Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Kryesore

Drama e opozitarëve iranianë, pse po largohen nga kampi i MEK në Shqipëri

6 vjet ago
in Kryesore, Shqipëria, Të Gjitha, TT, W-Instant
Drama e opozitarëve iranianë, pse po largohen nga kampi i MEK në Shqipëri

Nga Linda Pressly & Albana Kasapi “BBC”

Gjashtë vitet e fundit, Shqipëria ka qenë shtëpia e njëri prej grupimeve kryesore të opozitës iraniane, Mujahideen-e-Khalq, ose shkurt MEK.

Por qindra anëtarë të saj janë larguar tashmë.

Disa janë ankuar për rregullat e ashpra të organizatës, që imponojnë beqarinë dhe kontrollet e forta mbi kontaktet me familjen.

Tani, dhjetëra prej tyre jetojnë jashtë kampit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në pamundësi për t’u rikthyer në Iran ose për të vazhduar jetën e tyre si dikur.

“Unë nuk fola me gruan dhe djalin për 37 vjet me radhë. Ata mendonin se kisha vdekur.

Por unë u thashë: Jo, jam gjallë, ndodhem në Shqipëri…Ata nisën të qajnë”.

Biseda e parë telefonike me familjen e tij pas kaq shumë vitesh, ishte shumë e vështirë edhe për Golam Mirzain.

Ai është sot 60-vjeç dhe 2 vjet më parë u zhgënjye me jetën thuajse ushtarake që bënte brenda kampit të MEK në periferi të Tiranës.

Tani ai është larguar prej andej, i penduar, por dhe i akuzuar nga ish-shokët e tij muxhahedinë, se po spiunon tek armiku i tyre të betuar, qeveria e Republikës Islamike të Iranit.

MEK ka një histori të trazuar dhe të përgjakshme.

Si radikalë islamiko-marksistë, anëtarët e këtij grupimi, e mbështetën revolucionin iranian të vitit 1979, që përmbysi Shahun.

Por marrëdhëniet me Ajatollah Khomeinin, u përkeqësuan shumë shpejt.

Kur qeveria nisi t’i shtypë, muxhahedinët u detyruan të mërgojnë nga vendi për të shpëtuar jetën.

Iraku fqinj u ofroi strehë dhe nga kampi i tyre në shkretëtirë, MEK luftoi në anën e Sadam Huseinit gjatë luftës Iran- Irak të viteve 1980-1988, kundër atdheut të tyre.

Golam Mirzai ishte pjesë e ushtrisë iraniane, kur u kap rob nga forcat e Huseinit në fillim të konfliktit.

Ai i kaloi 8 vitet e luftës, si i burgosur lufte në Irak. Por me kalimin e kohës, të burgosurit iranianë si Mirzai u inkurajuan t’i bashkohen bashkatdhetarëve të tyre të MEK.

Dhe kështu bënë.

Por sot Mirzai është i një “i shkëputur”.

Ai është nga qindra ish-anëtarët e MEK, që janë larguar nga organizata, që kur ajo u transferua në Shqipëri.

Me ndihmën financiare të familjeve të tyre, disa prej tyre janë lidhur me trafikantët, për t’i çuar diku tjetër në Evropë, dhe ndoshta 2 prej tyre mund të jenë rikthyer në Iran.

Por dhjetëra të tjerë mbeten ende në Tiranë, pa shtetësi dhe zyrtarisht të paaftë për të punuar.

Po si u gjendën anëtarët e kalitur në luftëra të MEK-ut, dikur një organizatë terroriste për SHBA-në dhe Evropën, në këtë cep të kontinentit?

Në vitin 2003, pushtimi i Irakut e vuri shumë më rrezik jetën e muxhahedinëve.

Mbrojtësi i kësaj organizate, Sadam Husein, u zhduk nga skena, dhe muxhahedinët nisën të sulmohen rregullisht.

Qindra prej tyre u vranë dhe u plagosën.

Nga frika e një katastrofe edhe më të rëndë humanitare, amerikanët biseduan me qeverinë shqiptare në vitin 2013, dhe e bindën atë të pranojë rreth 3.000 anëtarë të MEK në rrethinat e Tiranës.

“Ne iu ofruam atyre mbrojtje nga sulmet dhe abuzimet, por edhe mundësinë për të pasur një jetë normale, në një vend ku ata nuk ngacmohen apo sulmohen”, thotë Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, që në atë kohë ishte në qeveri dhe sot është në opozitë.

Në Shqipëri, politika është shumë e polarizuar dhe gjithçka kontestohet. Por gati njëzëri, prania e MEK është pranuar publikisht si nga partitë qeverisëse, ashtu edhe ato opozitare.

