Referuar akuzave të lëshuara nga ana e PD-së lidhur me tenderat e dhënë oligarkëve dhe koncesioneve, ministri Damian Gjiknuri e cilëson këtë veçse një degradim. Në një prononcim për gazetarët, ai tha se PD për interesa të saj politike, po kërcënon biznesmenët. Ai tha më tej se deklarata të tilla janë më e pakta gjobëvënie, dhe se ka ikur koha kur një parti politike, për interesa të saj politike të kërcënojë biznese të cilat investojnë në këtë vend. Gjiknuri e cilëson si një manifestim të degradimit politik të Partisë Demokratike, në një nivel politik dëshpërues.
“Ironikisht, unë sapo po dal nga një aktivitet që flet për nxitjen e investimeve në sektorin elektroenergjetik, me pjesëmarrës edhe të vendeve të Bashkimit Europian. Ajo ç’ka duhet të them për këto deklarata, është se nuk e mendoja nivelin e degradimit deri në situata para politike të një partie kryesore opozitare që pretendon të vijë në pushtet.
Deklarata të tilla, më e pakta janë gjobëvënie, kurse më e shumta janë të kërcënosh zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Republika e Shqipërisë është anëtare e konventave ndërkombëtare që mbrojnë çdo lloj investimi dhe ka ikur koha kur një parti politike, për interesa të saj politike të mund të kërcënojë biznese të cilat investojnë në këtë vend, apo të mund të ndërmarrë masa të cilat janë të denja për regjimet të cilat ju ka ikur koha.
Kështu, unë e quaj thjesht manifestim i degradimit politik të Partisë Demokratike, në një nivel para politik dëshpërues. Qeveria do të vazhdojë politikat e saj zhvillimore, sepse zhvillimi është për shumicën e shqiptarëve, pavarësisht se kush është në pushtet”.