Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka kaluar një moment të sikletshëm gjatë një konference për mediet, teksa u prit në një takim në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Një gazetar i pranishëm në konferencë, i kujtoi kryeministrit grek se në vitin 2016 kishte thënë në kuadër të mundësisë së fitores së Trump, se “shpresonte që të mos përballeshin me një ligësi të tillë”.
Por, Donald Trump u tregua mjaft i qetë, teksa tha:
“Shumë vende kanë qenë mjaft nervoze në fillim dhe unë mund të them se kam marrëdhënie mjaft të mira me krerët e çdo vendi me të cilin m’u desh të përballesha. Arsyeja përse ata ishin të shqetësuar lidhet me faktin që unë nuk do të lejoj që ndaj vendit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfitojnë kaq shumë vende të tjerë anembanë botës”, tha Trump.
Edhe kryeministri Tsipras u tregua mjaft optimist dhe pozitiv ndaj takimit, ndërsa tha se presidenti amerikan vazhdon traditën e demokracisë dhe lirisë:
“Ne kemi vlera të përbashkëta. Mos harroni se demokracia dhe liria lindën në Greqi dhe këto janë dy prej vlerave që përshkojnë kulturën dhe traditën amerikane. Presidenti tani e vazhdon këtë traditë”, u shpreh Tsipras.
Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë dha sinjale pozitive për Athinën e tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Greqinë, ndërsa vendi rimëkëmbet nga kriza ekonomike.
Ai e vlerësoi Greqinë për shpenzimet në fushën e mbrojtjes si anëtare e NATO-s dhe shtoi se Amerika mund t’i shesë Athinës avione luftarake F-16, me një vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, një veprim që, sipas Presidentit, do të krijonte mijëra vende pune në Shtetet e Bashkuara.