Disa kryebashkiakë janë djegur nga ligji i dekriminalizimit. Kryebashkiaku i Gramshit është emri i radhës i cili rrezikohet nga dekriminalizimi, pasi ka fshehur hetimin për vjedhje tek një klinikë private në 2009.
Po cila është zanafilla e këtij rasti?
Klodian Tace, i zgjedhuri i Partisë Socialiste në Gramsh, ka fshehur në formularin e dekriminalizimit; hetimin për vjedhje nga prokuroria e Tiranës në vitin 2009. Ai rezulton i pafajshëm për akuzën në fjalë. Megjithatë ka qenë nën hetim, por këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Dosja.al ka siguruar ekskluzivisht materialin e plotë hetimor të Prokurorisë ku Tace ka firmosur se nuk ka qenë kurrë nën hetim nga organet shqiptare të hetimit.
Kjo dosje është një njollë e zezë për të, duke e bërë pjesë e listës së kryebashkiakëve që kanë manipuluar me dokumentet zyrtare. E për rrjedhojë kanë lënë mandatin.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 28 shkurt 2009, ku shtetasja Ledina D., ka kallëzuar në Prokurori se rreth orës 16:00, në qendrën shëndetësore ku ajo punonte si recepsioniste, kanë shkuar dy teknikë kompjuterash, Sokol V., dhe Klodian Tace, që tashmë është kryetar Bashkie në Gramsh.
“Dy teknikët e kompjuterave shkuan për të kontrolluar dhe rregulluar pajisjet e klinikës. Në një moment, Ledina D., ka dalë nga vendi i saj dhe Klodian Tace i ka kërkuar kodin e hyrjes së kompjuterit për ta kontrolluar. Pasi ajo ka shkuar, i ka dhënë kodin dhe është kthyer tek kolegët e saj me të cilët po qëndronte.
Kur u kthye në tavolinë vë re sirtarin e hapur, ku mungonin paratë. Ajo akuzoi asokohe dy teknikët e kompjuterave, por prokurorja Gashi e pushoi çështjen, pasi ka qenë i pamundur identifikimi i autorëve”.
Tace ka fshehur hetimin duke falsifikuar kështu formularin, dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, konkretisht neni 190 parashtron se:
Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.