Gazetari austriak Florian Klenk, ka zbuluar detaje të rënda sa i takon sulmit terrorist në Vjenë. Ai është shprehur se një nga autorët e sulmit terrorist është me origjinë shqiptare, nga Maqedonia e Veriut. Sipas tij, bëhet fjalë për shtetasin Kurtin. S., 20 vjeç. Ky i fundit ka qenë në vëzhgimin e shërbimit sekret, pasi ishte në grupin e 90 islamikëve austriakë që donin të shkonin në Siri.
“Tani kam hulumtuar disa detaje rreth terroristit. Emri i tij është Kurtin S., i lindur në 2000, ishte 20 vjeç, u lind dhe u rrit në Vjenë dhe ka rrënjë shqiptare. Prindërit e tij vijnë nga Maqedonia e Veriut, dhe nuk bien në sy kur bëhet fjalë për islamizmin.
Ai ishte në radarin e shërbimit sekret, sepse ishte një nga rreth 90 islamikë austriakë që donin të udhëtonin në Siri. Ai u ndalua ta bënte këtë në korrik. Policia nuk i besoi atij që po planifikonte një sulm terrorist në Vjenë”, tha ai.
Persona të armatosur hapën zjarr ndaj qytetarëve që kishin dalë për të shijuar një mbrëmje të fundit në Vjenë, përpara se të hynin në fuqi masat e ndalim-qarkullimit për koronavirusin të hënën.
Policia tha se disa të shtëna u qëlluan pak pas orës 8 në mbrëmje, në një rrugë me shumë lëvizje në qendër të qytetit, dhe se zjarri ishte hapur nga gjashtë pika.