Të gjithë e mbajmë mend Konstandinos Katsifas, minoritarin grek i cili u vra në Bularat më 28 tetor 2018. 35-vjeçari u vra gjatë një përballjeje me forcat e policisë shqiptare, kundrejt të cilëve Katsifas hapi të shtëna armësh.
Ngjarja në atë kohë ngjalli shumë polemika midis shtetit shqiptar dhe atij grek, ku në varrimin e Katsifas dëgjoheshin thirrjet e urrejtjes ‘vritini shqiptarët’.
Muaj pas kësaj ngjarjeje, Ermioni Katsifas e motra e Konstandinos kryeson listën zgjedhore për parlamentin grek me partinë “Bashkimi i Qendrorëve”.

Kryetari i kësaj partie, Vasilis Leventis ishte ai i cili bëri përzgjedhjen e Katsifas duke deklaruar se “vendosim motrën e homogjenit që u ekzekutua padrejtësisht nga policia shqiptare, ditën e përkujtimores së 28 tetorit, në tokën e shenjtë të Vorio Epirit”.
Ermioni Katsifas e ka pranuar propozimin e kësaj partie duke vërtetuar kështu sipas saj, se familja e saj është kundër çdo force ekstremiste dhe çdo akti dhune.
Lista kombëtare e çdo partie greke përbëhet nga 12 kandidatë për deputetë, të cilët nuk zgjidhen në bazë të votave personale, por në bazë të shumicës totale të votave që mbledh çdo parti, natyrisht pasi kapërcehet kufiri minimal prej 3% i votave në rang vendi.

Unioni i Qendrës, bashkë me dy partitë e tjera të vogla, Greket e Pavarur dhe Potami (Lumi) pësuan një goditje totale në zgjedhjet për Parlamentin Europian në 26 Maj, madje humbën edhe numrin e deputetëve të duhur për të qenë grup i veçante i Parlamentit. Konkretisht Unioni i Qendrës mori vetëm 1.45% të votave.









