Mesfushori me origjinë shqiptare, Labinot Harbuzi, që humbi jetën ditën e sotme pas një goditje në zemër, kishte shoqëri me legjendën e futbollit suedez, Zlatan Ibrahimovic. Ai kishte një karrierë të pasur dhe pritshmëritë e tij ishin të larta, saqë u konsiderua si e ardhmja e futbollit suedez.
Ibrahimovic në një intervistë për Sportbladet në vitin 2009, kishte thënë se ai e shihte Harbuzin si të ardhmen e kombëtares A të Suedisë. “Labinot Harbuzi? Mendoj që shumë shpejt ai do të jetë në Kombëtaren A të Suedisë. Ai është talent, luan në pozita të ndryshme.
Ai është futbollisti që i duhet Suedisë. Ne nuk kemi nevojë për 11 lojtarë, por kemi nevojë për tre apo katër të mirë, me të cilët mund të kompletojmë kombëtaren”, ka thënë Ibra për këtë gazetë.
Por, duket se gjërat nuk shkuan edhe aq mirë për Harbuzin, sidomos pas transferimit të tij në Turqi, me skuadrën Gençlerbirliği, me të cilën ai humbi shumë si lojtar. Pas kësaj, në vitin 2016 luajti në Malajzi, që sipas gazetës, e kishte bërë pasi paguhej shumë mirë.
Pavarësisht kësaj, Harbuzi do të mbahet mend si lojtari i parë që ka shënuar në stadiumin e ri të Suedisë, Swedbank Stadium.