Rrugëtimi nga shtëpia në punë për qytetarët e Tiranës, të cilët duhet të marrin urbanin e “Tiranës së Re” është kthyer në një makth dhe stres të përditshëm.
Përveçse duhet të presin që në mëngjes të paktën 15 minuta në stacion, qytetarët përballen edhe me një mbingarkesë për shkak të vonesave të kësaj linje.
Por, ka edhe më keq! Gjysma e njerëzve që mezi presin të mbërrijë urbani, mbesin sërish pa hipur për shkak të mbipopullimit. Madje, shumë prej qytetarëve fillojnë të debatojnë me njëri-tjetrin teksa kërkojnë të zënë një hapësirë mjaft të vogël, në mënyrë që të mbërrijnë në punë në orarin e caktuar.
Një qytetar ka nisur disa foto në redaksinë e Tirana Today, teksa ngre këtë shqetësim dhe shkruan:
“Përditë i njëjti avaz. Lekët i paguajmë një më një, por siç e shihni në foto, këtu s’ia vlen të hipësh as falas, por nga halli s’kemi ç’të bëjmë. Është kthyer në stres të përditshëm ky muhabet, duhet të presim 15 minuta në stacion për linjën ‘Tirana e Re’ e më pas s’kemi as ku hipim! Po na trajtojnë si lopët!”./ Tirana Today