Gazetarja Klodiana Lala tha sonte se ishin veprimet dhe mosveprimet e prokurorisë ato që liruan me arrest shtëpie të arrestuarit në Lezhë, për abuzim me pronat në bregdet.
E ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, Lala tha se “prokuroria, e ndikuar politikisht, apo për shkak të ndërhyrjeve, presioneve, apo edhe të paaftësisë, këtë s’di ta them, i ka lënë këto akuza dhe ka lënë hapësira ligjore duke i lënë mundësi gjykatës ta ndryshojë vendimin dhe t’i dërgojë në arrest shtëpie”.
Gazetarja sqaroi se prokuroria vërtet nga 2017 ka hetuar për këtë dosje, por ka ngritur dy akuza për këta persona, shpërdorim detyre dhe falsifikim, në një kohë që s’ka ngritur akuzën e bashkëpunimit.
“Kjo tregon se e gjithë kjo rrëmujë, që do duhet të kishim akuzë për korrupsion, prokuroria s’e ka bërë, është mjaftuar duke hartuar disa akuza dhe duke lënë hapësira ligjore, për ta katandisur këtë dosje në pafajësi…” deklaroi Lala.