Nga: Xhezair Zaganjori
Nga viti 1990, çdo 3 Tetor kremtohet si Festa Kombëtare e Republikës Federale Gjermane (RFGJ). Pikërisht në këtë… ditë (3 tetor 1990) hyri në fuqi Marrëveshja 2 + 4, që do të thotë marrëveshja mes dy Gjermanive të ndara me 1945 nga njëra anë, dhe katër Fuqive Kryesore Aleate të Luftës së Dytë Botërore (SHBA, Britani, Bashkimi Sovjetik dhe Francë), nga ana tjetër, të cilat kontrollonin hapësira të caktuara të territorit gjerman të ndarë po në katër pjesë.
Në këtë marrëveshje u ra dakord mbi modalitetet për ribashkimin e Gjermanisë. Ky hap madhor u bë i mundur në vijim të zhvillimeve historike me impakt të jashtëzakonshëm kombëtar e ndërkombëtar, që pasuan Shembjen e Murit të Berlinit në natën e 9 nëntorit 1989. Festa Kombëtare e çdo shteti nxjerr dukshëm në pah edhe simbolet e tij, e në mënyrë të veçantë flamurin dhe himnin kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, me rastin e 3 Tetorit të këtij viti, që shënon njëkohësisht 32-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, do t’i kushtojmë këtë artikull Himnit Kombëtar të RFGJ, aq më tepër që më 22 gusht të këtij viti (2022) ishte edhe 100-vjetori i këtij simboli të kombit gjerman. Historia e tij paraqet interes të shtuar për shkak se rreth Himnit apo Këngës së Gjermanëve ka pasur gjithnjë jo pak debate.
Nga ana tjetër, pikërisht kjo këngë e vjetër, me origjinë 181-vjeçare, ka shërbyer si frymëzim e mobilizim për të ndërmarrë veprime e kryer punë e vepra të dobishme për popullin gjerman, por edhe është keqinterpretuar e keqpërdorur në momente të caktuara të historisë. Le ta shohim këtë çështje disi më nga afër. Fjala Himn e ka origjinën nga greqishtja e vjetër. Hymnos quheshin këngët e lutjeve që u dedikoheshin perëndive, heronjve apo njerëzve të shquar. Me lindjen e Krishterimit, ato do t’i kushtoheshin kryesisht Jezusit dhe Shenjtorëve. Normalisht këndoheshin në grup e në ambiente kishtare.
Gjatë periudhës bizantine, ato do të zinin një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në ceremonitë fetare. Si këngë liturgjike të kënduara nga grupe të mëdha të njerëzve gjatë lutjeve fetare, Himnet do të njihnin zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë periudhës së Mesjetës, veçanërisht në territoret gjermane, gjatë dhe pas së ashtuquajturës periudhë luteriane. Në fundin e shekullit të 18-të e në vijim, me konsolidimin e shteteve kombëtare, u konceptua një lloj i veçantë himni, i ashtuquajturi Himni Kombëtar, si një këngë e posaçme, përmes së cilës bëhet e mundur të shprehen ndjenjat më të larta patriotike e sentimentale për atdheun. Kjo këngë e veçantë prezanton shtetin në rastet më solemne.
Për këto arsye, ashtu si edhe gjuha, Himni duhej të përcillte tiparet më të veçanta kombëtare, si dhe synimet apo objektivat kryesore të shtetit respektiv. Si rregull, Himni Kombëtar duhet të autorizohet si i tillë përmes mekanizmave më të lartë të shtetit, ose e mban këtë status thjesht për shkak të ngulitjes së thellë në ndërgjegjen apo kujtesën popullore. Himni Kombëtar i parë është “Marsejeza”, që u shkrua e kompozua në Strasburg në vitin 1792, në vijim të Revolucionit Borgjez Francez (1789). Në vitin 1795, ajo do të bëhej zyrtarisht Himni Kombëtar i Republikës Franceze.
