Pavarësisht shtimit të rasteve masive me koronavirus, epidemiologu Ilir Alimehmeti qetëson qytetarët se nuk kemi përkeqësim të situatës. Tregues kryesor, sipas tij, janë shifrat e shtrimeve në spital. Teksa ka analizuar situatën, në një intervistë në A2 ai thotë se rastet e shtuara nuk duhet të na frikësojnë.
“Sytë duhen mbajtur tek shtrimet spitalore. Gjatë këtyre 5 ditëve, variacioni i rasteve ka qenë 52, 47, 50, 50, 53. Ajo që bie në sy është se janë shtuar rastet e intubuara, por kanë qenë pacientë në gjendje të rëndë, të ardhur nga shërbime të tjera”.
Në lidhje me humbjet e jetëve gjatë ditëve të fundit, Alimehmeti deklaron se kanë qenë pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore, më parë të shtruar në shërbime të tjera në QSUT, por pas infektimit, u trajtuan në Spitalin Infektiv.
Edhe epidemiologu Alimehmeti, sikundër mesazhet sensibilizuese ardhur me herët nga bluzat e bardha, kërkon sa më shumë vetëndërgjegjësim. Ai i mëshon fort faktit të respektimit të masave, të cilat duhet të jenë pjesë e stilit të jetës. “Bëhuni më pak ballkanikë dhe më shumë gjermanë, distancë, higjienë për të ulur transmetimin e virusit”.