Kjo ditë shkurti me diell është dita e ikjes tënde për në qiell, miku ynë i shtrenjtë Arben Fagu! Por është edhe dita jonë e pikëllimit të thellë, e dhimbjes në zemër e në shpirt…
Jemi të dërrmuar, sepse nënës do t’i mungojë djali, vajzës do t’i mungojë babai, gruas bashkëshorti, vëllai e motrës do t’u mungojë vëllai…
I dashur Arben! Ti ishe njeriu i vlerave humane, sportive e shoqërore, por kryevepra jote ishte modestia që ngjize tek dashuria për tjetrin, për shokun e fëmijërisë, për shokët e shkollës, për shokët e sportit, për miqtë dhe për publikun që të duartrokiti në pallate sporti, në oborre shkollash…kudo ku ti me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm ishe i pranishëm me punën tënde, me fjalën e mbajtur, me komunikimin dinjitoz, me arritjet sportive si basketbollist dhe si trajner.
Po të themi tani Beni… sepse Ben Fagu të thërrisnin të gjithë, djali i vogël i të madhit Besim Fagu, këtij tribuni popullor atdhetar, sportist, drejtues i sportit partizanas dhe atij kombëtar. Ti, i dashur Ben, e nderove babën e nënën, jeta jote ishte shprehja më e mirë e edukatës familjare dhe kontributi yt është edhe një vlerë shoqërore, është pjesë e historisë së sportit në këta 50 vitet e fundit…
Mbiemri Fagu ishte goxha me peshë për t’u mbajtur në fanellën sportive, por ti e mbajte me dinjitet. Ishte po aq një mbiemër me peshe në jetën shoqërore, por ti e mbajtje me përkushtim dhe kontribute dinjotoze.
I dashur Ben! E ke pikëlluar shumë Agimin….aq sa edhe fjalët janë bërë të vështira për t’u gjetur. Dhimbja t’i ngurtëson ato, por shpirti flet me duf, me lotë, me heshtje, me pikëllim, që ia lag syrin edhe burrit. Ben i dashur, Ben i shtrenjtë, Beni engjëll, gruaja dhe vajza janë këtu.
E dimë se kur e lëshove frymën e fundit, Zotit iu lute për to, por vajza do të rritet dhe do të jetë krenare kur kodo do t’i thonë vajza e Arben Fagut.
Vështirë e kemi, Ben, se shpirtin e kemi copë, por duhet t’i themi edhe ca fjalë. Ky mort, që askush nuk e donte, tronditi shoqërinë, ngado mesazhe ngushëllimi, lule, kurora, fjalë zemre dhe vlerësime.
Ben, ikja jote nga kjo jetë po përcillet nga të gjithë duke dëshmuar se sa respekt kishe krijuar edhe ndaj kundërshtarëve të fushës së lojës, sepse ti ishe burrëror në ndeshje dhe miqësor në marrëdhënie. Njeriu që nuk bëri kurrë marrëveshje me të keqen, me mediokritetin, me meskinen. Ishe i hapur, kurajoz dhe trim.
Dashuri dhurove, dashuri ke marrë, dashuri po merr dhe do të marrësh edhe në amëshim. Parajsa nuk ka sekrete, është bota eshpirtrave të bukur, të pastër, dinjitozë, njerëzorë dhe të drejtë, të virtytshëm, ndaj dyert e saj janë të hapura nga sot për ty.
Ne, si dikur, në një ndeshje të zjarrtë, po të përcjellim me një duartrokitje të gjatë…
Lamtumirë, miku ynë i shtrenjtë Arben Besim Fagu!
Jeta është e shkurtër, kujtimet mbeten! Ti je gdhendur brenda nesh, ndaj do jetosh përjetësisht me atë buzëqeshjen tënde karakteristike që tregojnë mirësinë tënde aq të natyrshme!
Të pret qielli Beni ynë! Amëshimi është streha jote e fundit! Ne na mori malli për ty qysh tani!
Lamtumirë Ben!