Ne vitin 1825 britanikët do të miratonin Himnin e tyre shumë të dashur e të njohur tashmë, me titull “God Save dhe King/Queen” (Zot mbroje Mbretin/Mbretëreshën), impakti i të cilit në krijimin e himneve të tjera kombëtare në Europë e më gjerë do të ishte shumë i madh. Kështu, për shembull, Austria do të miratonte Himnin Kombëtar me titull “Gott erhalte Franz den Kaiser” (Zot mbroje Kaizerin Franz), me muzikë të kompozitorit të njohur gjerman Joseph Haydn. Në territoret e tjera gjermane, zhvillimet do të ishin ndryshe.
Në fakt, principatat e shumta gjermane që ekzistonin si njësi shtetërore më vete, ishin të lidhura mes tyre formalisht, për rreth 9 shekuj me rradhë, në të ashtuquajturën Perandoria e Shenjtë Romake e Kombit Gjerman, e krijuar në shekullin IX të erës sonë. Ky status do të rikonfirmohej për popujt gjermane edhe në Paqen e West falisë (1648), e cila i dha fund luftës 30- vjeçare në Europë mes katolikëve dhe protestantëve. Në të kundërt, shumica e popujve të tjerë europianë do të krijonin e konsolidonin me këtë rast shtetet e tyre sovrane, si subjekte të plotë e të pavarur në të drejtën ndërkombëtare. Perandoria e Shenjtë Romake e Kombit Gjerman do të shpërbëhej në vitin 1806.
Megjithatë, edhe Kongresi i Vjenës i vitit 1815 që u mbajt pas fitores ndaj Napoleon Bonapartit, megjithëse bëri ndryshime të rëndësishme në hartën e Europës, nuk realizoi ëndrrën e shumicës së gjermanëve për krijimin e një shteti të vetëm unitar. Sidoqoftë, ky Kongres do të miratonte krijimin e Konfederatës Gjermane, të përbërë nga 35 shtete dhe katër “qytete të lira”, që ishin Hamburgu, Bremen, Lybeku dhe Frankfurti. Në këtë Konfederatë, çdo njësi shtetërore pjesëmarrëse ruante sovranitetin e saj të plotë. Organi i vetëm i përbashkët ishte Dieta (Parlamenti), i cili kishte për detyrë të trajtonte kryesisht çështjet e luftës dhe të bashkëpunimit ekonomik.
Edhe në këtë rast, vendimi përkatës, përveçse me shumicën e kërkuar, duhej të kishte patjetër pëlqimin e dy shteteve më të fuqishme të Konfederatës, Prusisë dhe Austrisë. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, shumica e gjermanëve ishin të ndërgjegjshëm se njësitë shtetërore sovrane duhet të bashkoheshin në një atdhe të përbashkët, pasi mbi të gjitha ato kishin ndjenja, gjuhë, histori e kulturë të përbashkët, duke përbërë kështu një komb të vetëm. Mbi këtë bazë u përpunuan mjaft ide patriotike, shoqëruar këto me poezi e këngë të ndryshme.
Mes tyre mund të përmenden ato të Gëtes e Shillerit. Megjithatë, ndër të parat e këtij lloji që bën thirrje të drejtpërdrejtë për bashkim, është kënga “Atdheut Gjerman” me autor Ernst Moritz Arnds, profesor i historisë në Universitetin e Bonit, e cila këndohej masivisht në vitet 1813–1815 gjatë marshimeve të ushtarëve të Aleancës Gjermane të udhëhequr nga Prusia, në luftën kundër Napoleonit. Në këtë këngë, ndër të tjera thuhet: “Ç’është Atdheu i Gjermanëve? është Prusia apo Bavaria? Është buzë Rinit ku lulëzojnë vreshtat? Është në Belt ku fluturojnë pulëbardhat? Oh, jo, jo. Atdheu i tyre duhet të jetë më i madh…”.
