Monika Kryemadhi është indinjuar me përgjigjen e Luan Ramës, lidhur me gjobën që KQZ i vuri LSI-së.
Ndërsa Luan Rama u shpreh i gatshëm ta paguajë gjobën e KQZ-së, Kryemadhi i kërkon atij të tërhiqet nga kjo deklaratë, madje ta ankimojë gjobën si një akt diskriminimi.
Më poshtë reagimi i plotë i Kryemadhit:
“Unë mendoj dhe besoj se LSI nuk është parti kuotash dhe as vasale e asnjë institucioni shtetëror. E them këtë me bindje sidomos pasi u njoha me deklaratën e Luan Ramës i cili u shpreh i gatshëm të paguajë gjobën që KQZ ka vënë për shkak se 3 emrat e parë në listën e kandidatëve për deputetë të LSI janë gra dhe vajza. Ndjej keqardhje dhe revoltë kur shoh që dhe një drejtues i lartë i partisë ku unë bëj pjesë mendon se përfaqësimi i grave në parlament është çështje kuotash.
Jo i dashur Luan, LSI është parti vlerash dhe nuk i ndan ato në bazë të gjinisë, por të kontributeve. Gjoba që je treguar i gatshëm të paguash në KQZ duhet ankimuar dhe denoncuar si nje akt diskriminimi për punën dhe angazhimin që këto gra e vajza kanë dhënë për LSI. Gjë që ti dhe unë e dimë më mirë se çdo KQZ apo institucion tjetër. Ndaj si mike dhe bashkëpunëtore të kërkoj të tërhiqesh nga ky vendim dhe të bashkohesh me qëndrimin tim dhe të të gjithë grave dhe vajzave të LSI që kanë punuar dhe punojnë me zell dhe devotshmëri për një Shqipëri më të mirë. Sepse janë pjesë e asaj liste jo vetëm sepse e meritojnë, por sepse me kontributin e tyre do të jenë aktive për të ndërtuar një jetë më të mirë për të gjithë ne.
Mikja dhe bashkëpunëtorja jote Monika Kryemadhi.“
LSI u gjobit nga KQZ-ja, pasi në qarkun e Tiranës, 3 emrat e parë në listë për kandidatë nga kjo forcë politike, janë tre gra. Kjo bie ndesh me një nen të Kodit Zgjedhor, ku raporti gjinor duhet të jetë 2 me 1.