Floriana Garo i ka dhënë fund aventurës në PD. Pas humbjes së PD-së në zgjedhje, ish moderatorja duket se e ka parë të udhës të lërë politikën për t’iu rikthyer jetës së saj të mëparshme, pranë gjirit të familjes. Para zgjedhjeve, emri i saj u lakua për në politikë, si një figurë që mund të ishte zëdhënësja e qeverisë, nëse fitonte PD zgjedhjet. Shumëkush u befasua, e madje pati aludime se ajo do të merrte një propozim për të qenë në listën e Durrësit si kandidate. Por në fakt ish-moderatores së njohur të “Jo vetëm modë” iu besua vetëm posti i zëdhënëses së fushatës elektorale.
Floriana Garo u angazhua gjatë muajve mars e prill, si zëdhënëse e fushatës së Partisë Demokratike. Por së fundmi ajo ka shpërndarë një foto me një prej partnereve të saj në biznes duke lënë të kuptohet se i është kthyer jetës së saj atje. Madsje, ajo ka fshirë dhe emërtimin e mëparshëm si zëdhënëse e fushatës së PD-së në bion e saj të Instagramit, duke vendosur informacionet e hershme si prezantuese dhe linkun e biznesit të saj.
Po kush do të zerë vendin e saj në PD? Shumë zëra e lidhin këtë pozicion me Ori Nebijaj. Ori, që ka paralajmëruar se do të shkëputet nga emisioni “Wake up” në Top-Channel, e ka mbajtur edhe më parë postin e zëdhënëses në PD. Madje, ka qenë vetë Nebiaj që ka pranuar publikisht se do të lërë televizionin për politikën. Këtë gjë e ka konfirmuar teksa ka qenë e ftuar në emisionin “Binjakët”, në të cilin zbuloi se do të heqë dorë përfundimisht nga televizioni. “Do ta lë televizionin, sepse unë do bëhem deputete. Edhe nëse nuk do bëhem deputete, do të largohem, sepse unë do të jem në politikë”, u shpreh Ori e bindur për vendimin e saj.