Nga Slawomir Sierakowski “Aspi Strategist”
Të gjithë e dimë që politikanët janë dinakë dhe cinikë. Por a mund të thuhet tashmë e njëjta gjë edhe për elektoratin? Shumë nga amerikanët që votuan për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, e dinin se ai ishte një gënjeshtar kronik, me lidhje të dyshimta me Rusinë, ashtu si anëtarësia e Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe, e di se Boris Johnson, që pret të bëhet kryeministër, ka mashtruar shumë herë gjatë karrierës së tij.
Në Poloni, nuk është sekret fakti që partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS), po i mbush institucionet shtetërore me besnikët e saj, duke keqpërdorur mediat publike, shpërblyer miqtë dhe minuar pavarësinë e gjykatave. Por pavarësisht këtyre zullumeve, PiS i mposhti partitë opozitare në zgjedhjet e majit për në Parlamentin Evropian.
Fakti që polakët, britanikët dhe amerikanët kanë votuar për qeveri moralisht të falimentuara, është simptomë e dukurisë që filozofi gjerman Peter Sloterdijk, e përshkroi në fillim të viteve 1980, si “arsyetimi cinik”.
Sloterdijk argumentoi se në mungesë të narrativave përparimtare, elitat perëndimore i kishin përvetësuar leksionet e Iluminizmit, por i zbatonin ato vetëm në shërbim të interesit të tyre të ngushtë, dhe jo të të mirës së përbashkët. Problemet sociale si skllavëria, varfëria dhe pabarazia, nuk ishin më të lidhura vetëm me injorancën e njerëzve, pasi edhe njerëzve të shkolluar u mungonte vendosmëria për t’i zgjidhur ato.
Siç shprehet filozofi slloven Sllavoj Zhizhek “funksionimi i ideologjisë sot nuk është ‘se ata nuk e dinë, prandaj janë duke e bërë’, por që ‘ata e dinë, dhe janë duke e bërë gjithsesi’. Sipas Sloterdijk, ky cinizëm filloi me elitën. Tani jemi bërë të gjithë egoistë të mirë-informuar.
Edhe pse e dimë se si ta luftojmë pabarazinë, ajo është ende në rritje.
Autoritarizmi (qoftë ai rus apo kinez), po përballet më me efektivitet me varfërinë sesa demokracia. Shoqërive të pasura, po u bëjnë pak përshtypje luftërat apo krizat e refugjatëve.
Idetë e mëdha që premtojnë ndryshime të rëndësishme sociale, qoftë demokracia sociale apo kristiandemokracia, kanë ndikim vetëm tek brezi i vjetër.
Votuesit që nuk shqetësohen sesi populistë si Donald Trumpi dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, ndryshojnë qëndrimet e tyre të deklaruara nga njëra ditë tek tjetra, nuk janë admirues të verbër të pushtetit. Ata janë thjesht avokatë të interesave të tyre të veçanta.
Nëse reduktimi i emetimeve të gazrave serrë, nënkupton mbylljen e minierave të qymyrit dhe termocentraleve me qymyr, ata që janë të punësuar në këtë sektor, nuk do t’i mbështesin politikat pro mbrojtjes së klimës, ashtu si ata në zonat më të pasura nuk do të merakosen shumë, se çfarë ndodh me minatorët e minierave të qymyrit.
Në Evropë, ndarja mbi zhvillimin midis të Gjelbërve dhe populistëve, duket se pasqyron një aks të ri post-ideologjik. Në të dyja anët e kësaj ndarje, votuesit tani sillen si operativë politikë, që e vënë theksin mbi tema të caktuara, teksa shmangin të tjerat. Sot partitë politike, nuk përfaqësojnë më votuesit.
Përkundrazi, votuesit përfaqësojnë partitë, ndonjëherë edhe para se sa ato të krijohen, siç u dëshmua edhe nga protestat e jelek-verdhëve në Francë. Presidenca Trump, debati mbi Brexit në Britani, dhe ngjitja në pushtet e PiS dhe Orban, sugjerojnë një humbje të madhe të besimit tek progresi.
