“Ndërlikimet që vijnë nga moskurimi i diabetit”
Diabeti, që prej kohësh është kthyer në një sëmundje të përhapur në të gjithë botën, është kthyer në një çështje shumë të ndjeshme edhe në shoqërinë shqiptare. Nisur nga rreziqet që sjell mosmjekimi i diabetit, është me shumë rëndësi që më së pari qytetarët të dinë se çfarë është diabeti? Njëkohësisht, vlen të ndërtojmë edhe një guidë pyetjesh që të kemi mundësinë të kuptojmë nga se shkaktohet, çfarë ndodh nëse nuk e pandalojmë në kohë, e mbi të gjitha, edhe si mund ta kurojmë. ? Endrokrinologu Dashamir Gjergji jep për Tirana Today disa sqarime të rëndësishme.
Doktor Gjergji, a mund të na shpjegoni, çfarë është diabeti i sheqerit dhe sa të prekur janë qytetarët edhe në vendin tonë?
Eshtë e vërtetë që diabeti i sheqerit është kthyer në epidemi botërore, si shkak i shumëfishimit te rasteve të prekura nga kjo sëmundje. Për ta shpjeguar më thjeshtë, në terma të qarta, mund të themi se, diabeti i sheqerit është sëmundje kronike që karakterizohet me nivele të larta të sheqerit në gjak. Sheqernat që ne marrim nëpërmjet ushqimeve janë të domosdoshme që organizmi t‘i kthejë në energji dhe të funksionojë. Sheqernat që marrim nëpërmjet regjimeve ushqimore përthithen nga sistemi tretës kthehen në gjak dhe nëpërmjet disa produkteve të tjera hormonale dhe biokimike bëhet e mundur që këto sheqerna të shkojnë në qelizën përkatëse si përshembull: tru, muskuj, veshka. Aty përpunohen dhe përftohet energji. Tek diabetikët niveli i sheqerit është tepër i lartë në gjak por është tepër i pakët në qeliza ndaj këtu është gjithë esenca e problemit tek këto të sëmurë. Për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen më tej me këtë diagnozë, vlen të themi se, kemi dy lloj tipesh të diabetit: diabeti i fëmijëve dhe diabeti i të rriturve.
E trashëgueshme është sëmundja e diabetit?
Sëmundja e diabetit sigurisht që ka në gjenezën e vet elemente të mosfunksionimit të mirë të gjeneve kryesisht diabeti tip 2 është sëmundje e pastër gjenetike, por edhe tipi 1 ka një komponent të lehtë të ndikimit gjenetik, kur themi me predispozitë gjenetike nënkuptojmë që në një moment të caktuar gjenet që ne trashëgojmë humbasin aftësinë për të sinjalizuar e për të mbajtur në kontroll vlerat e sheqerit në gjak.
A mund të na përshkruani shenjat e para tek një person diabetik?
Shenjat e para klinike që shfaqen te diabetikët zakonisht kanë të bëjnë me ndryshimet e nivelit të sheqerit në gjak dhe sa më i lartë të jetë ky nivel aq më shumë do të manifestojë etje, urinim të shpeshtë dhe rënie në peshë. Shenjë tjetër treguese e diabetit është edhe shtimi i oreksit. Nuk duhet të harrojmë se diabeti në tërësi përveç këtyre shenjave mund të ketë dhe nervozizëm, irritim, çrregullime të pamjes, debulesë, përgjumje, infeksione në urinë e lëkurë, etj.
Cilat ushqime duhet të shmangin dabetikët?
Të prekurit nga diabeti nuk duhet ti konsumojnë ushqimet e përpunuara me bazë sheqeri, ku përfshihen ëmbëlsirat në tërësi, pijet e ëmbla, produkte të tjera të gatshme me bazë sheqeri apo fruktozë, pijet e gazuara me sheqer, lëngjet e frutave jo natyrale, akulloret dhe çokollatat me përmbajtje të vogël kakaoje. Gjithashtu duhet të reduktohen në maksimum produktet me përmbajtje të lartë yndyrore. Nuk duhet të konsumohet sallam, sallo derri, proshutë me dhjam, gjalp, majonez dhe produkte të tjera të industralizuara në fast-food, nuk duhet të konsumohen ushqime të skuqura dhe duhet të orientohen drejt ushqimeve të lëngshme pak të përgatitura dhe me përmbajtje të ulët të kalorive. Gjithashtu diabetikët duhet të kufizojnë në maksimum sasinë e alkolit dhe pa harruar që kur vlerat e sheqerit në gjak janë shumë të larta duhet të eleminojmë plotësisht alkoolin.
A kenin disa këshilla praktike për t’u ruajtur nga diabeti?