Në vitin 1820 kompozohet kënga “Ich hab’ mich ergeben” (Të jam dorëzuar), ku autori, Hans Ferdinand Massmann, profesor në Universitetin e Mynihut, shkruan ndër të tjera: “Të jam dorëzuar, Me dorë e zemër, Ty o tokë plot dashuri e jetë, Atdheu im gjerman…”. Në vitin 1840 kemi tensionin e madh franko – gjerman për kufirin në zonën e Rinit, quajtur ndryshe edhe si “Kriza e Rinit”. Me këtë rast, nga të dyja palët ka shkrime, poezi e këngë nacionalisto – patriotike të shumta. Mes të tjerave kemi edhe prononcimin e shkrimtarit dhe politikanit të shquar francez Viktor Hygo, i cili theksonte se pikërisht lumi i Rinit duhet të ishte njëkohësisht kufiri natyror dhe shtetëror mes dy vendeve.
Gjermanet pretendonin më shumë. Në kontekstin e “Krizës së Rinit” del edhe “Kënga e Gjermanëve”, me autor August Heinrich Hoffmann von Fallersleben, profesor për gjuhën dhe letërsinë gjermane në Universitetin e Breslaut. Si muzikë përshtatet ajo e Jozef Hayden-it, kompozuar për Himnin austriak “Gott erhalte Franz den Kaizer”. Në kujtimet e tij, Von Fallersleben vë në dukje se më 26 gusht të vitit 1841 kur përfundoi vargjet e “Këngës së Gjermanëve”, ai ndodhej me pushime në ishullin Helgoland, në Detin e Veriut, dhe si frymëzim kishte pikërisht Himnet “God Save the King/Queen” dhe “Marsejezën”. Ai thekson më tej se rrëqethej nga emocionet që zgjonin këto këngë dhe nga simpatia e krenaria që imponohej me këtë rast për shtetasit britanikë e francezë.
Ndaj edhe ai shkruan një këngë të thjeshtë, që të ishte e qartë dhe e kuptueshme për të gjithë. Një këngë me logjikë e ndjenjë, që përcjell mall për vendin e njerëzit, që këndohet në gëzime e fatkeqësi, në festime e revoltë. Një këngë që të prek, të motivon e të zgjon dëshirën pafund për bashkimin e begatinë e mbarë kombit. “Kënga e Gjermanëve” ka tri strofa me nga tetë rreshta secila, si më poshtë: 1. Deutschland, Deutschland über alles, Gjermania, Gjermania mbi gjithcka, Über alles in der Ëelt, Mbi çdo gjë në Botë, Ëenn es stets zu Schutz und Trutze Nëse nevojitet për ti dalë zot dhe për ta mbrojtur Brüderlich zusammenhält.
Qëndrojmë të bashkuar vëllazërisht. Von der Maas bis an die Memel, Nga Maas deri në Memel, Von der Etsch bis an der Belt, Nga Etsch deri në Belt, Deutschland, Deutschland über alles, Gjermania, Gjermania mbi gjithcka, Über alles in der Ëelt. Mbi çdo gjë në Botë. 2. Deutsche Frauen, deutsche Treue, Gratë gjermane, besnikëria gjermane, Deutsche Ëein und deutscher Sang, Vera gjermane dhe kënga gjermane, Sollen in der Ëelt behalten, Duhet të kenë vendin e tyre në Botë, Ihren alten schönen Klang, Fama e vjetër dhe e respektuar që kanë, Uns zu edler Tat begeistern Duhet të na frymëzojë për veprime fisnike Unser ganzes Leben lang. Gjatë gjithë jetës sonë.
