Sulejman Demollari është një nga ikonat e futbollit shqiptar, ndër të parët që ka promovuar futbollin e vendit tonë në Europë. Shkëlqeu në një moshë të re tek Dinamo i Tiranës, por pasi u hapën kufijtë ai zgjodhi të vazhdojë karrierën jashtë vendit dhe mes Greqisë dhe Rumanisë zgjodhi këta të fundit për të vazhduar tek gjigantët e Bukureshtit. Katër vite në Bukuresht ku spikati me lojën e bukur dhe golat e shumë, duke u kthyer në një idhull të ekipit. Me ekipin kombëtar Demollari do të mbahet mend gjatë, pasi me grupin e U-18 arritën suksesin e parë historik duke luajtur në finalet e një Europiani.
Intervista e plotë e Sulejman Demollarit:
Si nisi karriera juaj e futbollit?
Si të gjithë fëmijët e asaj kohe që luanin në fushat e lagjes pranë pallateve, unë isha një tip i shkathët dhe dëshiroja që ta kaloja të gjithë kohën duke luajtur me top.
Momenti më i bukur ishte kur u organizua një kampionat nëpër shkollat sportive dhe unë u aktivizova tek ish-shkolla 8-vjeçare “Alqi Kondi” në klasat sportive me profil futbolli.
Dua të përmend profesorët dhe mësuesit e vitit parë të asaj shkolle, të ndjerin Albert Roshi dhe mësuesin tim Thoma Diamantin.
Ata ishin njerëz shumë pasionantë dhe të përgatitur dhe mbi të gjitha dinin ta transmetonin tek sportistët.
Krijuat simpati për Dinamon ngaqë banonit pranë kompleksit, apo ka ndonjë histori tjetër?
Një arsye që u bëra tifoz me Dinamon ishte se kisha shtëpinë pranë ish-klubit Dinamo, por kishte edhe një arsye tjetër; Kisha komshinj dy futbollistë të mirënjohur dinamovitë, Vasillaq Zërin dhe Petrit Dibrën, kjo më jepte akoma një kënaqësi më të madhe dhe fillova të shkoj të ndjek stërvitjen, gjë që më afroi më shumë.Mu dha mundësia të bashkohem shumë i ri me një ekip legjendë Dinamo, me ata lojtarë që ne në fëmijëri i kishim idhuj, ku mund të përmend portierin Luarasi, Sar, Targaj, Marko, Azbiu, Kuqi, Gega dhe treshen e famshme Zëri-Përnaska-Pllagjini. Kjo më bënte të isha i lumturuar, pasi lojtarët që kisha idhuj tashmë i kisha shokë skuadre.
Afrimiteti erdhi ngaqë shkolla ishte më pranë klubit Dinamo. Në shkollën ku ishim ne përfaqësonim “17 Nëntorin” e asaj kohe apo Tiranën e sotme dhe ish-shefi i klubit në atë kohë Iliaz Çeço na vëzhgoi në një ndeshje dhe vendosi që tre nga ne t’i merrte tek ekipi i të rinjve të Dinamos. Kjo ishte edhe fillesa ime me klubin e Dinamos.
E bukur ishte që në vitin e parë. pasi luajtëm për klubin dhe dolëm kampion. Ishte një kënaqësi që karriera ime filloi me një titull kampion.
Ka shumë ndeshje të bukura, por të veçantën mund të them në vitin 1986 ku një brez i mirë u larguan nga Dinamo. Pasi mosha në futboll dihet që ka një limit.
Cili është sezoni më i bukur që keni kaluar tek Dinamo i Tiranës?
Ishte hera e parë që profesori i nderuar Fatmir Frashëri merrte drejtimin e klubit dhe arritëm që në një vit me ekipe shumë pretendente, me një konkurrencë të fortë ku ishin 6-7 ekipe që pretendonin të dilnin kampion. Ky ishte një vit sa i bukur aq dhe i mundimshëm.
Ndeshja më e bukur që mund të diferencoj është ndonjë ndeshje derbi. Kundër “17 Nëntorit”, pasi kishte në përbërje lojtarë të kalibrit të lartë, titullar të ekipit kombëtar si Kola, Minga, Muça, Josa e Lekbello dhe ne fituam në atë ndeshje me një rezultat bindës 5-3.
Ishit shumë pranë Panathinaikosit, por në fund firmosët për Dinamon e Bukureshtit, cfarë iu ndryshoi mendjen?
