Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënoi ashpër sjelljen ndaj gazetarëve të Kryeministri Edi Rama kur i quajti këta të fundit, “budallenj”, “të pa aftë” dhe “injorant”. Basha me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” shkruan se sulmi agresiv, banaliteti rrugaçëror dhe kërcënimet kundër gazetareve faktojnë çekuilibrimin psikik që ka Edi Rama kur nuk arrin ta fshehë të vërtetën tronditëse as nga vetja e tij. Basha vijon duke thënë se sulmi ndaj gazetarëve është dhunë jo vetëm ndaj tyre, por dhunë ndaj gjithë shoqërisë, e cila pa gazetarinë dhe pa fjalën e lirë përfundon në errësirë dhe skllavëri.
Postimi i plotë i Bashës
Sulmi agresiv, banaliteti rrugaçëror dhe kërcënimet kundër gazetareve faktojnë çekuilibrimin psikik që ka Edi Rama kur nuk arrin ta fshehë të vërtetën tronditëse as nga vetja e tij. I marrë peng nga Saimir Tahiri dhe i kthyer në një lolo nga kriminelët që i diktojnë vendim-marrjen politike, Edi Rama sot ka humbur çdo lloj ekuilibri psikik dhe njerëzor, ndaj po ushtron dhunë verbale kundër çdokujt që i duket se sfidon pushtetin e tij.
Sulmi ndaj gazetarëve është dhunë jo vetëm ndaj tyre, por dhunë ndaj gjithë shoqërisë, e cila pa gazetarinë dhe pa fjalën e lirë përfundon në errësirë dhe skllavëri.
Përgjigjja më e mirë ndaj kësaj dhune, është kurajë për të zbuluar dhe thënë të vërtetën. Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për të vërtetën dhe për kurajë përballë të keqes. Në betejën për liri, të drejta dhe dinjitet ne jemi të gjithë bashkë, unë dhe opozita jemi në krah të çdo gazetari kurajoz si ata që nuk e gëlltitën me turp rrugaçërinë e Ramës sot. Bashkë, nuk ka bandit as lolo banditësh si Edi Rama që mund të na trembë apo nënshtrojë.
Më herët, kryeministri Edi Rama
pasi doli nga seanca plenare ku u vendos për mosarrestimin e ish-ministrit të Brendshëm iu është drejtuar gazetarëve me fyerjet nga më të rëndat duke e cilësuar “budallenj”, “injorantë”, “të paaftë” etj.
Kryeministri Rama ka paraqitur një gjendje krejt të rëndë mendore duke mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi vendimin e Kuvendit për mosarrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por duke e shndërruar gjithçka në fyerje dhe denigrime ndaj gazetarëve. Rama nuk ka arritur t’i përgjigjet asnjë pyetje në raport me pozicionin që e kushtëzon atë si kryeministër, por interesimin e gazetarëve e cilësoi si një injorancë.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155253380261523/
“E kuptoni që pyetjet tuaja bëhen nga paditura. Jeni kaq të paditur, sepse, edhe pse nuk keni detyrën t’i njihni ligjet, rregulloret, pasi nuk janë pjesë të formimit tuaj tyre, puna juaj ua kërkon dhe duhet t’i dini. Po flisni përçart! Ju jeni për të qarë hallin. Ku jeni ju në këtë mes? Është detyra ime që t’ju përgjigjem juve si ma do e bardha zemër. Ju keni të drejtë të pyesni dhe unë ju përgjigjem siç dua unë. Ju ku jeni në këtë mes? Ju duhet të kërkoni dhe të hetoni mbi atë çfarë thuhet. “Jo tha ai, u shpreh ky”. Roli juaj nuk është të amplifikoni thashethemet! Ju e ngrini dhe e ulni si ju teket! Ju jeni pjesë e kazanit dhe llumit të madh mediatik. Unë tani jam këtu që t’ju them që duhet të lexoni dhe mësoni”, ishte lumi i fyerjeve të kryeministrit ndaj gazetarëve.