhja”. Në ato çaste edhe unë prisja se kur po më arrestonin, pasi isha shefi i Dilaverit.
Po juve, nuk ju kritikuan fare në atë mbledhje?
Po, njëri nga salla tha: “U kritikua Dilaveri, por duhet parë Elamiu, se ai është koka”. Por atij ia preu fjalën Hito Çako, duke më marrë në mbrojtje mua. Pas kësaj mbledhja u mbyll dhe të nesërmen mua më thërriti Petrit Dume në zyrë, ku më komunikoi masën që ishte marrë për të më çuar gjashtë muaj për edukim në brigadën e xhenios të Rrëshenit.
Si shpëtuat ju pa u arrestuar?
Këtë gjë unë e mësova disa kohë më vonë, kur shkova në zyrën e Beqir Ballukut për t’i kërkuar atij lirimin nga ushtria. Hito Çako ma tregoi me gojën e tij gjithë sa kishte ndodhur që unë shpëtova pa u arrestuar. Kështu, kur më mori Hito Çako në telefon për materialin që ia çoi më pas Enverit, ky, pra Enveri, i kishte thënë: “Elamiu e Dilaveri të arrestohen e të bëhen shembull, se po kritikojnë hapur udhëheqjen e ushtrisë, e na mori lumi”. Po kështu, Hito më tha se kur kishte ardhur Beqiri para mbledhjes, i kishte thënë atij se ia kishte mbushur mendjen Enverit për të mos më arrestuar mua, kurse për Dilaverin nuk kishte mundur dot.
Po me “Tezat e mbrojtjes” ç’u bë?
Pas dështimit të tezave që kishim përgatitur ne, Mehmet Shehu nxori tezat e veta, duke thënë: “Ushtria nuk ka bërë gjë, unë i bëra për tre muaj tezat e Artit Ushtarak Popullor”. Mehmeti e bëri me qëllim prishjen e materialit me tezat që kishim bërë ne, në mënyrë që të godiste Beqirin, pasi si duket u bë xheloz për faktin se Enveri e mënjanoi atë nga ajo punë, duke ia besuar Beqirit.
Po me ju çfarë ndodhi më pas?
Pas dënimit të Dilaverit me burg në vitin 1966, mua më çuan pedagog në Akademinë Ushtarake për kursin e lartë të oficerëve të Shtabit të Përgjithshëm. Kur isha aty duhej të zbatoja tezat e Mehmet Shehut (“Teorinë e kalimit”) si materiale plotësuese të “Tezave të mbrojtjes”. Kjo ishte një teori disfatiste dhe unë i dola kundër, duke e argumentuar, dhe propozova të hiqej nga programi, por nuk ia mbante njeriu që ta hiqte. Sidoqoftë, unë ngula këmbë dhe nuk pranova ta bëja atë leksion me tezën e Mehmetit, të cilin e bëri më pas gjeneral Koli Mborja.
Për çfarë e kundërshtonit ju teorinë që kishte bërë Mehmeti?
Unë isha kundër metodës së fortifikimit, e cila bëhej me metodën e Luftës së Parë Botërore, pasi ajo nuk u rezistonte dot armëve të reja që kishin dalë, dhe bunkerët i kisha quajtur “kërpudha të Mehmet Shehut që dekonspironin planin e mbrojtjes”. Në një rast aty në kursin e lartë të Shtabit të Përgjithshëm ishte dhe Veli Llakaj, i cili mori si temë diplome “Teorinë e Kalimit” të Mehmet Shehut. Kur ai më kërkoi ta ndihmoja, unë i thashë të merrte temë tjetër, por ai tha se atë gjë ia kishin ngarkuar. Pas kësaj unë i thashë: “Vazhdo, se nuk të ndihmoj dot”. Të gjitha këto i kishin shkuar në vesh Mehmetit, i cili disa vjet më vonë, në korrikun e vitit 1974, gjeti rastin dhe u hakmor ndaj meje.
Si konkretisht?
Në atë kohë, pra në korrikun e 1974-s, sa doli nga mbledhja e Pleniumit të Komitetit Qendror të PPSH-së ku ishte goditur Beqir Balluku, Mehmeti erdhi në Akademinë Ushtarake ku po ndaheshin diplomat. Kur nuk më pa në presidium, ai pyeti: “Ku është Elami Hado?”. Unë u ngrita në këmbë dhe iu përgjigja: “Këtu jam”. Ai më tha: “Ti je teoricien, por je teoricien i disfatës” dhe foli shumë kundër meje. Ai “teorinë e kalimit” ma hidhte mua si “teori rrëshqitjeje”, por unë i thashë se ato gjëra nuk mund të zgjidheshin aty. Ndërkaq, ai vazhdoi duke thënë: “Këto gjëra janë fare të qarta” dhe doli me tezat e fortifikimit, duke marrë si shembull luftën ndërmjet Finlandës e Bashkimit Sovjetik, dhe lavdëronte fortifikatat e Finlandës. Pas disa ditësh u bë mbledhja e organizatës së partisë, gjatë së cilës mua më përjashtuan nga Partia e më çmobilizuan edhe nga ushtria. Disa ditë më vonë, në Pleniumin e gjashtë të K.Q. të PPSH-së, në korrik 1974 (pas goditjes tjetër përfundimtare që u bë ndaj Beqir Ballukut), mua më quajtën komplotist dhe u vendos të internohesha në Shkodër. Pas gjashtë vjet internimi aty në Vaun e Dejës, më 1980-ën mua më arrestuan dhe më dënuan me dhjetë vjet burg politik, të cilin e vuajta kryesisht në Ballsh e Burrel. Gjatë kontrollit të shtëpisë mua më gjetën edhe një bllok shënimesh, ku ndër të tjera kisha shkruar: “Diktatura e proletariatit ka degjeneruar dhe është kundër proletariatit, pasi lufta e klasave është kthyer në një betejë për kolltuqe”./Memorie.al