Priteshe që të ishte një derbi i kujdesshëm, por në të vërtetë u kthye në të mërzitshëm. Milan dhe Inter luftojnë për një vend në Champions League dhe me një rezultat të bardhë pa gola, të fituar dolën zikaltërit. Këta të fundit ruajnë vendin e katërt dhe distancën prej 8 pikësh nga Milani, kur mbeten për tu luajtur edhe 8 ndeshje.
VAR-i u bë protagonist në pjesën e parë, ku Icardi shënon një gol mjaft të bukur. Ishte Candreva që vertikalizoi mjaft mirë dhe bomberi argjentinas nuk gabon i vetëm përballë Donnarummës. Edhe pse arbitri fillimisht e quan gol të rregullt, pamjet filmike treguan se kapiteni i Inter ishte në pozicion jashtë loje dhe goli u anulua.
Në fillimin e pjesës së dytë, Icardi, që kishte shënuar tra gola në derbin e fazës së parë, humbi një rast të pabesueshëm duke e nxjerrë topin jashtë kuadratit, pavarësisht se ishte i vetëm me portën e boshatisur, pesë metra larg portës.
Përgjigja e Milan erdhi me një tjetër gol të anuluar, këtë herë të firmosur nga Cutrone me roveshatë, por edhe qendërsulmuesi i Milan ishte në pozicion jashtë loje. Por më pas të dy skuadrat luanin më të tërhequra dhe dukej sikur po mendonin për një barazim 0-0 në :San Siro”. Në fundin e takimit ishte Interi që kërkoi më shumë fitoren, por ishin të pafat në rastet e shumta që krijuan dhe ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura. Ky ishte derbi numër 168 për Serie A, ku Inter kryeson 62-51 me fitore.
Në ndeshjet e tjera të luajtur në pasdite e Serie A fituan ekipet vendase. Torino arriti fitoren e dytë radhazi me katër gola të shënuar 4-1, duke mposhtur Crotone, me tre gola të “firmosur” nga Andrea Belotti. Benevento mposhti Verona, ndërsa Chievo-Sassuolo u mbyll 1-1, kur miqtë ishin me 9 lojtarë në fushën e lojës, pas dy kartonëve të kuq.