Vizioni i përparimit në Evropën Lindore, ishte sinonim i tranzicionit të gjatë nga komunizmi në kapitalizëm. Por 3 dekadat e “shtrëngimit të rripave”, dhe pritjes për një të ardhme më të mirë, e kanë dëmtuar shumë besimin e njerëzve tek demokracia liberale.
Populizmi i josh votuesit me premtimin e tij për një lloj revolucioni kopernikan, që përmbys politikën e ”shtrëngimit të rripit”, ashtu edhe supozimet e tjera mbizotëruese të së kaluarës.
Pak kohë pas fitores së PiS në zgjedhjet e Parlamentit Europian, ku ajo mori 45.5 për qind të votave, portali mediatik “OKO.press”, pyeti polakët në një sondazh:”A po qeveris qeveria e tanishme e PiS, si qeveria e mëparshme?”
68 për qind e të anketuarve u përgjigjen me po, dhe vetëm 24 për qind thanë se PiS është më pak e interesuar tek vetja dhe me shumë për qytetarët, se sa paraardhësit. Edhe midis votuesve të PiS, 38 për qind e pranuan se administrata shtetërore është tani më e politizuar sesa më parë.
Kur u pyetën nëse qeveria aktuale e PiS, po i garanton më shumë përfitime personale zyrtarëve të saj se sa qeveritë e mëparshme, 58 për qind thanë se qeveritë ishin dikur më transparente.
Sidoqoftë, në mesin e votuesve polakë, dëgjon vazhdimisht arsyetime të tilla të tipit:”Unë e di që PiS nuk është e sinqertë, por ata kujdeset edhe për popullin; ata vjedhin dhe abuzojnë, por të paktën na lënë diçka edhe ne të tjerëve!”.
Pra, këta votues e përkrahin PiS, pavarësisht nga gabimet e saj të dukshme, pasi nuk duan të lejojnë largimin nga pushteti të një partie, që u ka garantuar disa përfitime sociale. Teoria e Perspektivës, modeli i sjelljes ekonomike të hartuar nga laureatët e çmimit Nobel Daniel Kahneman dhe Amos Tversky, thotë se njerëzit tentojnë të rrezikojnë më pak, nëse përballen me 2 opsione të këqija.
Përllogaritja jonë, nuk varet vetëm nga ajo që mund të fitojmë apo humbim në terma absolutë, por nga situatat dhe pritshmëritë tona aktuale. Kur ai që pret një pagë të lartë, merr më pak se sa priste, do të ndihet i pakënaqur, sesa dikush që kënaqet kur merr diçka që nuk e priste. Këto dukuri tregojnë se si votuesit mund të mbështesin politikanë të tillë si Trump ose udhëheqësi i PiS Jarosłaë Kaczynski.
Votuesit polakë, britanikë dhe ata amerikanë, kanë bërë zgjedhje politike që ata e dinë se janë të rrezikshme, për shkak se ata ndjejnë se s’kanë asgjë për të humbur, dhe se opsionet që kanë përpara, janë midis të “keqes” dhe të “më të keqes”. Mbështetja e idealeve të larta si demokracia liberale, rendi kushtetues dhe liria e shtypit, cilësohet si një luks i papërballueshëm.
Ata nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë përfitime materiale, për disa parime abstrakte. E kush mund t’i bëjë me faj? Korporatat shumëkombëshe perëndimore që bëjnë biznes në Rusi, Kinë dhe vende të tjera, kanë vite që i sakrifikojnë idealet liberale në emër të fitimit. Sikurse vërejti Sloterdijk gati 40 vjet më parë, arsyetimi cinik triumfon mbi të tjerat. Sikur të njëjtat gjëra të njëjtat ishin të vërteta për pasurinë, historia e botës mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe./ TIRANA TODAY