Ishte një vit ku na u dha mundësia që ne mund të lëviznim në Evropë. Ishim në një moshë që mund ta quajmë si të dytën në futboll. Bashkë me Josën dhe Lekbellon patëm një ofertë në Greqi.
Ata e realizuan pasi u kënaqën me kushtet që u ofruan dhe u bashkuan me Arisin e Selanikut. Ata të dy më inkurajonin dhe më jepnin fjalë nxitëse, “ti Sula ke mundësi e cilësi dhe menaxheri po mundohet që të shkosh tek Panathinaikos”.
Gjatë një ndeshje që luanim me ekipin kombëtar në Tiranë përballë Islandës, u takuan të dy menaxherët e asaj kohe, ai që ishte në Rumani dhe ai i Panathinaikos.
Ata shprehën dëshirën që “hajde se të kërkon edhe Dinamo e Bukureshtit. Meqë aktivitetet sportive ishin pushim asokohe, unë vajta më shumë për një shëtitje në Rumani, por pritja që më bënë atje më bëri që të firmosja me ata.”
Të jem i sinqertë unë pashë një situatë të jashtëzakonshme tek Dinamo i Bukureshtit dhe një klub me traditë.
Asaj kohe ekipi kishte në përbërje lojtarët e kombëtares Rumune. Dhe vazhdon ta ketë, pasi tre janë ekipet që formojnë kombëtaren atje, Dinamo, Steaua dhe Rapidi i Bukureshtit.
Padyshim që edhe emri i klubit të tundon, pasi janë ekip elitë në kampionatin Rumun dhe në arenën evropiane.
Edhe oferta ishte shumë herë më e mirë se në Greqi, pasi aty nuk flitej për një shumë kaq të madhe. Me shumë kënaqësi e pranova pasi mu dha një mundësi të tregoja vlerat e mia dhe të kampionatit shqiptar në Evropë.
Në Bukuresht u kthye që në ndeshjet e para në idhull të tifozëve, pasi eliminuat edhe Sportingun e Luis Figos nga Kupa Uefa.
Kjo ishte mjaft e veçantë për mënyrën si nisi karriera ime në Bukuresht. Në ndeshjen e parë ne fituam 5-0 dhe unë shënova dy gola.
Më pas luanim në turet kualifikuese për kupën e UEFA-s në Portugali. Sportingu fitoi 1-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit, koha e rregullt u mbyll 1-0 në favorin tonë dhe në minutën e 117′ unë shënova një gol.Ishte një gëzim i madh për të gjithë, një festë. Më kujtohet mjaft mirë edhe Figo që ishte kundërshtar dhe ishte në fillimet e tij.
Goli? Ka qenë një lëvizje brenda zonës dhe isha i rrëzuar, mendova se mund të merrja dhe penallti por mu kthye topi. Siç isha i shtrirë mu kthye topi dhe e godita ashtu shtrirë shënova gol.
Ndeshjet më interesante dhe më të luftuar janë ndeshjet derbi, në një përballje mes Dinamos dhe Rapidit të Bukureshtit pjesa e parë u mbyll 3-1 në favorin tonë.
Kujtoj mjaft mirë fjalët e trajnerit: “Çuna, loja nuk ka mbaruar, janë edhe 45′ minuta.” Ishte minuta e 94’ dhe ne ishim duke humbur 4-3, jepet goditja e këndit e fundit, topi kthehet nga mbrojtja, unë godas menjëherë dhe barazohet gjithçka.
Gjysma e Bukureshtit e kishte idhull, ndërsa gjysma tjetër e shikonin si armikun më të madh.
Kjo është shumë pikante. Bashkëshortja ime vazhdonte fakultetin e gjuhëve të huaja në Bukuresht, të nesërmen kishte provimin me profesorin që ishte një tifoz ultras i Rapidit. Në fillim para auditorit kishte thënë: “Shyqyr që më erdhe në dorë, se ç’më bëri bashkëshorti yt dje unë do ta kthej sot.”
Kur mori librezën e notave i kishte vënë 10. Në barazimin e një dite më parë unë shënova tre gola.
E bukura që mu shpreh profesori ishte: “Të ishte një studente për rezultat 4-5 me kënaqësi do t’i kisha vendosur 4, por meqë është studente për 9 ose 10 unë i vendosa maksimumin”.
