Duket se abuzimi me pronat në Lezhë ka qenë një çështje që hetohej prej kohësh, madje ajo u paralajmërua edhe nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ky i fundit ka paralajmëruar arrestimin e bujshëm të Frrokajt, teksa më 15 shkurt deklaroi se ‘do të kishte arrestime lidhur me akuzat për abuzime dhe tjetërsime të pronave’, ndërsa më 17 shkurt nga qyteti i Lezhës, Xhafaj tha se ‘shumë shpejt përgjegjësit do të dilnin para drejtësisë’.
“Dua t’ju them që jam i shqetësuar, ua thashë edhe njerëzve të Policisë për disa abuzime që janë bërë me tokat këtu, me pronën publike, me vijën bregdetare në zonën e Lezhës posaçërisht. Besoj që hetimet që janë duke u zhvilluar, janë në proces, besoj që do të jenë eficiente, do të jenë të suksesshme. Janë hetime që po bëhen bashkë me Prokurorinë këtu dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dhe unë shpresoj dhe besoj fort që shkaktarët e kësaj batërdie do të vendosen përpara përgjegjësisë penale”, tha në atë kohë Xhafaj.
Fran Frrokaj u arrestua mesditën e sotme, ndërsa kryebashkiaku i djathtë akuzohet për ‘tjetërsim prone’.
Bashkë me të janë shoqëruar edhe 23 persona të tjerë, mes të cilëve janë kryer 5 arrestime, ndër ta edhe Frrokaj.