Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseini, ka reaguar në lidhje me konferencën që u mbajt ditën e djeshme për reformën zgjedhore, ku pjesëmarrëse ishte edhe OSBE.
I ftuar në emisionin “Arena” në Ora News, Hyseini u shpreh se kërkesa e opozitës për përjashtimin e Damian Gjiknurit nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, është vetëm një pretekst i tyre.
Sipas Hyseinit, Partia Socialiste është e hapur për të diskutuar me këdo nga pala tjetër.
“Zoti Kaso nuk e ka fare atje, ato janë pretekste, vickla quhen në gjuhën popullore. Nuk ka elementë thelbësore dhe për sa kohë nuk ka elementë thelbësore, ne gjykojmë që kërkesa të tilla që kushtëzojnë emrat e palës tjetër nuk i njeh as e drejta kanunore, as kuadri ligjor, por jam i bindur as e drejta ndërkombëtare.
Ne jemi të hapur për të diskutuar me këdo nga pala tjetër, nuk zgjedhim as liderët dhe as përfaqësuesit e palës tjetër dhe do ti ftoja edhe kolegët e opozitës joparlamentare të fokusohen tek problemet dhe parimet”, deklaroi deputeti.