Roberto Sendoya Escobar është djali i parë i lordit të kokainës, Pablo Escobar.
Ai ka zbuluar së fundmi se si është shpëtuar gjatë një përplasjeje me armë zjarri që e la nënën e tij të vdekur. Sipas tij, ai u shpëtua nga një agjent i MI6, i cili më pas e adoptoi atë.
54-vjeçari jeton tashmë në Majorka të Spanjës, nën emrin Philip Witcomb. Ai e përshkruan si një moment të jashtëzakonshëm, kur në vitin 1989 i treguan se kush ishte babai i tij i vërtetë.
Ai është në prag të publikimit të librit “Djali i Escobar: i pari i lindur” (Son of Escobar: First Born). Në një intervistë për BBC, 54-vjeçari tha se e dinte se ku i kishte fshehur i ati milionat e groposura, të cilat sot e kësaj dite janë mister.
“Shpesh e pyesja babain tim që më adoptoi se çfarë lidhje kisha me imazhet që më kujtonin një grua me fustan të kuq dhe ato zhurmat e armëve. Janë imazhe që më kanë ngelur në kokë nga fëmijëria. Atëherë nuk e kuptoja se çfarë ishin, por babai im më tregonte”, tha ai.
Agjenti i MI6 shpesh e dërgonte të birin të vizitonte Pablo Escobar-in në Medejin në një farë mënyre edhe për të mbajtur nën kontroll lordin e kokainës.
Djali i Escobar thotë se Pablo i kishte dhënë disa kode të cilat do t’i deshifrojë për të kuptuar se ku ka fshehur milionat që ende nuk janë gjendur.