Nga: Agron Gjekmarkaj
Turp për këdo që përqesh Flamurin! Të duash Flamurin nuk do të thotë të aprovosh gjithçka që vendi e populli i tij bën.“Të duash atë është mirënjohje për lirinë”, u pat thënë Presidenti Kenedi bashkëkombësve të vet.
Liria është një cak sublim për një popull po aq sa e vërteta, flamur mbi të cilin Shopenhauer na udhëzon të falemi mbi të. Para se në realitet të zbresim për të nderuar zbuluesin e Flamurit tonë, Faik Konicën, dhe mbrojtur veten nga rrufetë e patrioteve të ndezur, po e citoj rilindësin e epërm tek u jep një përgjigje xhonturqve: Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë?!
Nuk janë kujtime goditjesh kundër fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh. Janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsinë e gjithë popujve të qytetëruar. “Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botes, është dhe një nga më të drejtët”. Për fat të keq, shqiptarët në një pjesë të madhe të historisë së tyre si shtet i pavarur nuk kanë pasur akses të barabartë te Flamuri. Frati i kujtimeve At Zef Pllumi ka një përjetim unik për metamorfozën e Flamurit teksa rrëfen Nëntorin 1944: “Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vû ‘trobojnica’”.
Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. “Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan: Duam të hipim në këmbanare”. Dhe këtu historia merr një tjetër udhë, atë të ideologjisë totalitare, ku për 46 vjet me fjalët e Françeskanit “Ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si një kufomë”. Kjo më kujtohet kur pas 32 viteve pluralizëm përpëlitemi për dosjet e diktaturës ende të pahapura, por ashtu të mbyllura si mjete shantazhi, depersonalizimi e balte mbi identitetin e një shoqërie, e cila vuan dilemën e Flamurit të lirisë kombëtare apo të së vërtetës publike. Fjala spiun që vërtitet si çamçakëz në gojë, është Flamuri i retorikes aktuale.
Të tunden dosjet që ky Flamur të paloset në sirtarin e së shkuarës bashkë me faturën e vet morale. Flamurin gjithmonë e rrëmben pushteti, i cili akuzon pothuaj njësoj me të njëjtin fjalor kundërshtarët, opozitën si shpërdoruese e tij, e interesave e dinjitetit kombëtar, e integritetit dhe e integrimit, krenarisë dhe zulmës. E kjo ndodh sa herë pushteti me natyrën e tij asgjësuese e rrëmbyese ka nevojë ta përdorë bezen e kuqe me shqiponjë dykrenare në mes si gjethe fiku, si mbulesë e gënjeshtrave, korrupsionit, arrogancës, manipulimit të votës, dhunimit të kundërshtarit e plot cene të tjera. Pushteti vendos patriotët në qiellin e epërm të Parajsës dhe tradhëtoret në baltën e Ferrit ku zhgërryhen si derra.
Nuk janë aktet ligjore që ia mbrojnë dinjitetin Flamurit, i cili shumë herë përdoret si te romani i famshëm i Balzakut “Lëkura e Shagrenit” ose në shqip, e fundshpines së gomarit me cilësi magjike për të realizuar dëshirat në rastin tonë të atyre që na qeverisin apo të tarafit ngjitë me ta, ku pas çdo dëshire të shprehur e të realizuar ajo ngushtohet, zvogëlohet, tretet derisa nuk mbetet më asgjë. Lëkura Flamur e Flamuri lëkurë! Por të dashur kolegë, kur Shqipëria keqqeveriset dhe korrupsioni është fjala magjike, Flamuri zvogëlohet. Sa herë mijëra shqiptarë ikin dhe vendi shpopullohet, Flamuri mbushet me vrima. Kur zgjedhje pas zgjedhjesh të vjedhura demokracia shndërrohet në iluzion, Flamuri mbetet në gjysmë shtizë!
Kur njerëzit vriten në plazh, në rrugë, në oborr shtëpie, në dyqan kur në vend te taksive sugjerohen autoblinda, kur krimi sundon policinë dhe vendos hegjemoninë, Flamuri shërben si mbulesë për arkivole shqiptarësh. Kur paraja publike merret për të pastruar mbeturinat nëpërmjet inceneratorëve, por në fakt ndyn gjithë etikën publike me vjedhjen e tyre, Flamurit i humbet ngjyra dhe zbërdhulet, s’ka lavatriçe që e kthen në fe.
