Etër dhe bij: Si Kremlini po rikthen metodat e KGB ndaj kundërshtarëve politikë

Nga Andrei Kolesnikov “The Moscow Times”

 

Shërbimet sekrete sovjetike dhe ato ruse, kanë përdorur gjithnjë metodat më të ndyra të mundshme kundër kundërshtarëve të tyre. Ato përfshijnë zakonisht shfrytëzimin e pikave më të dobëta të viktimave të tyre, familjarët e tyre.

Një shembull tipik është ai kur në vend se të burgosnin shkrimtarin e njohur Boris Pasternak, autoritetet sovjetike arrestuan dhe dënuan të dashurën e tij, Olga Ivinskaja, pasi e dinin se kjo gjë do t’i shkaktonte atij një dhimbje edhe më të madhe.

Drejtuesit e sotëm të Rusisë po ndëshkojnë në të njëjtën mënyrë njërin nga njerëzit më të afërt të Aleksei Navalnit, Ivan Zhdanov, duke arrestuar babanë e tij pensionist 66-vjeçar, me akuza të fabrikuara.

Kjo sjellje është në përputhje me “drejtësinë” e stilit sovjetik, në të cilin jo vetëm prindërit u detyruan të paguanin për “mëkatet” e fëmijëve të tyre dhe anasjelltas, por edhe vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tjerë u ndëshkuan për “fajet” e njëri-tjetrit.

Ky interpretim i ri i sagës Kremlin-KGB për “Etërit dhe Bijtë”, nuk ka të bëjë me një konflikt brezash, por me mënyrën se si udhëheqësit rusë po hakmerren kundër disa brezave në të njëjtën kohë – duke e përdhosur kujtimin e viktimave të kaluara, shantazhuar baballarët përmes arrestimit të djemve tëtyre, dhe duke dëmtuar psikologjikisht fëmijët përmes arrestimit të baballarëve të tyre.

Metoda të tilla shkaktojnë vuajtje më të mëdha shpirtërore. Autoritetet kanë ndryshuar taktikat e tyre në shtypjen e drejtpërdrejtë të shoqërisë civile, nga përdorimi i dhunës  policore dhe ligjeve shtypëse, tek shantazhet dhe presione psikologjike.

Ata që luftojnë sot aktivistët e shoqërisë civile, po përdorin të njëjtat metoda si paraardhësit e tyre sovjetikë. Dhe në mënyrën e vërtetë sovjetike, autoritetet çeçene u kërkojnë ndonjëherë viktimave të tyre që të pendohen publikisht.

Të gjitha këto veprime i dërgojnë një mesazh të qartë publikut:“Nëse bëheni pjesë e akteve anti-qeveritare, ne do t`ju dënojmë ju dhe të afërmit tuaj. Dhe nëse fëmijët tuaj marrin pjesë në protesta, ne do t’ju dënojmë me akuzën e keqtrajtimit të një të mituri nën kujdesin tuaj”.  Nëse një djalë militon në radhët e opozitës, babai i tij do të dënohet me burg. Siç shkroi  Aleksandër Tvardovski në poezinë e tij të ndaluar anti-staliniste “Me të drejtën e kujtesës”, autoritetet kanë nevojë për një furnizim me baballarë dhe bij të tillë “që të jenë gjithmonë pranë në rastin e mungesës së armiqve të klasës”.

Të marrësh hak dhe të mbjellësh frikë, u shërben dy qëllimeve. Kjo gjë frikëson jo vetëm familjarët e të arrestuarve, por edhe publikun e gjerë, duke e nxitur atë t’u bindet autoriteteve dhe të heshtë. Është një lloj lufte civile hibride që shteti e zhvillon kundër qytetarëve të vet. Autoritetet janë bërë haptazi mizore dhe të paskrupullta, dhe kjo shënon një fazë tjetër në degradimin e regjimit autoritar politik rus.

Duke folur për sistemin stalinist, historiani Denis Karagodin po kryen një hetim ndaj agjentit të NKVD që ekzekutoi stërgjyshin e tij, dhe djali i atij agjenti ka bërë një ankesë në polici pasi ai nuk dëshiron që babai i tij -dhe për pasojë edhe ai vetë – të konsiderohen vrasës.

Një aspekt tjetër i çështjes së “baballarëve dhe bijve” është fakti që autoritetet ruse kanë sfiduar një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke refuzuar që t’u kthejnë apartamentet në qytetet kryesore ruse fëmijëve të viktimave të terrorit Stalinist që kishin jetuar në to para se të dënoheshin.

Duke shkelur të drejtat e fëmijëve dhe nipërve të individëve të persekutuar, autoritetet e sotme deklarojnë haptazi se janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të sistemit shtypës të Stalinit.

Goditja kundër projektit “Adresa e Fundit”, një nismë qytetare për të përkujtuar viktimat e shtypjes sovjetike, demonizon jo vetëm nismëtarët e saj, por edhe ata që vazhdojnë punën e tyre – një fakt për të cilin regjimi nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta fshehur.

Edhe nënkryetari i Unionit Rus të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve i është bashkuar fushatës kundër kujtesës së atyre që pësuan shtypje gjatë regjimit sovjetik. Zyrtarët e sotëm qeveritarë po bëjnë të njëjtën gjë, duke e quajtur si një agjent i huaj Fondacionin e Kujtesës -që merret me ruajtjen e kujtesës së të kaluarës represive të Rusisë.

Në një rast, eksperti për të drejtat e votimit Vasili Veizenberg botoi një artikull inkriminues në lidhje me kryetarin e komisionit zgjedhor të qarkut autonom Jamal-Nenets, pas botimit të këtij artikullit ai dhe djali i tij i vogël morën kërcënime me vdekje.

burimi: https://www.themoscowtimes.com/2021/03/30/fathers-and-sons-a-kremlin-kgb-remake-a73406

Përshtatur për Tirana Today