Përballje yjesh. Franca dhe Belgjika do të përplasin “brinjët” për një biletë në finalen e madhe të Moskës më 15 korrik. Nga njëra anë janë “Djajtë” të cilët do të prezantohen me Lukakun, Hazard dhe De Bruyne, ndërsa nga ana tjetër “Gjelat” me treshen Griezmann, Mbappe dhe Giroud. Botërori ka arritur në fazën finale dhe është momentin ku nuk ka vend për gabime, gjithçka duhet interpretuar në mënyrë perfekte për të prekur finalen.
Në Shën Petersburg do të zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale, një ndeshje që vë përballë sulmin më të mirë në botë dhe dy ekipet me më shumë talente. Franca vjen në këtë ndeshje pasi ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani, ndërsa Belgjika ka njohur vetëm shijen e fitores.
Belgjika ka një armë që mund tu shkaktojë shumë dëme francezëve, por që rrezikon edhe të kthehet në një legjendë të urryer. Është Thierry Henry që do të përballet me Francën e tij, që në 1998 e shpalli kampion bote dhe sot është në misionin për t’ia hequr mundësinë të prekë finale. Ai është zëvendës trajner dhe ka meritat kryesore që sulmi belg është kaq i rrezikshëm.
Nga ana tjetër në këtë ndeshje do të vendosë drejtësi uruguaiani Andres Cunha. Një fat aspak i mirë për francezët të cilët janë gjykuar vazhdimisht nga arbitra me kombësi të skuadrave që ka eliminuar. Kujtojmë që një argjentinas vendosi drejtësi në përballjen me Uruguain dhe Franca kishte eliminuar Argjentinën në 1/8-at, ndërsa tani një uruguaian.
Sa u përket formacioneve, Didier Deschamps me shumë mundësi do të aplikojë skemën 4-2-3-1 me Lloris në portë, Pavard, Varane, Umtiti e Hernandez në mbrojtje në qendër të mesfushës janë Pogba e Kante, ndërsa Mbappe, Griezman e Matuidi pritet të jenë në mbështetje të Giroud.
Te Belgjika, Martinez do të përgjigjet me skemën 3-4-2-1 me Courtois në portë; Aldervajerld, Kompany e Vertonghen në mbrojtje. Në mesfushë Carrasco do të luajë në vend të Meunier të skualifikuar së bashku me Fellainin, Witsel e Chadli. De Bruyne dhe Hazard do të jenë në mbështetje të Lukakut.