Një debat i zjarrtë është krijuar se ku do të organizohet Botërori i vitit 2026, pasi ai i viti 2022 dihet tashmë që do ta organizojë Katari. Maroku rivalizon treshen e fortë SHBA-Kanada-Meksikë të cilat kërkojnë të organizojnë një evemniment që nuk e kemi parë kurrë më parë në këtë format. Për këtë duket se bota është e ndarë në dy pjesë dhe Maroku është një kandidat serioz, saqë ka vënë në lëvizje edhe vetë presidentin Trump.
Presidenti amerikan Donal Trump, pak ditë më parë shkruante në Twitter se, “do të ishte një turp, nëse vendet që gjithmonë i kemi mbështetur do të lobonin kundër këtij propozimi”. “Pse duhet t’i mbështesim këto vende, kur nuk na mbështesin (duke përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara)?” – shkruante Trump.Një mesazh në formë kërcënimi, e hapur dhe pa asnjë lobim nga ana e presidentit amerikan. Ndërkohë, më 12 maj, një delegacion nga Maroku vizitoi Federatën Shqiptare të Futbollit për të siguruar mbështetjen e saj në qershor, kur do të bëhet edhe votimi për të shpallur fituesin në Kongresin e FIFA-s në Moskë dhe sipas marokenëve, presidenti Duka u ka premtuar votën e tij.
Portali maroken “Al Khabar”, një nga më të njohurit në Afrikën Veriore, shkruan se Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmoi që vendi i tij do të votonte për Marokun më 13 qershor. Federata shqiptare e Futbollit nuk e ka bërë publike votën dhe nga burime pranë institucionit të futbollit mësohet se Duka nuk është shprehur as pro dhe as kundër Marokut, duke lënë gjithçka të hapur në votim.
(Artikulli i portalit maroken “Al Khabar”)