Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për çështjen e detit, marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe dekretin e fundit presidencial të shtetit fqinj.
Në rubrikën ‘Opinon’ në News 24, Bushati u shpreh se deri më tani duket se Shqipëria dhe Greqia nuk kanë gjetur zgjidhje, pasi vendosën të dërgojnë çështjen në një Gjykatë Ndërkombëtare.
Ai theksoi se pavarësisht se çështja dërgohet në Gjykatë, kjo nuk i transferon përgjegjësitë, pasi në rast të një vendimi përfundimtar, ky vendim do të jetë i ftohtë bazuar në kritere.
Pas këtij vendimi, Bushati thekson se Shqipëria e Greqia duhet të bëjnë një dokument të përbashkët bazuar mbi vendimin e dhënë.
Ditmir Bushati: ”Mendoj që përsa i përket a kanë dështuar negociatat, përgjigjia duket se është e qartë, nga Rama dhe Dendias në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë. Leximi im, nuk kam asnjë informacion zyrtar, por nga ky fakt do të thotë që nuk gjetën zgjidhje mes tyre. Këtu dua të bëj një theksim që është shumë i rëndësishëm. Kam lexuar një tendencë, që kjo çështje u zgjidh që tani po shkon në Gjykatë. Nuk ka transferim të përgjegjësive. Gjykata do japë vendim përfundimtar, nuk do masë detin.
Shqipëria dhe Greqia duhet të bëjnë një dokument të përbashkët më tej. Mbi bazën e plotfuqishmërisë, kanë qenë 3 pika që janë diskutuar më parë. Cila nga Gjykatat do zgjidhet, Haga e Drejtësisë, që Shqipëria ka pasur vetëm një eksperiencë të hidhur me kanalin e Korfuzit, me Britaninë e Madhe, kemi Gjykatën e Hamburgut, që është krah ligjor për Konventën për të Drejtën e Detit, dhe ajo e Arbitrazhit që s’ka të njëjtën vlerë.”