Të tjera detaje tronditëse janë hedhur në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Greqi më tepër se një muaj më parë. Vrasësi Babis Anagnostopoulos ndodhet në qeli, e ndërsa familja e vajzës së ndjerë, 20-vjeçares Caroline Crouch, kërkojnë kujdestarinë e foshnjes.
Avokati i familjes së Caroline Crouch, Thanasis Harmanis, ka publikuar disa të dhëna të tjera rreth ngjarjes. Avokati ka zbuluar ndër të tjera se piloti ka detyruar nënën e Carolinës, Susan Crouch që të paguante arkivolin në funeralin e së bijës.
“Unë një gjë po dua të them, dhe besoj se do të tronditeni ashtu siç u trondita edhe unë dje, Charalmabos detyroi mamanë e Carolines të paguante arkivolin e saj. Nuk dua të flas më shumë se s’dua të humb kontrollin”, kanë qenë këto fjalët e avokatit.
Piloti vrau të shoqen pasi kjo e fundit i kishte kërkuar divorcin. Ai rrëfeu një histori të sajuar ku përfshiu dhe shqiptarët, por u zbulua se personi që qëndronte pas krimit të rëndë ishte vetë 32-vjeçari.
Sot vendoset me kë do të qëndrojë e vajza
Pritet që sot Gjykata të vendosë lidhur me kujdestarinë për të miturën Lydia, vajza e Caroline Crouch, e cila u mbyt për vdekje nga bashkëshorti i saj. Familja e viktimës që jeton në Alonissos, kërkon kujdestarinë e së miturës, me pretendimin se në Athinë, ajo do të jetë gjithmonë vajza e vrasësit. Nga ana tjetër, familja e pilotit 33-vjeçar, kërkon kujdestarinë e përbashkët, duke kërkuar që e mitura të jetojë me ta nga tetori në prill të çdo viti, ndërsa pjesën tjetër të kohës ta kalojë me gjyshërit e tjerë. Punonjësit socialë kanë përgatitur raporte përkatëse dhe ua kanë dorëzuar prokurorëve të të miturve që merren me çështjen, në mënyrë që të vendoset në gjyq. Ndërkohë që i ati i të miturës nga burgu nuk është shprehur lidhur me çështjen.
Piloti dyshohet se ka vrarë dhe biznesmenin në Greqi, e kishte fqinj
Babis Anagnostopoulos, dyshohet se gjithashtu është i përfshirë në vrasjen e fqinjit të tij Stavros Dogiakis. Greekcityneës shkruan se mund të ketë një lidhje mes tij dhe vrasjes së 53-vjeçarit që u gjet i vdekur një javë më parë.
Stavros Dogiakis, pronari i tavernës “Kritikos” që ndodhet në periferi të Kantza, u gjet i vdekur në 22 qershor me fytyrë poshtë, me një plumb në kokë dhe në kraharor. 53-vjeçari ishte zhdukur që nga 21 qershori, nga Glyka Nera. Policia fillimisht besoi se vdekja e tij ishte vetëvrasje, por më pas u shtuan dyshimet për vrasje pasi, ai kishte plagë arme në kokë dhe në gjoks. Dogiakis ishte një fqinj i çiftit në Athinë dhe ata ishin klientë në rrjetin e tij të restoranteve. 53-vjeçari i kishte lënë një letër të vëllait ku i linte të gjithë trashëgiminë e tij. Ishin familjarët e të ndjerit që njoftuan policinë, e më pas u mobilizuan duke e gjetur pa shenja jete. Trupi u gjet në një pyll me dy plumba, ku njëri ishte qëlluar në kraharor dhe tjetri në kokë.