Ushqyerja te diabetikët nuk ndryshon shumë më ushqyerjen normale si tek jo diabetikët. Çdo diabetik sidomos tip 2, që ka si bashkëshoqëruese dhe mbipeshën, duhet të ulë nivelin e kalorive me të paktën 500 k /kl në ditë, duhet të ruajnë një raport normal mes marrjes së sheqernave, yndyrnave dhe proteinave, duhet të dominojnë karbohidratet apo sheqernat natyrale të cilat rekomandojmë të merren nëpërmjet drithrave, frutave, perimeve, zarzavateve etj. Lidhur me yndyrnat dhe këtu mirë do ishte që ky burim energjetik të sigurohet nga produkte sa më natyrale siç mund të jenë yndyrnat që merren nëpërmjet qumështit, kosit, vezëve, mishit, pa harruar këtu dhe fitosterolet ku si produkt të pëlqyer për diabetikët ne rekomandojmë përdorimin e arrave, bajameve, kikirikëve, soja, fistik etj. Duhet të bëjmë kujdes që të kufizojnë në maksimum marrjen e yndyrnave nga produktet e gatshme në totalin e yndyrnave ditore. Nuk duhet të marrin më shumë se 10% të këtyre yndyrnave, vaji i ullirit mbetet jo vetëm ushqim mesdhetar por edhe “doktori” ose mbrojtësi i jetës së çdo diabetiku, por kujdes sasinë jo më shumë se 2-3 lugë vaj ulliri në ditë. Ushqyerja e diabetikëve duhet të jetë e ekulibruar dhe me likide ku duhen kufizuar ushqimet e thata si fast-food dhe produktet e gatshme.
Si mund ta parandalojmë diabetin?
Diabeti parandalohet në tre mënyra. Parandalimi parësor konsiston në edukimin që e gjithë shoqëria merr dhe shërben me faktorë të tjerë të interesit në këtë fushë, e thënë shkurt mesazhi i këtij parandalimi nënkupton që e gjithë popullata duhet të bëjë një jetë të shëndetshme me ushqime natyrale dhe normal me aktivitet fizik të përllogaritur në varësi të grupeve shoqërore si dhe larg stresit e problematikave të tjera individuale dhe shoqërore. Parandalimi dytësor i diabetit nënkupton se duhet të diagnostifikohen sa më shpejt rastet më diabet, pra ne si struktura mjekësore të kërkojmë diabetikët tek ato grupmosha që ne i konsiderojmë si grupe rreziku dhe sa më shpejt të diagnostikohet diabeti, sa më shpejt të fillohet mjekimi aq më pak probleme do manifestojnë ato në ecurinë e mëtejshme, hallkë e zinxhirit që nga diagnoza deri në parandalimin e komplikacioneve konsiderohet parandalimi tretësor.
Po si ta kurojmë?
Kurimi i diabetit realizohet nëpërmjet gërshetimit të disa faktorëve terapeutik. Në bazë të tyre është mjekimi me barna dhe insulinë. Ky është atribut i specialistit diabetolog të përzgjedh mjekimin përkatës në varësi të çdo rasti, pjesë e mjekimit të diabetit është diabetoterapia, pra si duhet të ushqehen. Siç dhe e sqaruam më lart diabeti nuk mund të kurohet vetëm me barna dhe dietë, meqënëse rol luan dhe një jete aktive fizike ndaj rekomandojmë të kryejnë lëvizje nga 30-45 minuta pesë ditë të javës, kohët e fundit në botë po i mëshohet shumë dhe edukimit të diabetikëve si një çelës suksesi në trajtimin dhe vetmonitorimin apo matja e vlerave të sheqerit konsiderohet si një gur i rëndësishëm jo vetëm monitorimit por edhe kurimit të diabetit.
Moskurimi i diabetit në kohë shkakton pasoja. Mund të thoni disa prej pasojave?
Në qoftëse diabeti nuk kurohet në kohë, në qoftëse nuk e marrin seriozisht problemin e tyre, ndodh që herët a vonë këto të sëmurë të rrezikojnë t’u shfaqen ndërlikime të menjëhershme dhe kronike. Jo rrallë herë mund të jenë dhe vdekjeprurëse. Në dëmtimet kronike diabeti prek më tepër enët e gjakut, nervat dhe thuajse çdo qelizë të organizmit. Organet ku le më shumë shenjë shkatërruese diabeti janë sytë, dëmtime nga më të lehtat deri në verbim, veshkat që mund të arrijnë deri në dializë, dëmtim të zemrës, infarkte, tension i lartë i gjakut, pllaka aterosklerotike etj. Nga diabeti për fat të keq mund të gjymtyrohen dhe të invalidizohen ku përfundojnë në sëmundje të renda infektive gangrene kryesisht të gjymtyrëve që më vonë amputohen apo cungohen.
Cilat janë gjërat që duhen të kenë parasysh diabetikët në ditët e nxehta?
Në këtë stinë krahas këshillave që ne dhamë, diabetikët duhet të bëjnë kujdes në ruajtjen e barnave sidomos insulinës, të mbahet në temperaturë normale, të shtojnë përdorimin e ujit dhe lëngjeve, të shtojë matjet e nivelit të sheqerit, të evitojë daljen në diell në periudhën e mesditës ku rrezatimi është i dëmshëm. Po ashtu, të bëjnë kujdes në higjenën e trupit dhe ushqimet që përdorin, të perdorin syze dielli, të përdorin kremra mbrojtës, të mos ecin zbathur dhe mbi rërën e nxehtë si edhe të qëndrojnë në ambjente të freskëta ku më shumë frekuentohet klima malore. /A.B/