Deutsche Frauen, deutsche Treue Gratë gjermane, besnikëria gjermane, Deutscher Ëein und deutscher Sang. Vera gjermane dhe kënga gjermane. 3. Einigkeit und Recht und Freiheit Bashkim, Drejtësi dhe Liri Für das deutsche Vaterland! Për Atdheun Gjerman! Danach lasst uns alle streben Më pas le të angazhohemi të gjithë sëbashku Brüderlich mit Herz und Hand! Vëllazërisht me dorë e zemer! Einigkeit und Recht und Freiheit Bashkimi, Drejtësia dhe Liria Sind des Glückes Unterpfand. Janë garanci për lumturi. Blüh im Glanze dieses Glückes, Lulëzo në shkëlqimin e kësaj lumturie, Blühe, deutsches Vaterland. Lulëzo, Atdheu Gjerman. “Kënga e Gjermanëve” u be shpejt shumë popullore.
Ajo këndohej në festa, gara sportive, shfaqje artistike apo lokale të ndryshme. Por krahas vlerësimeve, kishte edhe kritika, si nga jashtë ashtu edhe brenda vetë hapësirës gjermane. Për strofën e parë, kritika kryesore ishte lidhur me shprehjen “..Gjermania mbi gjithçka, mbi çdo gjë në botë..”. Theksohej me këtë rast se nuk ishte aspak normale, e ndoshta tregonte edhe arrogancë ndaj popujve të tjerë, të cilët gjithashtu, me këtë logjikë, do të kishin të drejtë të bënin deklarime të njëjta. Po për strofën e parë kritikohej gjithashtu edhe përcaktimi gjeografik i kufijve që duhej të kishte Gjermania e bashkuar (Lumi Maas në perëndim; Lumi Memel në lindje; Lumi Etsch, në jug; Rruga ujore detare Belt, në veri).
Kritikat e mësipërme janë kundërshtuar me argumentin se fjalët e përdorura dhe përcaktimet gjeografike të strofës së parë të Këngës së Gjermanëve duhen interpretuar e kuptuar në kontekstin e kohës. Jemi në vitet dyzet të shekullit të 19-të. Qëllimi dhe synimi kryesor në atë kohë ishte realizimi i bashkimit të territoreve gjermane të ndara në principata të shumta sovrane. Nga ana tjetër, natyrisht që dëshirohej që në Gjermaninë e bashkuar të përfshiheshin të gjitha territoret e banuara me popullsi gjermane. Objektiv ky mjaft i vështirë, sidomos për sa u përket kufijve lindorë e perëndimorë. Megjithatë, vihet në dukje se në Këngën e Gjermanëve, konkretisht në strofën e parë, në asnjë vend nuk bëhet fjalë për dhunë apo veprime agresive ndaj shteteve fqinje.
Strofa e dytë është kritikuar kryesisht për një lloj shovinizmi ndaj grave, me argumentin se aty barazohen gratë me verën, që së bashku ekzistojnë për t’u dhënë burrave kënaqësi në jetë. Edhe kjo kritike është kundërshtuar me kundërargumentin se tema e dashurisë ka qenë mjaft e preferuar për autorin dhe se realisht kanë qenë gjithnjë gratë që i kanë motivuar burrat për të bërë “veprime sa më fisnike”, ashtu siç përmendet shprehimisht në këtë strofë. Për më tepër përmendet një letër që Fallersleben i dërgon ishtë dashurës së tij të rinisë të nesërmen e përfundimit të Këngës së Gjermanëve, pra, më 27 gusht 1841, duke i thënë ndër të tjera që “.. sapo shkruajta mbrëmë ‘gratë gjermane’ të kujtova menjëherë …, ndaj më lejo që edhe ‘Këngën e Gjermanëve’ ta kushtoj ty..”.
Strofa e tretë është pa dyshim strofa më e bukur e më e plotë. Ajo përcakton qartësisht objektivin kryesor të gjermanëve për të krijuar së bashku një shtet të vetëm e demokratik, në themele të të cilit duhej të ishin parimet e Shtetit të së Drejtës si dhe Liritë Individuale. Pikërisht këto duhej të ishin moto kryesore e Gjermanisë së Bashkuar. Dhe ky bashkim do të bëhej realitet tri dekada më vonë, më 18 janar 1871, përmes protagonizmit kryesor të Prusisë dhe gjenialitetit ushtarak e shtetëror të Otto von Bismarkut. Tashmë gjermanët do të kishin një shtet të përbashkët, me Berlinin si kryeqytet dhe Vilhelmin I-rë si Kaizer. Flamuri kombëtar kishte tri ngjyra, të zezë, të bardhë dhe të kuq. Nuk kishte himn kombëtar.
