Kryeministri Edi Rama ka treguar se çfarë u arrit në Samitin e Ohrit mbajtur ditën e diel, në kuadër të “mini-Shengenit ballkanik”. Ku theksoi se është i vendosur të heqë kufirin e Shqipërisë me Kosovën.
Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i shtetit deklaroi se edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka hedhur hapin e madh, atë të heqjes së vetos të “kufirit për lëvizjen e njerëzve”.
“Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën dhe do i jap mundësi shqiptarëve nga dy anët e kufirit. Që kur të kalojnë Morinën t’iu duket sikur shkojnë nga Prishtina në Gjakovë apo nga Lezha në Durrës. Të mos shikojnë aty asgjë dhe mos të rrinë të presin me kilometra e kilometra të tëra.
Kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do të merremi me përmbajtjen, gjithë përmbajtja e kësaj nisme bazohet jo vetëm në dakordësi, por dhe në interesin e njerëzve të zakonshëm të të gjitha vendeve”, tha kryeministri.
Në fjalën e tij gjatë Samitit të Ohrit, Rama u shpreh se ata që mendojnë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, bëjnë mirë të heshtin. Lidhur me këtë deklaratë, Rama qartësoi sot që bashkimi kombëtar, sipas tij, vjen vetëm përmes “integrimit të rajonit, të rajonit me BE-në, të vendeve tona me BE-në dhe të përfshirjes në një familje të madhe europiane”.
“Shqiptarët duhet dhe do të bashkohen si pjesë e proceseve që do të na bashkojnë të gjithëve me njëri-tjetrin si njerëz dhe si qytetarë të këtij kontinenti.
Rrugë tjetër nuk ka, nëse duam që ndërkohë njerëzit të rrisin ekonominë e tyre, njerëzit t’i paguajmë shumë më mirë, falë rritjes ekonomike, kushtet për të gjitha shërbimet të përmirësohen duke patur mundësi të investojmë më shumë”, shtoi Rama.