Rasti i përdhunimit të 13-vjeçares në Kavajë nga tronditur mbarë opinionin. Një histori e pabesueshme, e neveritshme, ku 7 djem e shantazhonin të miturën të kryente marrëdhënie seksuale me ta. Në të kundërt do të shpërndanin një video intime të 13-vjeçares.
Prej ditës së shtunë, kur edhe u bë publik rasti, komentet, reagimet, paragjykimet, kanë qenë të shumta. Të gjithë kishin diçka për të thënë, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte tendenca për të drejtuar gishtin. Se kush duhet të fajësohet për këtë ngjarje.
Gjatë emisionit “Dritare”, drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri” bëri një deklaratë e cila duket se i ka ndarë njerëzit.
“Nëna të mendojë ku ka gabuar me vajzën. Vajza ka përsëritur gabimin, s’ka gjetur mbështetje tek nëna e saj. Nëse fëmija im gabon kam edhe unë fajin tim.”
Tirana Today pyeti sot qytetarët nëse është për tu fajësuar nëna e 13-vjeçares apo kjo është një deklaratë paragjykuese nga ana e drejtoreshës.
“Nuk më pëlqen fare deklarata e asaj drejtoreshe dhe nuk e di se çfarë arsimi apo intelekti ka. Apo në çfarë rrethanash e paska studiuar ngjarjen kjo drejtoreshë.”
“Faji është i nënës tjetër dhe jo asaj që i përdhunuan vajzën. Janë për të fajësuar nënat e atyre përdhunuesve.”
“Unë nuk e njoh nënën e asaj vajze, por prindi asnjëherë nuk ka faj. Hajde e marrim të mirëqenë sikur vajza ka faj, po ata rrugeçër a kanë motër ata? Padiskutim që ata duhet të varen.”
“Nuk mendoj aspak se është për tu fajësuar nëna e asaj vajzës. Ajo sheh e ndikohet dhe nga shoqëria se çfarë bëhet. Është edhe mosha një faktor, sepse është shumë e vogël.”
“Nuk ka faj ajo, asnjë nuk ka. Ky është një rast ekstrem që mua më ka ndikuar shumë keq. Nuk më zë gjumi. Ndjej keqardhje për atë vajzë dhe duhet të merren masa që ta ndihmojnë sa më shumë.”
Ndërkohë, për një pjesë të qytetarëve nëna e 13-vjeçares duhet të ishte më e kujdesshme në ndryshimet emocionale të vajzës.
“Të gjithë kanë faj nga shkolla e deri te vajza. Kjo e fundit ka faj që nuk tregoi, nëna që nuk e mori vesh dhe shkolla që e ka mbajtur të fshehtë”
“Fajin e ka nëna, ajo duhej të interesoj përgjatë muajve për vajzën. Vetëm nëna e ka fajin, asgjë tjetër, mos u lodhni hiç.”
“Të dyja janë për tu fajësuar. Nëna duhet të jetë më afër vajzës dhe ajo nuk do ketë ndërtuar relata shumë të mira me të bijën. Duhet të jemi më të përgjegjshme si nëna.”
“Nëna duhet të ishte më e kujdesshme për të parë gjendjen e vajzës, emocionet. Nuk është e vështirë sepse pas përdhunimit, fytyra e vajzës është krejt ndryshe nga normalja. Ndaj mendoj se ka faj.”
Kjo ngjarje vazhdon ende të trajtohet më një kureshtje të gjerë nga të gjithë, mediat, njerëzit në rrugë, kafe. Por, më së shumti nga politika. Prej ditësh tashmë palët janë duke e lakuar këtë rast, si të ishte kauza e shpëtimit për partitë.
“Kjo zhurmë e madhe që u bë nuk është ndihmuese as për vajzën as për familjen. Sepse është duke mbartura gjithmonë e më tepër ngarkesa politike, propagandistike. Por, kjo propagandë duhet të jetë në funksion të rregullsisë,”-përfundon një qytetar./ TIRANA TODAY