Meta sqaron vlonjatët: Rama gënjen, shpifjet e tij nuk meritojnë vëmendje

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i cilëson gënjeshtra pretendimet e kryeministrit Edi Rama, se ai po bllokon projektin për rehabilitimin e rrugës Vlorë-Orikum.

Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se gënjeshtrat e Ramës nuk meritojnë vëmendje.

Kreu i shtetit tha se e ka mirëpritur financimin saudit dhe ka shpallur dekretin brenda dy ditësh.

Sipas tij, ka qenë vetë qeveria shqiptare që i ka kërkuar Fondit Saudit të Zhvillimit që të ndërpresë marrëveshjen për financimin e kësaj rruge.

Ilir Meta: ”Qytetarët e qarkut të Vlorës meritojnë vëmendje dhe sqarime, pavarësisht se e dinë shumë mirë nga përvoja e tyre prej 8 viteve peshën e fjalëve të secilit. Jam për të përmendur disa fakte të papërgjegjshmërisë së kryeministrit për disa akuza propagandistike që ka bërë në Vlorë. Kuvendi i Shqipërisë më 9 nëntor 2019, ka ratifikuar marrëveshjen për rehabilitimin e rrugës së lumit të Vlorës. Presidenti e ka mirëpritur këtë vendim dhe ka shpallur dekretin brenda 2 ditësh. Kuvendi më 21 shtator 2020 i ka përcjellë presidentit ligjin për denoncimin e marrëveshjes së huas për financimin e projektit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në konferencë për shtyp
Presidenti i Republikës, Ilir Meta në konferencë për shtyp

Presidenti e shpalli këtë ligj menjëherë më 22 shtator. Presidenti shqyrtoi me vëmendje praktikën, nga ku rezultoi se qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Financave, i kishte kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim zgjidhjen e marrëveshjes së huasë.. Është e qartë që fondi saudit ka pranuar kërkesën të palës shqiptare për ta zgjidhur këtë marrëveshje për të hequr financimin e lotit 4 të Vlorës, që e lidh me Bashkinë e Selenicës. Pra, kjo ndërprerje për financimin e lumit të Vlorës, në segmentin Selenicë-Kryq-Levan-Tepelenë, një gjatësi prej 16 km, është bërë me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe jo të palës tjetër.