Andi Bushati/Një gjë është e sigurt: PD po shkon drejt vetë shkatërrimit. Tashmë në lojë nuk është humbja e zgjedhjeve, por shumë më tepër sesa kaq. Tani në rrezik është mbijetesa e kësaj partie. Në pamje të parë përgjegjësi i vetëm dhe fajtori unik i kësaj tragjedie është kryetari Lulzim Basha. Ai bëri gjithçka për të arritur deri këtu.
Ai drejtoi për tre vite e gjysmë me radhë një opozitë të fjetur, në paqe dhe harmoni me gjithçka që e quajti në fund si republika e vjetër. Ai nuk diti të ndahet nga tradita më e keqe e qeverisë Berisha, nuk kërkoi falje të sinqertë për mëkatet e saj dhe u soll në zyrë ashtu sikurse sillet një njeri që postin ia kanë dhuruar dhe nuk e ka fituar. Kur u zgjua nga kjo letargji e gjatë, ai filloi protestën dhe kërkoi zgjedhje të ndershme dhe të lira. Për të justifikuar mospjesëmarrjen në garë ai shpiku fabulën e Republikës së Re dhe largimin e Ramës. Por, koha i zbehu shpejt të gjitha qëndrimet. Broçkullat që propagandoi në çadër dolën kallp.
Basha u soll si një ithtar i kastës së vjetër politike, kur u ul në tryezë për marrëveshje me Ramën. Ai i tradhtoi të gjithë ata që besonin se e kishte seriozisht fabulën e zgjedhjeve të ndershme. Ai nuk siguroi asnjë garanci që vota nuk do të vidhet nga trafikantët, se ajo nuk do të blihet nga oligarkët, apo se fushata nuk do të përçudnohet nga mediat.
Ai u kënaq me ata pak ministra dhe drejtorë që mori në tavolinë dhe tinëzisht u përpoq ta shfrytëzonte marrëveshjen me kryeministrin për të spastruar PD-në nga kundërshtarët e tij. E gjithë kjo ekspoze e shkurtër, mungesa e qëndrimeve parimore, piruetet foshnjarake, tradhtitë e vogla dhe gënjeshtrat kokë më kokë që i tha gjithsecilit për listat, po i kthehen sot një ortek të pakontrollueshëm.
Zërat publikë që e mbështetën në çadër po i transformohen furishëm në kritikë. “Armiqtë” brenda partisë po tubohen dhe po kërkojnë largimin e tij. Të gjithë ata që është munduar të neutralizojë veç e veç, po konvergojnë në një kor, kënga e të cilit do të dëgjohet gjatë të gjithë zgjedhjeve.
Pikërisht këtë situatë shfrytëzuan sot Topalli dhe Imami për ta sulmuar kryetarin se ai po ndërton një parti klienteliste për përfitimet e veta familjare. Ata shkuan edhe më tej, shpallën zhbërjen e PD-së së dhjetorit ’90 duke u nisur nga fakti se në listat e këtij maji mungonin themeluesit e PD, mungonin edhe qëndrestarët e opozitës 1997-2005 edhe ministrat e qeverisë së fundit të Berishës.
Natyrisht që mënyra se si Basha u soll me kastën e vjetër të partisë, pa u konsultuar me askënd, pa mbledhur forumet, duke i ndëshkuar personalisht dhe në mënyrë arbitrare është një turp. Por, shumëkush me të drejtë mund të thotë: Po a nuk i kanë kërkuar shumë njerëz për vite me radhë që, pavarësisht nga forma, të bëjë pikërisht këtë gjë? A nuk i kanë kërkuar rinovimin e partisë? A nuk e kanë akuzuar se nuk është i aftë të ndahet nga e shkuara? A nuk e kanë yshtur të bëjë divorc me gjithçka që simbolizonte berishizmin?
Po, kjo është e vërtetë, por deri më tani kreu i PD-së nuk ka ndjekur këtë rrugë. Emrat që ai ka nxjerrë në pension, dhe që po reagojnë sot, ai i ka spastruar më tepër si kundërshtarë personalë sesa në bazë të një filozofie.
Nëse se do të donte të ndahej vërtet nga berishizmi, ai duhet ta kishte denoncuar publikisht si frymë dhe jo me eliminime pas shpine. Dhe mbi të gjitha ai nuk mund ta bënte këtë duke lavdëruar mbretin dhe duke i dënuar oborrtarët. Pra ai nuk mund ta mbante Berishën në listë duke e ndarë nga bashkëpunëtorët.
Pikërisht kjo mungesë parimësie, këto taktika meskine, këto dredhi që përligjin manovra të vogla, por nuk ndërtojnë dot qëllime të mëdha, po e zhbëjnë liderin e PD-së në sy të të gjithëve.
Ai po futet në këto zgjedhje me një PD më të përçarë se kurrë.
Ai çuditërisht arriti të bëjë sot bashkë kundër vetes dhe një çift të papajtueshëm prej një dekade e gjysmë në PD, si Topalli me Imamin. Ai arriti bëjë bashkë, korifenjtë e PD-së tradicionale, bashkëpuntorët e Berishës dhe gazetarët e frymëzuar prej tij.
Në këtë pike, ai, po e çon PD-në drejt një disfate të sigurt në 25 qershor. Më keq akoma, ai, po rrezikon të ndajë partinë në dysh.
Dhe në këtë pikë duket se disfata e tij është e pashmangshme.
Por, paradoksalisht Bashës i mbetet edhe një rrugë. Çuditërisht ai ka ende edhe një gur të fundit në dorë. Ai ruan akoma të drejtën të thotë se thirrjet kundër republikës së vjetër, se spastrimet që bëri me listat, ishin lëvizje që shkonin në të njëjtin drejtim. Pikërisht në atë rrugë që i kanë kërkuar shumë zëra publikë. Në domosdoshmërinë për tu ndarë nga e shkuara.
Atij tani i mbetet vetëm të argumentojë, se Topalli, Imami, Ruli, Bode, Patozi, Bregu, etj., nuk u larguan se i bënin hije. As se kryetari i ri donte njerëzit e tij apo se i shërbente interesave familjare. Ai duhet të dalë publikisht dhe të mbrojë se ata i hoqi si ikona të berishizmit. Si pjesë e dështimeve të së shkuarës. Por, kjo rrugëdalje i kërkon edhe një sakrificë fundore. Ndarjen edhe publikisht nga Berisha. Divorcin final me të.
Vetëm kështu Basha mund të ketë dhe një shans. Vetëm kështu ai mund të synojë të rikuperojë besimin e publikut. Natyrisht, për shumëkënd, kjo do të qe një çmenduri. Pas dhjetëra plagëve të hapura, pas gjithë atyre konflikteve që gëlojnë, një përplasje më shumë me liderin historik, për më tepër gjatë fushatës, do të qe e barabartë me një disfatë të sigurt.
Kjo është e vërtetë. Por në pikën që Basha e ka sjellë punën, kjo mund të jetë rruga e vetme. Tashmë anija e PD-së po fut ujë nga të gjitha anët. Dhe atij i kanë mbetur vetëm dy zgjedhje: të mbytet si frikacak ose të mbytet me dinjitet.
Nëse zgjedh të parën fati i tij politik do të jetë në pikëpyetje. Ndërsa, nëse zgjedh të dytën, ai i ruan vetes shansin, për t’u ringritur sërish, pas disfatës që do të pësojë në 25 qershor. (Lapsi.al)