Megjithatë, nga viti 1895, në ceremonitë zyrtare filloi të përdorej himni popullor prusian “Heil dir im Siegerkranz” (U bekofsh në Kurorën e Fitores), që i kushtohej Kaizerit gjerman. Sidoqoftë, në mjaft nga rajonet e Gjermanisë së Bashkuar tashmë, aty ku Kaizeri nuk ishte shumë popullor, si këngë e preferuar në festa e ceremoni, përdorej gjerësisht Kënga e Gjermanëve. Kështu, për shembull, më 1 prill 1895, me rastin e 80-vjetorit të Bismarkut, kudo në Gjermani u këndua Kënga e Gjermanëve. Kjo, edhe për faktin se njerëzit preferonin me shumë të identifikoheshin me Gjermaninë sesa me Kaizerin. Megjithatë, gjatë Luftës së Parë Botërore, edhe Kënga e Gjermanëve mori emër jo të mirë, pasi strofa e parë e saj u përdor gjerësisht gjatë marshimeve apo edhe veprimeve luftarake të ushtarëve gjermanë. Me rënien e Perandorisë Gjermane më 1918, himni që i kushtohej Kaizerit e humbi krejtësisht rëndësinë e tij.
Nga ana tjetër, edhe përdorimi i strofës së parë të Këngës së Gjermane, nuk shihej aspak si i përshtatshëm. Më 9 Nëntor 1918, Gjermania do të shpallej Republikë. Ndërkaq, Kushtetuta e Ëeimarit do të hynte në fuqi më 11 gusht 1919. Në Kushtetutë nuk përmendej fare Himni i Republikës për shkak të mosmarrëveshjeve mbi këtë çështje mes forcave politike. Megjithatë, në mënyrë krejtësisht të papritur, me rastin e kremtimeve për trevjetorin e Kushtetutës së Ëeimarit, pra, më 11 gusht 1922, Presidenti i Republikës, socialdemokrati Friedrich Ebert, do të shpallte zyrtarisht Këngën e Gjermanëve si Himn Kombëtar. Në letrën që i dërgonte për këtë qëllim ministrit të Brendshëm, ai saktësonte se si Himn Kombëtar do të jetë vetëm strofa e tretë e kësaj kënge.
Po kështu, në fjalimin që do të mbante me këtë rast, Ebert do të theksonte ndër të tjera se: “… Para tre vitesh, populli gjerman miratoi Kushtetutën, e cila përcakton themelet e së ardhmes së tij. Pavarësisht problemeve që kemi, ne duam që kjo ditë të përçojë gëzim dhe shpresë. Ne nuk duam luftë civile. Ne duam Drejtësi. Kuadri kushtetues na e garanton Drejtësinë. Ne duam Paqe. Drejtësia e mënjanon dhunën. Ne duam Liri. Drejtësia na e garanton Lirinë. Ne duam Bashkim. Drejtësia na e garanton unitetin mes nesh.
Pra, Kushtetuta garanton pikërisht Bashkimin, Drejtësinë dhe Lirinë. Ndaj kjo thirrje e trefishtë e poetit Von Fallersleben duhet të na shoqërojë edhe Ne tani në rrugëtimin tonë për një të ardhme më të mirë…”. Por, tri vlerat kryesore të Këngës së Gjermanëve, për të cilat flet Ebert në vitin 1922, pra, Bashkimi, Drejtësia e Liria, do të nëpërkëmbeshin brutalisht me ardhjen e Hitlerit në pushtet në vitin 1933. Për më tepër, vetë Kënga e Gjermanëve do të keqinterpretohej e do të keqpërdorej nga nazistët. Të ndërgjegjshëm për rolin propagandistik të muzikës së ngulitur thellë në ndërgjegjen popullore, udhëheqësit e partisë naziste, veçanërisht Hitleri si drejtues i saj dhe Gëbels si ministër propagande, në vitin 1935 shpallën strofën e parë të Këngës së Gjermanëve si Himn Kombëtar.