Për MEK, Shqipëria ishte një mjedis plotësisht i ri.

Golam Mirzai, u habit kur pa që edhe fëmijët kanë telefona celularë.

Dhe për shkak se disa nga muxhahedinët u strehuan në fillim në disa apartamente në periferi të kryeqytetit, kontrolli i organizatës mbi anëtarët e saj, ishte më i dobët se më parë. Në Irak, MEK kontrollonte çdo aspekt të jetës së tyre.

Por në Tiranë, pati përkohësisht një mundësi, për të bërë një jetë me një shkallë të caktuar lirie.

“Pranë banesave tona kishim një terren, ku komandantët tanë na thoshin që duhet të bënim stërvitje të përditshme”, kujton Hasan Hejrani, një tjetër “i shkëputur” nga organizata.

Hejrani dhe kolegët e tij, fshiheshin pas pemëve dhe shkurreve, për t’ju përvjedhur eprorëve, dhe u futur në internet-kafenetë aty pranë, për të kontaktuar me familjarët e tyre.

“Kur ishim në Irak, nëse donim të bisedonim në telefon me ata të shtëpisë, MEK na quante njerëz me karakter të dobët.

Ne s’kishim asnjë marrëdhënie me familjet tona. Por kur erdhëm në Tiranë, patëm mundësi të përdorim vetë internetin”, thekson ai.

Megjithatë, në fund të 2017-ës, MEK u zhvendos në selinë e tij të re.

Kampi është ndërtuar në një kodër të pjerrët në një fshat shqiptar, rreth 30 km larg kryeqytetit.

Pas portave të mëdha prej hekuri, ndodhet një hark mbresëlënës prej mermeri, në të cilin janë ravijëzuar disa luanë të artë.

Një bulevard i stolisur me pemë, të çon deri në një memorial kushtuar mijëra njerëzve, që kanë humbur jetën e tyre në luftën që MEK ka zhvilluar kundër qeverisë iraniane.

Këtu nuk janë të mirëpritur gazetarët e paftuar.

Por në korrik të këtij viti, mijëra njerëz morën pjesë në veprimtarinë e përvishme “Irani i Lirë”, që MEK organizoi brenda kampit.

Politikanë nga e gjithë bota, shqiptarë me ndikim, dhe banorë të fshatit Manzë, iu bashkuan në tubim mijëra anëtarëve të MEK dhe lideres së tyre, Marjam Rajavi.

Atë ditë oratori kryesor, ishte avokati personal i presidentit amerikan Donald Trump, Rudi Xhuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut.

“Këta këtu, janë njerëz që i janë përkushtuar lirisë”, u shpreh ai, duke iu referuar anëtarëve të MEK të veshur në mënyrë uniforme, dhe të ndarë veçmas burrat dhe gratë.

“Dhe nëse mendoni se është një kult, atëherë ka diçka që nuk shkon me ju”, shtoi ai.

Politikanë të fuqishëm si Xhuliani e mbështesin kauzën e MEK për ndryshimin e regjimit në Iran. Manifesti i lëvizjes, përfshin angazhimin për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe demokracinë pjesëmarrëse për Iranin.

Por Hasan Hejrani nuk e beson më këtë gjë.

Vitin e kaluar, ai u largua nga MEK, duke refuzuar atë që ai e shihte si një kontroll represiv të udhëheqjes, mbi jetën e tij private.

Hejrani iu bashkua muxhahedinëve që kur ishte në të 20-tat, i joshur nga angazhimi i organizatës ndaj pluralizmit politik.

“Ishte diçka shumë tërheqëse. Por nëse besoni tek demokracia, nuk mund të shtypni shpirtin e anëtarëve tuaj”, thotë ai.

Momenti kulminant i jetës së Hejranit me MEK, ishte një takim në mbrëmje, në të cilën ai ishte i detyruar të merrte pjesë.

“Ne mbanim me vete një fletore të vogël dhe nëse do të përjetonim ndonjë moment eksitimi, duhet ta shënonim atë.

Për shembull: “Sot, në mëngjes, pata një ereksion”.

Marrëdhëniet seksuale dhe martesa janë rreptësisht të ndaluara nga MEK.

Në fakt, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Dikur muxhahedinëve iu bashkuan prindërit dhe fëmijët e tyre.

Por pas një humbjeje të rëndë të MEK, si pasojë e sulmit nga ushtria iraniane, udhëheqja arriti në përfundimin se disfata ndodhi pasi muxhahedinët ishin të hutuar nga marrëdhëniet personale.

Më pas pati shumë divorce. Fëmijët u larguan nga kampet, shpesh në baza të veçanta në Evropë.

