Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar sot një paketë shtesë ekonomike, në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi.
Paketa në fjalë do t’i vijë në ndihmë bizneseve dhe atyre që kanë mbetur pa punë, si pasojë e masave shtrënguese të marra për frenimin e përhapjes së virusit.
Kreu i qeverisë greke bëri me dije se paketa ekonomike ka një buxhet prej 24 miliardë eurosh. 14 miliardë të kësaj shume do të financohen nga buxheti i shtetit, ndërsa 10 miliardë do të financohen nga BE.
Mitsotakis tha se 750 mijë punonjës që nuk mund të punojnë do të ketë një asistencë nga shteti prej 800 eurosh. Po ashtu, edhe 155 mijë qytetarë që prej më shumë se një viti kanë humbur punën do të ketë një kompensim 400 euro.
Ndërkohë bizneset e mbyllura do të përfitojnë shtyrjen e pagesave të tatimeve dhe kredive, deri në një afat të dytë.
Mitsotakis tha se viti 2020 do të jetë viti i recesionit të ekonomisë greke, ndërsa shton se viti i ardhshëm do të jetë një rikuperim dhe një “boom” për ekonominë greke.