Madje, ato i ndryshuan edhe emrin, duke vënë si titull rreshtin e parë të saj, “Gjermania, Gjermania mbi gjithçka”. Keqpërdorimi i saj do të konstatohej dukshëm vetëm një vit më vonë, më 1936, në Lojërat Olimpike të Berlinit, për të vazhduar më pas më tej me përndjekjen çnjerëzore të hebrenjve dhe agresionet ushtarake ndaj vendeve të tjera. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, katër Fuqitë Aleate që pushtuan Gjermaninë e ndaluan menjëherë përdorimin e Himnit dhe të simboleve të tjera naziste. Në vitin 1949, do të krijoheshin dy Gjermani: Republika Federale Gjermane, që bashkonte tre zonat gjermane të kontrolluara respektivisht nga ShBA, Britania e Franca, si dhe Republika Demokratike Gjermane, në zonën e kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Ligji Themelor i RFGJ, miratuar më 23 maj 1949, nuk parashikon himnin kombëtar.
Në këto kushte, në vitet e para, në ceremonitë zyrtare luheshin pjesë muzikore të ndryshme. Kështu, për shembull, në ceremoninë e miratimit të Ligjit Themelor, u këndua kënga e vjetër “Ich hab’ mich ergeben”, përmendur më sipër. Me rastin e konstituimit të Parlamentit të ri (Bundestagut), më datë 7 shtator 1949, ku u zgjodh edhe Presidenti i Republikës, Theodor Heuss dhe Kancelari Konrad Adenauer, u luajt një pjesë e shkurtër e Simfonisë nr.5 të Beethovenit. Në ceremonitë e mëvonshme u përdor shpesh Odeja e Gëzimit e Simfonisë së 9-të të Beethovenit, e cila paraqitet tashmë si Himni Zyrtar i Bashkimit Europian e të tjerë. Në këtë situatë të paqartë, deputetë të CDU-së, partisë së krijuar me 1945 nga Adenauer, do të merrnin nismën për të përdorur si Himn strofën e tretë të Këngës së Gjermanëve, ashtu siç kishte vepruar më 1922 Friedrich Ebert i socialdemokratëve.
Një nga deputetët më të njohur të CDU-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Adenaurit do të shkruante mbi këtë temë në shtypin e kohës, duke theksuar ndër të tjera se “Çdo popull ka nevojë të promovojë e luftojë për idealet e tij… Këto ideale pasqyrohen me shumë vërtetësi e zgjuarsi në strofën e tretë të Këngës së Gjermanëve. Kush mund të ishte kundër idealeve të Bashkimit, Drejtësisë e Lirisë… Francezët në Revolucionin e tyre u orientuan në idealet e Lirisë, Barazisë, Vëllazërisë. Ne duam të ndërtojmë Gjermaninë e re me idealet e Bashkimit, Drejtësisë e Lirisë…”. Ndërkaq, edhe sondazhet tregonin se gjermanët masivisht dëshironin që himn kombëtar të kishin sërish strofën e tretë të Këngës së Gjermanëve.