Dhe anëtarët e MEK, u zotuan të qëndrojnë pa familjet e tyre.

Në fletoren që mbanin me vete, Hejrani thotë se muxhahedinët duhej të përshkruanin edhe ëndrrat që shihnin në gjumë. “Për shembull: Kur pashë një fëmijë në televizion, ndjeva se edhe unë doja të kisha një fëmijë, dhe një familje timen”.

Ata duhej t’i lexonin këto rrëfime para komandantit dhe shokëve të tyre në mbledhjen e përditshme.

“Kjo është diçka shumë e vështirë për një njeri”, thekson Hejrani.

Tani ai e krahason kampin e MEK në Manzë me “Kafshët e Fermës”, librin e njohur të Xhorxh Oruell, përmes së cilit ai kritikoi epokën staliniste në Bashkimin Sovjetik.

“MEK është një sekt”, shton ai.

Një burim diplomatik në Tiranë e përshkroi MEK si “një grup kulturor unik, jo tamam një sekt, por të ngjashëm me të”.

BBC, nuk ishte në gjendje t’i diskutonte aspekte të tilla me ndonjë nga drejtuesit e MEK, pasi organizata refuzoi të jepte intervistë.

Por në Shqipëri, një vend që ka përjetuar për dekada një regjim të egër komunist, ka një lloj mirëkuptimi mbi qasjen e udhëheqjes së MEK, mbi ndalimin e marrëdhënieve personale.

“Në situata ekstreme, njeriu bën zgjedhje ekstreme”, thotë Diana Çuli, shkrimtare, aktiviste e të drejtave të grave, dhe ish-deputete e të majtës.

“Ata janë zotuar të luftojnë gjithë jetën e tyre për çlirimin e vendit të tyre nga një regjim totalitar.

Ndonjëherë, ne e kemi të vështirë të pranojmë rregullat e rrepta në funksion të një kauze.

Kjo është një sakrificë personale, dhe një mentalitet që unë e kuptoj”, thotë ajo.

Gjithsesi, disa shqiptarë shqetësohen se prania e MEK, e kërcënon sigurinë kombëtare.

Dy diplomatë iranianë, u dëbuan pas akuzave për planifikimin e sulmeve terroriste kundër muxhahedinëve. Bashkimi Evropian, e ka akuzuar Teheranin si organizator të komploteve për të vrarë kundërshtarët e regjimit, përfshirë anëtarët e MEK në Holandë, Danimarkë dhe Francë. (Ambasada iraniane në Tiranë, refuzoi kërkesën e BBC për një intervistë).

Një burim në Partinë Socialiste, është gjithashtu i shqetësuar, se shërbimeve shqiptare të inteligjencës, u mungojnë kapacitetet dhe aftësisë për të monitoruar më shumë se 2.500 anëtarë të MEK.

“Askush me dy mend në kokë, nuk do t’i pranonte ata këtu”- thotë ai.

Ndërkohë, një diplomat mendon se disa prej të “shkëputurve”, janë duke punuar me siguri për Iranin.

Golam Mirzai dhe Hasan Hejrani, janë akuzuar nga MEK si agjentë të Teheranit.

Por ata e hedhin poshtë një akuzë të tillë.

Tani të dy burrat janë fokusuar tek e ardhmja. Me ndihmën e familjes në Iran, Hejrani po hap një kafene në Tiranë dhe është lidhur me një grua shqiptare.

Në moshën 40 vjeçare, ai është më i ri se shumica e kolegëve të tij dhe është optimist për jetën.

Situata e Golam Mirzait, është më e pasigurtë. Ai nuk është shumë mirë nga shëndeti.

Ecën me paterica, pasi u plagos dikur në një nga bombardimet e kampit të MEK në Irak. Për më tepër ka pak para.

Ai përndiqet ende nga gabimet që ka bërë në jetën e tij dhe nga diçka tjetër që e zbuloi kur nisi të kontaktonte me familjen e tij.

Kur Mirzai u nis në luftë kundër Irakut në vitin 1980, ai kishte një djalë të vogël 1-muajsh. Pasi mbaroi lufta Iran-Irak, gruaja e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes shkuan në kampin e MEK në Irak, për të kërkuar Mirzain.

Por MEK i dëboi, dhe nuk i tha asgjë Mirzait për vizitën e tyre.

Ky 60-vjeçar, nuk e dinte që ishte një baba, derisa kur bisedoi për herë të parë me familjen pas 37 vjetësh. “Ata nuk më thanë që familja kishte ardhur të më kërkonte në Irak.

Nuk më thanë asgjë mbi gruan dhe djalin tim.

Gjithë këto vite kam menduar për gruan dhe djalin tim.