Kur rrogat dhe pensionet janë mizerabël, kur pulsimet e stomakut mundin ato të ndërgjegjes, kur rrogat e mësuesve dhe të pedagogëve janë më të ulëtat në Europë bashkë me buxhetin për arsimin, kur rrëmuja administrative e shtyn hapjen e universiteteve në gjysmë të vjeshtës, kur shkollat ngjajnë si magazina, kur liria e medias kërcënohet, kur Gjykata s’ka lirinë të japë vendime, por mban peng opozitën, kur pushteti nuk kontrollohet më prej askujt e me asgjë, kur qytetari zgjedh patronazhimin para rebelimit Flamuri bëhet fërtele dhe himni kombëtar shndërrohet në simfoni.
Kush e respekton flamurin që i vogël, do të dijë ta mbrojë atë kur të jetë i rritur! Por nëse model është politikani lokal e qendror, me barkun lodër e mendjen kodër, që blen diplomën dhe kultivon bejte për injorancën nën gromësima birre, kur me akraballëk merr votën dhe postin, kur djali a vajza e pasanikut të pamund, me modelin e celularit a të makinës, me pijet e ditëlindjes apo fishekzjarrët e natës, vendos standardin, kur silikoni dhe bisturia rivalizojnë të bukurën, kur anarkia perceptohet si liri, kur tallavaja e hashashi në qoshe të pallatit në lagje apo në Londër janë adrenalinë hyjnore, atij për Flamur kurrë s’do t’i bjerë ndërmend.
Me këtë ritëm, fëmijët tanë do mësojnë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje, do të dinë emrin e Kryeministrit dhe ministrave po të asnjërit prej atyre që dhanë jetën që të kemi një Flamur! Emrat e dëshmorëve mund t’u ngjajnë me markat e produkteve blegtorale. Horizonti i një shteti apo kombi kësisoj bëhet i turbullt. Përgjegjësia bie mbi ata që bëjnë ligje, që shkruajnë rregulla, që ngarkohen për zbatimin e tyre, ata që prezantojnë vizione ekonomike, arsimore, urbane, kulturore, ata që të fusin dorën në xhep dhe se nxjerrin pa të kapë diçka, mbi ata që duhet të mbrojnë pronën publike dhe jo ta kthejnë në oborr të kullave të tyre.
Ajo bie mbi ne të gjithë këtu, por shumë më tepër mbi qeverinë, e cila mungon gjithmonë në përgjegjësitë e veta, por është prezent me Flamur në dorë duke rreshtuar justifikimet dhe akuzuar opozitën, e cila po qeveris keq vendin dhe qeverinë. Dhe në fund të nderuar kolegë po e mbyll këtë reflektim për “Ne, dhe Flamurin”, me një përcaktim të një burri që Shqipërisë i dha gjithçka dhe sundimtarët e saj i dhuruan plumbin!
E kam fjalën për At Anton Harapin, i cili gjykoi në vitin 1942 se “Përveç skeptikëve dhe apatikëve, ka dhe shqiptarë, të cilët, duke i lënë me një anë vlerat shpirtërore dhe ideale, po përpiqen pa masë që të modernizojnë dukjen (shfaqjen) dhe jo gënjen: gojën dhe fjalët, por jo mendimin: barkun e jo shpirtin, rrobat e paraqitjen dhe jo veprat e ndërgjegjen: me këta mos paça fjalë as punë: O Zot, mos ia qit kujt në hise, O Zot prapësoja Shqipërisë! Po ka dhe shumë të cilët njimend duan ta sjellin mbarë boten shqiptare. “Duan të vendosin idealet dhe kështu duke naltësuar dhe siguruar vlerat shpirtërore, duan të përtërijnë tërë jetën shqiptare bashkë me kërkesat ideale, duan të shtojnë dhe përmirësojnë edhe të mirat materiale. Zoti ua dhashtë të mbaren! I rrofshin Shqipërisë për të gjatë e mot”. Me gjasë për një paaftësi tonën shoqërore këtyre u rrëmbehet Flamuri nga dora, himni nga goja, Shqipëria nga ëndrrat, dhe në fund u mbetet vetëm shkopi që shumëkush s’e përdor mirë!