Por problemi i parë që doli ishte që në mungesë të përcaktimit kushtetues, kush duhej ta bënte një gjë të tillë. Për këtë qëllim, Parlamenti gjerman iu drejtua për ekspertizë profesorit të shquar të së Drejtës Kushtetuese, Richard Thoma. Ai do të jepte shpejt mendimin e tij, duke sqaruar se në kushtet kushtetuese e ligjore të Gjermanisë Federale, kompetencën për të miratuar Himnin Kombëtar e ka Presidenti i Republikës, pasi vetëm ai përfaqëson unitetin e popullit. Por megjithatë, para se të bëjë këtë veprim, ai duhet të marrë pëlqimin me shkrim të Kancelarit, i cili prononcohet në emër të qeverisë. Mbi këtë bazë, në janar 1952 fillon letërkëmbimi ndërmjet Presidentit Heuss dhe Kancelarit Adenauer. Ndër të tjera, më 29 prill 1952, Adenauer i shkruan, duke theksuar se: “Kam parë me dyshim përpjekjet që keni bërë për të miratuar një himn me tekst e muzikë të re…
Duhet të shmangim një konflikt të ri në popull. Kam qenë dhe jam dakord me propozimin e Kabinetit që drejtoj, që Himni Kombëtar të jetë sërish strofa e tretë e Këngës së Gjermanëve… Nuk duhet të hezitojmë… Tani janë zvogëluar shumë kritikat për rrezikun e keqpërdorimit….. Ishte vetë Presidenti Ebert, që më 1922 e shpalli strofën e tretë të saj si Himn Kombëtar… Këtë duhet të bëjmë edhe Ne…”. Pasi kishte tashmë edhe pëlqimin e Kancelarit, Presidenti i RFGJ, Heuss, merr vendimin për të bërë strofën e tretë të Këngës së Gjermanëve si Himn Kombëtar. Për të shmangur çdo keqkuptim, u ra dakord që me këtë rast të mos bëhej ndonjë ceremoni e veçantë, “… për të mos u dhënë rëndësi kaq të madhe simboleve, duke i paraqitur ato në mënyrë demonstrative…”.
Megjithatë, mungesa e publicitetit të duhur si dhe kritikat e shumta të vetë shtypit gjerman, me fokus rrezikun e rikthimit të frymës nacionaliste, krijuan një situatë paqartësie lidhur me këtë çështje, shoqëruar heraherës edhe me humor. Kjo bëri që për njëfarë kohe, Himni Kombëtar gjerman të mos përdorej shumë. Kështu, për shembull, gjatë vizitës së parë zyrtare që Adenauer kishte në ShBA në prill të vitit 1953, dy herë gjatë ceremonive zyrtare u luajt muzikë e njohur popullore, e huazuar nga Festa e Karnavaleve në Këln, aty ku Adenauer kishte qenë për vite me radhë kryetar i bashkisë.
Adenaueri i mori këto me shumë humor. Aq më tepër që kënga “Haideëitzka, Herr Kapitän”, bën aludimin e një Kapiteni që e drejton anijen në një botë të re. Po kështu, kur Gjermania u shpall Kampione e Botës në futboll në Bernë të Zvicrës më 4 korrik 1954, pas fitores 3-2 kundër Hungarisë, në ceremoninë e zhvilluar nuk kishte as flamur gjerman dhe nuk u luajt as Himni Kombëtar i Gjermanisë.
Në këto kushte, kur Presidenti i FIFAs, Jules Rimet, i dha Kupën e Botës kapitenit legjendar të futbollit gjerman, Fritz Ëalter, spontanisht rreth 25 mijë gjermanë që ndodheshin në stadium kënduan strofën e parë të Këngës së Gjermaneve, “Gjermania, Gjermania mbi gjithçka…”. Kjo shkaktoi menjëherë huti e kaos të përgjithshëm, sa që të gjitha transmetimet televizive u ndërprenë. Ndërkaq, në Republikën Demokratike Gjermane, si Himn Kombëtar u bë Kënga “ U Ringritëm nga Gërmadhat”, kënduar për herë të parë më 7 nëntor 1949, në kujtim të përvjetorit të 32 të Revolucionit Bolshevik të vitit 1917. Me ribashkimin e Gjermanisë më 3 Tetor 1990, u hap sërish debati për çështjen e Himnit Kombëtar. Shumë kërkonin të miratohej një himn i ri.