Ndoshta ata vdiqën në luftë …Unë thjesht nuk dija asgjë”, thotë ai.

Djali i tij, është tani gati 40 vjeç.

Dhe Mirzai na tregon me krenari një foto të tij në WhatsApp.

Por kontakti i rifilluar ka qenë shumë i dhimbshëm. “Unë kam qenë përgjegjës për këtë ndarje.

Nuk më zë gjumi natën, pasi mendoj për ta. Jam gjithmonë nervoz, i inatosur. Me vjen turp nga vetja”, thotë Mirzai.

Ai ka tani vetëm një dëshirë. “Unë dua të rikthehem në Iran, të jetoj me gruan dhe djalin tim.

Kjo është dëshira ime”, thotë ai.

Golam Mirzai ka shkuar në ambasadën iraniane në Tiranë për të kërkuar ndihmë dhe familja e tij po lobon pranë autoriteteve në Teheran.

Deri tani nuk ka asgjë të re. Prandaj ai pret, pa shtetësi, pa pasaportë dhe ëndërron vetëm të kthehet në shtëpinë e tij. /TIRANA TODAY

Tags: DramaIranianëMEKopozitare

TË LIDHURA

Po Partia Demokratike çfarë do të bëjë?
Aktualitet

Po Partia Demokratike çfarë do të bëjë?

22:54 | 24/05/2025
Homazhe dhe përcjellje për Artan Lamen, familja njofton datat e ceremonive mortore
Aktualitet

Homazhe dhe përcjellje për Artan Lamen, familja njofton datat e ceremonive mortore

22:06 | 24/05/2025
E trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë regjisori i njohur (Emri+Foto)
Aktualitet

E trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë regjisori i njohur (Emri+Foto)

21:58 | 24/05/2025
Next Post
“Shteti i 16-të që tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës”

“Shteti i 16-të që tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës”

Shkrumbohet makina në autostradë, ja dyshimet e para

Shkrumbohet makina në autostradë, ja dyshimet e para

PD ia kthen Cakajt: OSBE/ODIHR nuk specifikon zgjedhje demokratike

Bardhi: Votimi i dy anëtarëve të Kushtetueses, pjesë e puçit të Ramës

JU REKOMANDOJMË

Policia zgjohet herët, “rrethohen” Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora. Ja për çfarë bëhet fjalë

Policia zgjohet herët, “rrethohen” Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora. Ja për çfarë bëhet fjalë

08:28 | 21/05/2025
Tmerr nga ajri/ Aeroplani bie mbi lagje, banesa në flakë

Tmerr nga ajri/ Aeroplani bie mbi lagje, banesa në flakë

16:04 | 22/05/2025
”‘Më dërgo foto nu*o…’ – Flirti online kthehet në makth për 26-vjeçaren e martuar”

”‘Më dërgo foto nu*o…’ – Flirti online kthehet në makth për 26-vjeçaren e martuar”

22:15 | 23/05/2025
‘Kili’ i kokainës bënte namin në Durrës/ Si kishte ndërtuar laborator droge pranë hotelit të tij

‘Kili’ i kokainës bënte namin në Durrës/ Si kishte ndërtuar laborator droge pranë hotelit të tij

18:58 | 21/05/2025




TË FUNDIT

Po Partia Demokratike çfarë do të bëjë?
Aktualitet

Po Partia Demokratike çfarë do të bëjë?

by mirseda
22:54 | 24/05/2025
0

Spartak Ngjela: Nuk ka me qesharak sesa humbësi i zgjedhjeve Sali. Saliu paska vendosur të mos bëjë...

Homazhe dhe përcjellje për Artan Lamen, familja njofton datat e ceremonive mortore

Homazhe dhe përcjellje për Artan Lamen, familja njofton datat e ceremonive mortore

22:06 | 24/05/2025
E trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë regjisori i njohur (Emri+Foto)

E trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë regjisori i njohur (Emri+Foto)

21:58 | 24/05/2025
“Vajza me flamur”, Rama ndan foton e fitueses së “Wanderlust” in Albania 2

“Vajza me flamur”, Rama ndan foton e fitueses së “Wanderlust” in Albania 2

20:39 | 24/05/2025
“E vrau në faqe – Avokati i Selimajt zbulon arsyen tronditëse”

“E vrau në faqe – Avokati i Selimajt zbulon arsyen tronditëse”

20:26 | 24/05/2025

Tirana Today


© 2024 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.

Kontakt

EMAIL : redaksia@tiranatoday.com

Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.

EMAIL : redaksia@tiranatoday.com

Cel: +355694040005

© 2022 TiranaToday Dev By: wearedope.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2024TiranaToday Dev by : Techzero1.com