Ishte një ditë e zakonshme për 15-vjeçarin Michael Gojcevic, kur nëna e tij e kishte përqafuar për herë të fundit gjatë orës së mësimit, në lëndën e kimisë.
Kur u kthye në shtëpi nga shkolla, ishte një ditë prilli, nxënësi i klasës së nëntë mësoi se nëna e tij ishte arrestuar nga autoritetet e emigracionit. Ajo u burgos dhe tre javë më vonë u deportua në Shqipëri.
Pas lotëve, zemërimit dhe zhgënjimit, dhe mes kaosit dhe frikës për të jetuar pa mamin, fëmijët morën një vendim: Ata ikën nga Amerika!
Në orën 6:00, të ditës së martë, Mikey dhe dy motrat e tij të vogla hipin në një avion ku me vete morën edhe nëntë valixhe. Ata u nisën nga Detroit Metro Airport ku u ndanë me babanë e tyre, për të udhëtuar drejt një vendi që ata kurrë nuk kanë shkuar më parë. Vëllai bashkë me dy motrat u nisë për në Shqipëri, për të qëndruar me nënën e tyre.
“Unë jam i ngazëllyer, por në të njëjtën kohë jam nervoz. Ndihem i zhgënjyer që do të lë gjithçka”, tha Mikey, për Free Press të hënën mbrëma, ndërsa miqtë dhe të afërm ishin mbledhur për ta përshëndetur. “Kjo është nata ime e fundit që fle në Amerikë”, ka thënë me tej 15-vjeçari.
Mikey, është një nder miliona fëmijëve të tjerë amerikanë, të cilët së shpejti mund të përballen me të njëjtën agoni, ku duhet të vendosin nëse do të qëndrojnë në këtë vend, ose do të shkojnë në vendin e prindërve të tyre. Sipas Këshillit Amerikan të Imigracionit, 4.1 milionë qytetarë amerikanë jetojnë me të paktën një prind pa dokumente.
Nëse statistikat e dëbimit të fundit janë ndonjë tregues, shumë më tepër fëmijë mund të përballen së shpejti me të njëjtin fat si Mikey dhe motrat e tij. Nën administrimin e Trump, deportimet e emigrantëve pa të dhëna penale u rritën, duke u trefishuar nga afërsisht 16,500 në 2016 në gati 45,800 vitin e kaluar. Kjo është një mesatare prej 4,143 arrestimesh në muaj, krahasuar me një mesatare prej 1,700 në muaj nën administratën e Obamës.
Rritja është kryesisht për shkak të udhëzimeve më të ashpra të Presidentit Donald Trump për agjentët e ICE: Para, ata u udhëzuan të synonin persona me të kaluarë serioze kriminale; Tani atyre u është thënë të arrestojnë çdo imigrant që qëndron në mënyrë të paligjshme në SHBA.
Për Mikey, politika aktuale e imigracionit është e dëmshme dhe e padrejtë, edhe pse ai ende shpreson të kthehet një ditë dhe të jetojë këtu. Ai planifikon të vizitojë babanë e tij verën e ardhshme.
Nëna e tij, Cile Precetaj, 46 vjeç, nuk kishte të dhëna kriminale. Ajo nuk hyri në vend në mënyrë të paligjshme, por kërkonte azil kur mbërriti në vitin 2000, duke pretenduar se kishte frikë për jetën e saj në Shqipëri dhe se familja e saj ishte kërcënuar nga grupe kriminale që kërkonin ta rrëmbejnë dhe ta bënin atë prostitutë. Ajo gjithashtu shprehu frikë pasi ish-i fejuari e kërcënonte.
Në fund të fundit, kërkesa e saj për azil u mohua dhe ajo humbi të gjitha të drejtat.
“Ajo ishte duke u përpjekur të shpëtojë nga prostitucioni, ajo erdhi këtu për liri, ajo kurrë nuk bëri ndonjë gjë të gabuar në këtë vend, ajo nuk bëri asgjë të keqe – kështu që pse duhet të dëbohet jashtë? Unë shpresoj që ky vend të mësojë nga ajo që po bën. Kjo nuk është e drejtë. Ndaleni këtë, ndaloni ndarjen e familjeve”, – tha Mikey.
Burimi: .freep.com
Përshtati: Tirana Today