Mes propozimeve ishte kënga e njohur në popull “Die Gedanken sind frei” (Mendimet janë të lira) ose “Kinderhymne” (Himni i fëmijëve) i shkrimtarit gjermanolindor Bertolt Brecht, që thjesht e me shumë zgjuarsi përcillte mesazhe paqeje e bashkëpunimi me popujt e tjerë. Sidoqoftë, megjithë propozimet e shumta, sondazhet tregonin sërish se shumica e gjermanëve dëshironin që Himni Kombëtar në Gjermaninë e bashkuar të mbetej strofa e tretë e Këngës së Gjermanëve. Ndaj, duke imituar letërkëmbimin mbi këtë çështje më 1952 mes Theodor Heuss e Konrad Adenauerit, më 19 gusht të vitit 1991, Presidenti gjerman, Von Ëeizsäcker, do t’i shkruante Kancelarit Kohl një letër, ku thekson se: “… Bashkimi i Gjermanisë më 3 Tetor 1990 është realizuar në bazë të nenit 23 të Ligjit Themelor. Edhe Himni Kombëtar duhet të jetë për të gjithë Gjermaninë e bashkuar…
Kënga e Gjermanëve e shkruar 150 vjet më parë, është respektuar si tregues i përkatësisë së përbashkët dhe përgjegjësisë së përbashkët. Idealet e Bashkimit, Drejtësisë e Lirisë që përmenden në strofën e tretë të saj duhen respektuar brenda e jashtë vendit. Kjo strofë i përcjell shumë bukur këto vlera të rëndësishme, me të cilat ne si gjermanë, si europianë dhe si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e ndjejmë se jemi të lidhur kaq shumë…”. Kancelari Kohl do t’i përgjigjej Presidentit Ëeizsäcker më 23 gusht 1991, duke vënë në dukje se: “Bashkim, Drejtësi dhe Liri. Me këto fjalë magjike ne bëmë të mundur që pas vitit 1949 të ndërtojmë Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës më të suksesshëm në historinë tonë. Dëshira e të gjithë gjermanëve për të bashkuar në liri atdheun e tyre, pasqyrohet qartësisht në Këngën e Gjermanëve…
Pas realizimit të bashkimit, detyrohemi përsëri sot nga kjo Këngë për të ndërtuar e zbatuar një rend të Shtetit të së Drejtës edhe në landet e reja të ish-Gjermanisë Lindore…. Ndaj në emër të qeverisë, bashkohem plotësisht me mendimin tuaj që pikërisht strofa e tretë e Këngës së Gjermanëve të vazhdojë të jetë Himni Kombëtar i Gjermanisë së bashkuar…”. Edhe pas 32 viteve nga ribashkimi gjerman, vazhdon të ketë zëra për ndryshimin e Himnit Kombëtar.
Kjo, edhe për shkak të faktit se ky ndryshim, siç kemi parë, formalisht mund të bëhet pa shumë vështirësi në çdo kohë nga Presidenti i Republikës, më pëlqim të Kancelarit. Megjithatë, duhet ditur se strofa e tretë e Këngës së Gjermanëve ka qenë historikisht dhe vazhdon të mbetet shumë e dashur kudo në Gjermani. Sidoqoftë, duhet theksuar se sot, në kushtet e proceseve globalizuese e integruese, veçanërisht në demokracitë e zhvilluara, si në Gjermani, të gjitha simbolet, e veçanërisht himnet kombëtare nuk e kanë rëndësinë e mëparshme në jetën publike e shtetërore.
Natyrisht që ato duhen respektuar me rigorozitet, si pjesë e identitetit historik e kombëtar, por pa ekstremizma e tone të panevojshme nacionaliste, që krijojnë tensione e cenojnë bashkëpunimin mes popujve. Gjermania jep sot shembullin më të mirë në këtë drejtim, sepse mbetet gjithnjë e angazhuar seriozisht për Bashkim, Drejtësi e Liri jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë e më gjerë.