Mediat rumune shkaruanin asokohe se “Demollari tashmë ngre edhe trarët e doganave”, cfarë ndodhi?
Kjo është shumë e bukur dhe e vërtetë pasi e shkruanin edhe gazetat atje. Mesa më kujtohet ishte një autobus me turistë nga Shqipëria dhe si ishte ajo kohë për të kaluar doganat që ishte e vështirë ata ishin shprehur se jemi kushëri me Demollarin për të kaluar më shpejt.
Demollari ishte pjesë e kombëtares U-18 që shkruan historinë me kualifikimin në europianin e Finlandës.
Në grumbullimin e parë me kombëtaren e 18 vjeçarëve kishim një arritje historike, pasi u kualifikuam për në Evropianin që u zhvillua në Finlandë.
Kualifikimi asokohe ishte me eliminim direkt dhe ne mundëm Qipron në Tiranë me rezultatin 4-0 dhe humbëm atje 2-0.
Cfarë ndjenje ishte të shpalleshe më i miri i turneut kur konkurroje me Van Basten?
Morëm pjesë për herë të parë në finalet e Evropianit ku kishin në grup Holandën, Skocinë dhe Turqinë. E bukura ishte se të gjitha ekipit rrinin në një hotel dhe ne zhvillonim biseda takime me të gjithë lojtarët. Holanda kishte në përbërje lojtarë që pas dy apo tre vitesh u bënë pjesë të kombëtares së madhe, si Van Basten. Po në atë turne mua mu dha çmimi si mesfushori më i mirë i turneut.Kapiteni legjendarë që ka mbajtur në krah shiritin në të gjitha ekipet kombëtare.
Ishte një emocion dhe kënaqësi e veçantë të mbaje shiritin e kapitenit, pasi dëgjoje himnin, ishte flamuri që përfaqësoje dhe ishte suksesi i parë i kombëtares në një kompeticion evropian.
U krijua edhe një ekip Olimpik kombëtar që ishte deri në moshën 23-vjeçare, ku profesori i ndjerë Medin Zhega më dha shiritin e kapitenit.
Më pas edhe në kombëtaren e madhe e shijova shiritin e kapitenit. Në karrierën time në Shqipëri edhe në Evropë e kamë ndjerë atë kënaqësinë e të qenit lider në ekip.
Si ishte gjendja e Kombëtares së madhe asokohe, pasi Demollari në 12 vite ka shënuar vetëm një gol?
Ndeshjen e parë me Kombëtaren e parë e kemi luajtur në Belfast me Irlandën e Veriut kur nuk kisha mbushur 19-vjeç. Ne ishim në një grup me skuadra shumë të forta, Gjermania, Austria, Turqia dhe Greqia. Rezultatet ishin dinjitoze, por kishte edhe rezultate me ekipet e mëdha me diferencë golash.
Në edicionin 1984-86 ku zhvillohej kampionati Botëror në Meksikë, për kohën tonë ishte si edicioni më i realizuar në pikë dhe nivel ndeshjesh.
Kujtojmë ndeshjen e famshme me Belgjikën në Tiranë 2-0, në Poloni 2-2, me Greqinë në Tiranë 1-1. Ishte mundësia për të shkuar në finale por në Athinë u mundëm nga Greqia dhe nuk ia arritëm. Kjo tregon që kishim ekipe shumë të forta përballë dhe ishte e vështirë të shënoja gola, kjo është arsyeja pse nuk jam dalluar te ekipi kombëtar për gola të shumtë.
Në Rumani cilësoheni si lojtari më i mirë i huaj i të gjitha kohërave, si ndjeheni nga ky vlerësim?
Lojtari më i mirë i huaj në Rumani? Kjo është e bukur edhe tregon vlerat e lojtarëve shqiptarë. Atje kanë shkuar edhe të huaj të tjerë nga Brazili, Rusia, Ukraina etj., dhe është një ndjenjë pozitive për vlerësimin që marr pas atyre 4 viteve të bukura që kalova atje.
Pas Bukureshtit e vazhduat karrierën në Greqi tek panioni, pse kjo zgjedhje?
Ishte një ekip mesit të tabelës dhe nuk kishte pretendimet e mëdha në kampionat që gjeta tek Dinamo e Bukureshtit. Aty mbizotëronte Panathinaikosi, AEK-u dhe Olimpiakosi. Vitet kalonin por meqë mu dha mundësia thash pse mos ta provoj edhe një eksperiencë të bukur. Vërtet nuk ishte me trofe, por një eksperiencë për të parë edhe nivelin e kampionatit atje.
