Mbrëmjen e djeshme, historiani Paskal Milo, i ftuar në “360 Gradë” në “Ora News”, bëri me dije se Gent Cakaj i ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme kryeministrit Rama. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Milo është i mendimit se vendimi i kryeministrit Rama për të larguar nga qeveria Bushatin, është përfundimtar.
“Unë personalisht mendoj që me gjithë respektin që kam për ministrin Bushati, mendoj që vendimi i Ramës për ta larguar nga qeveria është përfundimtar. Besoj që nuk do të jetë më pjesë e qeverisë.
Sa i përket zëvendësimin e z.Bushati, unë do t’ju them që opsionet mund të jenë dy-tre. Me sa jam në dijeni, z.Cakaj i ka dorëzuar sot dorëheqjen kryeministrit. Dorëheqja sipas informacionit që kam unë, është e parevokueshme në rastin kur z. Cakaj do mbesë në pozitën e zv/ministrit të Jashtëm.
Unë mendoj se janë disa variante të njohura të qeverive nga vitet e mëparshme. Një variant mund të jetë varianti grek i Cipras, që Rama të bëhet edhe ministër i Jashtëm. Varianti i dytë mund të jetë një propozim i ri i kryeministrit për ministër të Jashtëm. Duke njohur vullnetin dhe tipin e kryeministrit Rama, besoj se ai do të përpiqet të bëjë një zgjedhje sui-generis, që e ka pasur mendje si plan B”, përfundoi ai.