Pse zgjodhët ta mbyllnit karrierën në Hungari dhe jo tek Dinamo i Tiranës?
Kur unë u largova futbolli pati ato problemet e veta, si me organizimin e klubeve por edhe me zhvillimin e kampionatit dhe nuk e mendova të vij e ta mbyll kampionatin në Shqipëri për këtë motiv. Dhe për këtë arsye e mbylla në Hungari.Si vazhdoi jeta juaj pasi u larguat nga futbolli aktiv?
Gjithmonë jeta ime është e lidhur me futbollin. Për disa vite fillova trajner me ekipin kombëtar A, me ekipin U-15 dhe zëvendës trajner tek U-19.
Në klube tek Dinamo, ekipi i Lushnjës, Shkumbinit të Peqinit dhe disa muaj në formimin e ekipit të Skraparit pas shumë vitesh dhe tani vazhdoj të jem në administratën e Federatës Shqiptare në sektorin e ekipeve kombëtare.
Pasi mbylla karrierën mendova që të kthehem në Shqipëri dhe të jap kontributin tim të futbollit. Në vitin 2011 pata një shkëputje kur transferova Elis Bakajn tek Dinamo e Bukureshtit, atje mu ofrua edhe mua një post. Aty qëndrova edhe pranë Bakajt dhe u mora me menaxhimin e lojtarëve në Evropën Qendrore.
Çmimet? Ndjehem i nderuar nga futbolli, tani Presidenti Ilir Meta më dha çmimin “Mjeshtër i madh i sporteve” dhe për këtë duhet të falënderoj trajnerë, miq, familjarët, shpreh mirënjohje për të gjithë dhe u them faleminderit.
Shkatërrimi i Kompleksit Dinamo? Kjo është keqardhje jo vetëm për mua si dinamovit, por për të gjithë njerëzit që e duan futbollin, që Dinamo është në këto momente të vështira. Duhet gjetur një zgjidhje dhe këtë mund ta bëjnë drejtuesit, duhet të gjejnë një mënyrë pasi Dinamo është një nga legjendat që ka bërë një histori gati 70-vjeçare.
Kemi vite që bëjmë takime me drejtuesit aktualë të Dinamos, por përgjigja ka qenë që do ti rregullojmë vetë. Pavarësisht dëshirës së Demollarit dhe gjithë ish-dinamovitëve që ta përkrahim ta mbështesim, por drejtuesit nuk mendojnë që të gjithë neve të bëhemi bashkë dhe ta ndihmojmë ekipin të dalë nga kjo gjendje.
Futbolli në Shqipëri? Futbolli i sotëm do investim dhe këtë e tregon shumë bukur Skënderbeu që ka një organizim dhe një infrastrukturë të mirë. Për këtë meritat kalojnë nga i pari që është presidenti Takaj me stafin që ka kaluar çdo vit, deri tek futbollistët që ka në ekip. Ekipet e tjera janë problematikë nga financat, si Lushnja që u tërhoq shumë shpejt. Vllaznia që të gjithë ndjejnë keqardhje, pasi rrezikon të ikë nga elita e futbollit. Edhe Partizani që ëndërron të kthehet në ato vitet e bukura të tij, por duhet një menaxhim më i mirë i ekipit.
Skënderbeu? Është një dënim nga UEFA për dyshime të ndeshjeve të trukuara, të cilat i shohim edhe nga ekipe kampione të Evropës. Dhe Skënderbeu po bëhet shembull.
Transferimet? Kjo tregon një rritje të kampionatit shqiptar, të cilës një plus të madh i dha edhe pjesëmarrja e kombëtares në Evropianin e Francës që ishte një sukses i madh. E bukura është që çdo klub mendon edhe për përfitime nga anët financiare, duke shitur lojtarë dhe shembulli më i mirë është këta dy talente që janë larguar tani si Abazaj dhe Guri.
Panucci? Me rezultatet që arriti në ndeshjet e fundit të eliminatoreve ishte një sukses, pasi mori vendin e tretë në një grup mjaft të vështirë. Ai po mendon futjen e elementëve të rinj në këto ndeshje miqësore, që të rifreskojë ekipin. Unë i uroj suksese dhe të ketë atë suksesin që arriti De Biasi.
Eno Leka, TIRANA TODAY